Pa rrymë e pa ujë
Mitrovica dhe komunat e rajonit, Skenderaj e Vushtrria, si dhe Drenasi e Istogu, u janë nënshtruar reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike. Në Skenderaj, Vushtrri dhe në Drenas banorët përballen edhe me mungesës të ujit të pijes, ndërsa në Istog është kthyer energjia elektrike por kanë vazhduar reduktimet, ndërsa ende nuk janë vlerësuar dëmet që janë shkaktuar nga era e fortë
Në temperaturat tepër të ulëta, të cilët kanë arritur edhe në – 25 gradë celsius, banorët e Mitrovicës dhe të komunave të rajonit, Skenderaj e Vushtrri, si dhe ata të Drenasit dhe të Istogut, janë përballur në dy ditët e fundit me mungesë të madhe të energjisë elektrike.
Përveç me mungesë të energjisë elektrike, banorët e Skenderajt, të Vushtrrisë dhe të Drenasit janë përballur edhe me mungesë të ujit të pijes, pasi që kompanitë kanë aplikuar reduktime në këto ditë të ftohta.
Në anën tjetër, Istogu ngadalë po i kthehet normalitetit, pasi që gjendja me energji elektrike është përmirësuar.
Jeta Balaj, zëdhënëse e komunës së Istogut, i ka thënë “Zërit” të hënën, se gjendja me rrymë është përmirësuar dukshëm, ndonëse reduktimet, sikurse edhe në gjithë vendin janë aplikuar edhe në këtë komunë.
Ajo ka shtuar se ende nuk dihen me shifra pasojat që ka shkaktuar era e fortë që kishte përfshirë Istogun dy ditë më përpara.
“Gjendja me rrymë është përmirësuar, gjithashtu edhe me ujë, fshatrat besoj se nga sot (e hënë) do të kenë rrymë, ndërkaq sa u përket dëmeve të shkaktuara nga era e fortë ende nuk ka ndonjë vlerësim të tyre, sepse ekipet janë ende në terren”, ka thënë Balaj për “Zërin”, të hënën.
Mitrovica probleme vetëm me rrymë
Në komunën e Mitrovicës, probleme ka vetëm me rrymë, pasi që kompania rajonale e Ujësjellësit nuk ka aplikuar reduktime të ujit.
Pas dy ditësh të ndërprerjeve, është kthyer rryma edhe në rajonin e Shalës së Bajgorës.
Ekipet e KEDS-it, të ndihmuara nga kompanitë e kontraktuara për shërbime nga komuna e Mitrovicës, kanë arritur që të sanojnë defektet në rrjetin e energjisë elektrike dhe kështu të bëjnë të mundur furnizimin me rrymë edhe të rajonit të Shalës së Bajgorës, pas dy ditë ndërprerjeje, për shkak të prishjeve në rrjet.
“Në kushte tejet të vështira për intervenim dhe riparim të prishjeve, ekipet intervenuese të KEDSD-it bënë të pamundurën që rryma ta ndriçojë edhe në gjendje të këtillë rajonin malor të Shalës së Bajgorës, ku gjendja ishte tejet e vështirë nga acari, furtunat dhe fërfëllizat që të premten në mbrëmje dhe të shtunën kishin bllokuar tërë rajonin. Punëtorët dhe drejtuesit e KEDS-it meritojnë lëvdata për punën e madhe që bënë”, tha kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Por reduktimet e energjisë elektrike në komunën e Mitrovicës janë aplikuar në tri ditët e fundit.
Zakonisht, orari i reduktimeve është 2 me 4 për rrymën.
Në anën tjetër, në komunat veriore të Kosovës është vështirësuar furnizimi me energji elektrike, ndonëse nuk njoftohet për reduktime të gjata.
Zoran Obradoviq, koordinator i “Elektrokosmetit” në veri të Mitrovicës i ka ftuar qytetarët që të zvogëlojnë shpenzimet e energjisë elektrike, në të kundërtën, siç ka thënë ai, “do të vihet në pyetje furnizimi për komplet veriun e Kosovës”.
Obradoviq ka thënë se nuk mban mend në këto 16-17 vjetët e fundit që veriu i Kosovës ka pasur harxhim kaq të madh të energjisë elektrike.
“Konsumatorët duhet të na ndihmojnë, sepse në këto temperatura të ulëta duhet të kursejnë që t’i zvogëlojnë shpenzimet e rrymës. Mund të mbesim pa rrymë fare”, ka thënë Obradoviq.
Vushtrria, në kolaps energjetik
Gjendje e rëndë me energji elektrike tregohet në komunën e Vushtrrisë. Zëdhënësi i komunës së Vushtrrisë, Shemsedin Preteni, ka thënë se në dy ditët e fundit qyteti dhe fshatrat kanë mbetur me orë të tëra pa energji elektrike.
