KEDS me projekt në periferinë e Ferizajt

Ekonomia December 07, 2016 - 13:59

Investimet e Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS që po shtrihen në tërë Kosovën, tash e sa kohë po ndjehen edhe nga qytetarët e zonës së Anamoravës. Në këtë kuadër projekti i radhës që po implementohet në këtë anë është projekti i quajtur Kulla-Shkolla-Doganaj që ka shtrirje në periferinë e gjerë të komunës së Ferizajt.


Banorët nga ky investim i KEDS, përfitojnë tension stabil dhe furnizim kualitativ, elemente këto që ishin deficit për ekonomitë e këtushme me vite të tëra.

“Punimet në këtë pjesë kanë filluar në muajin prill të këtij viti dhe kanë përfunduar në muajin gusht. Në këtë fazë investimesh janë vendosur 86 shtylla betoni të tensionit të ulët, 7 mijë metra kabllo tensioni të ulët dhe është vendosur një Trafo 10/0.4 me fuqi 630 kVA”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Përfitues të këtij investimi, vetëm në këtë pjesë të Ferizajt, janë 145 ekonomi familjare e biznesore, me rreth 500 qytetarë.

Banor i Ferizajt, Sylejman Musliu, përfitues nga investimet e KEDS në këtë rajon, thotë se investimet e viteve të fundit kanë ndryshuar pozitivisht gjendjen e furnizimin stabil me energji.

“KEDS-i ka punuar, nuk është se veç janë parë këndej, por edhe kanë sjellë investime. Ne jemi të kënaqur me projektet e tyre, porse njeriu çdoherë kërkon edhe më tepër. Dhashtë Zoti të mos ndalen”, shprehet Musliu.

Në KEDS thonë se kjo është vetëm faza e parë e projektit dhe investime të tilla do të vazhdojnë. Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, konfirmon se me këtë projekt kanë rënë edhe humbjet, gjë kjo e cila drejtpërdrejt ndikon në rritjen e kualitetit me furnizim stabil.

“Me investimin në fjalë, dukshëm kanë rënë edhe humbjet në këtë pjesë të Ferizajt. Po ashtu mund të theksoi se edhe siguria është rritur”, përfundon Buzhala.

Image
Image
Image