Deponia, e rrezikshme

Ekonomia December 07, 2016 - 10:24

Deponia e mbeturinave, e cila gjendet në dalje të fshatit Zhur të komunës së Prizrenit, përkatësisht në rrugën që e lidh Prizrenin me komunën e Dragashit, ishte paraparë për materiale të ngurta, por ajo përdoret edhe për hedhjen e mbeturinave të tjera. Madje qytetarët po ankohen se kjo deponi po paraqet rrezik edhe për shëndetin e njerëzve, pasi që aty po gjuhen kafshë të ngordhura, lëkura, eshtra të kafshëve dhe mbeturina të tjera që kundërmojnë erë të keqe.

Edhe banorët e komunës së Dragashit po ankohen se gjatë kalimit të rrugës në ketë pjesë kundërmon erë e keqe, ndërsa banorët e fshatit Zhur të cilët gjenden më afër depos po frikësohen se për shkak të erës mund të vijë edhe deri të shfaqja e ndonjë epidemie.

Edhe zyrtarë të Komunës së Prizrenit janë në njohuri për këtë. Ata thonë se kjo deponi është e paraparë vetëm për materiale të ngurta. Këta po e pranojnë se në këtë hidhen edhe eshtra të kafshëve, prandaj edhe sipas tyre kundërmon erë e keqe. “Komuna është njoftuar për këtë çështje.

Po kundërmon erë e keqe për shkak të eshtrave të kafshëve të cilat gjuhen nga mishtoret. Por, gjuajtja e eshtrave është problem në nivel të Kosovës, nuk është vetëm në komunën e Prizrenit. Aty është paraparë të hidhen mbeturinat e ngurta siç janë: materialet ndërtimore, ndërsa mbetjet e tjera që janë të kuzhinës e tjera nuk ka arsye për t’u gjuajtur aty”, ka thënë Sulltan Badallaj, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit.  

Ai më tej ka thënë se së shpejti do ta vizojnë këtë deponi së bashku me zyrtarë të Ambientit për të parë gjendjen reale në këtë pjesë.

“Do të marrim masa dhe do të bëjmë edhe një vizitë me këta të sektorit të Ambientit. Unë personalisht kam pasur takim me personin që e menaxhon këtë pjesë, ku i kam dhënë vërejtje dhe e kam sugjeruar që të ketë kujdes për të mos pranuar çfarëdo mbeturine që nuk janë për në atë vend”, ka thënë ai.

Ndërsa Njazi Kabashi, banor i fshatit Zhur, është tejet i shqetësuar me kundërmimin e erës. Ai thotë se gjatë stinës së verës është shumë rrezik për hapjen e ndonjë epidemie. Ai thotë se kundërmimi i erës ndihet edhe në fshat.

“Edhe në fshat kundërmon erë e keqe për shkak se gjuajnë eshtra të kafshëve, mbeturina të tjera, me një fjalë çdo gjë gjuhet aty. Era është e madhe, është shumë rrezik se mundet të vijë shumë shpejt tek ndonjë epidemie. Ne nuk kemi bërë ankesa në Komunë, por nuk e di edhe kush e ka lejuar ketë deponi. Gjatë stinës së vërës nuk mundesh të qëndrosh, ndërsa tash situata është pak më e mirë për shkak të dimrit, po i mbulon bora mbeturinat” ka thënë ai. 

Edhe Faton Sinani, banor i komunës së Dragashit, thotë se gjatë kalimit në këtë rrugë kundërmon shumë erë.

Por Jakup Hoxha, nga fshati Zhur, i cili menaxhon me këtë deponi, ka thënë se mbeturinat mbulohen me dhe. Ai nuk e pranon se era kundërmon edhe në fshat. “Ne i mbulojmë mbeturinat edhe pse aty hidhen më së shumti mbeturina të ngurta, siç janë materiale të shtëpive, por edhe materialet e tjera që hidhen e mbulohen. Pasi të mbulohen nuk ka erë, se mbulohen me dhe. Nuk mundet të hapet ndonjë epidemi se ajo mbulohet me dhe. Këtu qytetarët kanë të drejtë të hedhin materiale të ngurta. Më mirë me një vend sesa të hidhen gjithkund”, ka thënë ai.