“Gjendja është shumë e keqe, kush nuk e di as orarin e reduktimeve, sepse rryma ndalet pandërprerë dhe nuk vjen me orë të tëra. Ne si komunë kemi reaguar tek KEDS-i, por gjendja ka vazhduar të jetë e njëjtë edhe të hënën. Fshatrat dhe vetë qyteti ndodhet në kolaps energjetik dhe kjo gjendje kështu është e papërballueshme në këto ditë të ftohta. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se gjendja nuk është hiç më e mirë as me ujë të pijes, atëherë qytetarët e Vushtrrisë janë në hall të madh”, ka thënë Preteni për “Zërin”, të hënën.
Gjendje e njëjtë sikurse në Vushtrri mbretëron edhe në Skenderaj dhe Drenas. Këto dy komuna përballen jo vetëm me mungesë të rrymës, por edhe me mungesë të ujit të pijes. Sidomos gjendja më e rëndë është në komunën e Skenderajt.
Në dy ditët e kaluara dhe të hënën, reduktime të gjata të energjisë elektrike ka pasur në të gjitha fshatrat, si dhe në lagjen “Saraj” të qytetit.
Derisa në fshatra reduktimet aplikohen sipas orarit 3 me 3 e në disa fshatra edhe 4 me 2 për terrin, në lagjen “Saraj”, e njohur si lagjja 3, reduktimet aplikohen sipas orarit 2 me 4 për dritat.
Banorët e kësaj lagjeje thonë se lagjja e tyre trajtohet nga KEDS-i, ndryshe nga lagjet e tjera të qytetit. Madje ata thonë se lagjja e tyre është e “mallkuar”, pasi që KEDS-i vetëm atë lagje e ndëshkon, duke ia ndalur rrymën, derisa lagjet tjera vezullojnë nga dritat.
Skenderaj, pa ujë
Një pjesë e qytetit të Skenderaj përballet edhe me mungesë të ujit të pijes.
Misim Geci, banor i lagjes “Saraj” ka thënë se ka kohë të gjatë që ajo pjesë nuk ka ujë të pijes.
Ai shton se ka bërë përpjekje që bunarin ta mbushë me borë, në mënyrë që të sigurojë pak ujë.
“Kam folur me këta të Ujësjellësit edhe nuk ka kurrgjë, ata vetëm premtojnë e ujin nuk e lëshojnë. Nuk po di as ku të ankohem”, ka thënë Geci.
Edhe lagjja “Dardania” e qytetit të Skenderajt përballet me mungesë uji në këto ditë të ftohta.
Banorët e kësaj lagjeje kanë thënë se në temperatura – 24 gradë kanë mbetur pa ujë 23 orë.
“Mungesa e ujit ka bërë që të kemi një jetë ferri, duke u mbështetur në mëshirën e drejtuesve të Ujësjellësit. Këto ditë të acarta sërish po na gjejnë me reduktime të gjata të ujit”, thotë Visar Geci, banor i lagjes “Dardania”, e njohur si lagjja nr. 2, i cili ka paralajmëruar se nëse Ujësjellësi nuk ndërmerr masa për ta lëshuar ujin, atëherë banorët do të protestojnë.
Edhe komuna e Drenasit është duke u përballur me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. Përveç me rrymë, banorët e kësaj komune përballen edhe me mungesë të ujit.
Por, banorët e Drenasit shprehen të kënaqur me punën që ka bërë Drejtoria e Shërbimeve Publike për pastrimin e rrugëve nga bora.
Drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjenca në Drenas, Hyrie Xhamjli – Thaçi, i tha gazetës, se ajo dhe stafi i kësaj drejtorie, si dhe dy kompanitë e kontraktuara kanë punuar vazhdimisht për largimin e borës nga rrugët, përkundër acarit të madh dhe tani rrugët janë krejtësisht të hapura.
Në anën tjetër, KEDS-i ka paralajmëruar ndërprerje të energjisë elektrike në Drenicë, të martën dhe të mërkurën, për shkak siç ka thënë KEDS-i në një njoftim, “të punimeve nga distributori i KEDS-it”. Të martën dhe të mërkurën, sipas KEDS-it, “reduktime të energjisë elektrike do të ketë Drenasi, si dhe fshatrat Gllobar, Terstenik, Guarthyesi ‘Kalisi’, Verbovci, TS Ipko dhe TS Vala, për shkak të vendosjes së shtyllave, si dhe Drenasi te xhamia, Drenasi te ‘Ferronikeli”, Drenasi – Qorrajt, Drenasi – Çikatovë. Arsyeja e shkyçjes ngas rrjeti, montimi i kthinave 10 kV në NS 10/0 4kV banesat dhe NS 10.0 4kV Posta.
Ndërkaq të mërkurën nga ora 10:30 deri në ora 16:00 do të shkyçen fshatrat e Skenderajt: Llaushë, Rakinicë, Kopiliq i Epërm, Klledernicë, Turiqefc, Burojë, Vajnik, Izbicë, Ozdrim, Kopiliq i Poshtëm dhe Açarevë. Arsyeja, vendosja e shtyllave të 10kV”.