Korrupsioni s’po luftohet

Ekonomia December 10, 2016 - 08:02

Kosova ka legjislacion për ta luftuar korrupsionin, por ky fenomen negativ nuk po luftohet pasi që nuk po zbatohet në praktikë.

Në anën tjetër, në afera korruptive janë të përfshirë dhe zyrtarë të lartë të shtetit ndaj të cilëve Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë të ditur të premten se ka dorëzuar në gjykata mbi 17 raste të “Korrupsionit”.

Në kuadër të debatit me studentë rreth dukurisë së korrupsionit, organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, studentëve u është bërë thirrje të aktivizohen kundër korrupsionit dhe të mos pranojnë të jenë pjesë e kësaj dukurie as tani si studentë, as në të ardhmen si profesionalë.

Nuk parandalohet korrupsioni

Edis Agani, nga Zyra e BE-së, ka thënë në këtë konferencë se edhe Raporti i Progresit për Kosovën  konstaton që struktura ligjore dhe institucionale është në rregull deri diku në Kosovë dhe i përshtatet standardeve ndërkombëtare, mirëpo, sipas saj, çalohet në rastet konkrete. “Çalojmë së pari në parandalim të korrupsionit si shoqëri në përgjithësi dhe në luftë kundër korrupsionit dhe kjo pastaj drejtpërdrejt është përkthyer edhe në kushte për liberalizim të vizave. Një ndër kushtet kryesore është që Qeveria të dëshmojë konkretisht me numër të rasteve që janë dënuar për ‘Korrupsion’”, ka thënë Agani.

Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), ka thënë se është e vërtetë që Kosova ballafaqohet me korrupsion në nivele të ndryshme. Havolli ka pranuar po ashtu që ka korrupsion mjaft të lartë në shëndetësi. Ndonëse ka pranuar se që nga paslufta janë krijuar shumë mekanizma antikorrupsion, Havolli ka theksuar se këta mekanizma deri diku kanë kryer punën e vet, por nuk kanë arritur të jenë shumë efikas. “Kohët e fundit më 2015-n dhe 2016-n ka një progres që duhet t’i gëzohemi sa i përket luftës kundërkorrupsionit. Ka disa aktakuza të ngritura, janë mbi 17 aktakuza të ashtuquajtura profileve të larta që kanë kaluar në gjykatë. Presim nga gjykata të sjellë vendime të merituara dhe jo vendime sa për të thënë vendime”, ka thënë Havolli në konferencë.

Ndërsa, për kornizën ligjore ai është shprehur se Kosova ka kornizën ligjore të mirë sa i përket luftimit të krimit ekonomik, korrupsionit dhe atij financiar. “Pra, nuk ka mungesë të legjislacionit, është legjislacion i përafërt me BE..., por duhet vullneti politik dhe vullneti i zbatuesve të ligjit”. Havolli ka thënë se nuk është qëllimi të merren vetëm obligime ndaj BE-së, por, sipas tij, me ligj shoqëria është e obliguar ta luftojë korrupsionin. Madje ai ka paralajmëruar studentët se ka edhe në mesin e tyre që merren me korrupsion. “Prej këtu ju duhet të filloni, ta ngrini zërin”. Havolli ka thënë se viti 2016 është vit sfide për Kosovën dhe, sipas tij, më nuk do të lejohet të vazhdohet të shkojnë proceset në këtë mënyrë në vend.

Havolli u është drejtuar studentëve se kanë mundësi të kontribuojnë kundër korrupsionit. “Ka profesorë që shesin nota, ka ndërmjetësues studentë, pra prej organizatave studentore, jo të gjithë studentët e organizatat, por ka në mesin e tyre. Prandaj prej aty ju mund të jepni kontribut në fushën e arsimit”, ka thënë Havolli.

Korrupsioni, gjithandej

Edhe Ismet Kryeziu, nga KDI-ja, ka thënë se korrupsioni ndeshet në shëndetësi, në arsim, ikjen e taksave dhe fshehjen e taksave... “Dhe në lokale kur pini kafe dhe në bufe si studentë nuk ju jepet sot ende fatura, sot bizneset i ikin taksave, pra korrupsioni nuk është vetëm mitëmarrja ose vetëm nepotizmi, po ka disa elemente”. Ai ka thënë se në Kosovë ka mbi të gjitha mungesë të vullnetit politik.

“Shohim parti politike të cilat edhe sot kanë  kryetarë të komunave, deputetë nga radhët e tyre kanë në pozicione të larta shtetërore zyrtarë, të cilët janë të ndjekur ose të paditur ose të dyshuar për veprimtaritë e tyre për përfshirje e tyre në dukuritë korruptive”. Kryeziu ka thënë se qytetarët shpeshherë janë të shurdhër dhe vazhdojnë të votojnë njerëz, ndonëse dihet e ata janë të dyshuar për “Korrupsion”. Pastaj gjendja ekonomike, sipas tij, është pasojë e mungesës së investimeve apo investitorëve... “E dinë të gjithë se ka pasur raste që qysh në hapat e parë u është krijuar vështirësi dhe barriera duke kërkuar mitë dhe favore investitorëve,  të cilët kanë qenë të interesuar të investojnë  në Kosovë”, ka thënë Kryeziu.

Kurse Edmond Dunga, nga PECK II (Projekti kundër krimit ekonomik), i është drejtuar studentëve që t’i shfrytëzojnë kapacitetet e tyre në drejtim të aktivizimit të shoqërisë në aspektet që kanë të bëjnë me parandalimin e kundërkorrupsionit dhe përmirësimin e vlerave të shoqërisë.