Maloku: Ndotja e ajrit mund të komplikohet, institucionet të ndërmarrin hapa emergjentë

Ekonomia December 06, 2016 - 16:20

Qendra për matjen e cilësisë së ajrit, e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë ka raportuar se ajri është jo i shëndetshëm për grupe të personave të ndjeshëm.

Kjo gjendje alarmante është raportuar edhe ditëve të kaluara, por institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarr asgjë në këtë drejtim.

Kryetari i Partisë së të Gjelbërve të Kosovës (PGJK), Daut Maloku për lajmi.net ka thënë se ka disa arsye pse ndotja e ajrit në Prishtinë është kaq e lartë.

Sipas tij, shkaktar për ndotjen e ajrit përveç gjendjes klimatike, është KEK-u dhe numri i madh i automjeteve në Prishtinë që nuk kontrollohen për gjendjen e tyre.

“Ajri është i ndotur për arsye klimatike, mirëpo edhe burimet e ndotjes janë të mëdha. Tani ndikimin më të madh sipas matjeve që po tregojnë është KEK-u natyrisht. Përqindjen më të madhe për ndotje hynë KEK-u, më pas është komunikacioni automobilat që janë 80 – 100 mijë automjete që e frekuentojnë, hyjnë dalin dhe qarkullojnë brenda 24 orëve nëpër Prishtinë”, u shpreh Maloku.

Maloku thotë, se institucionet duhet të bëjnë diçka në këtë drejtim pasi situata mund të komplikohet edhe më tej.

“Kjo ndotje do të ndikonte negativisht në shëndetin publik, rrezikohet jeta e njerëzve, e fëmijëve, e pleqve”, u shpreh për lajmi.net, kryetari i PGJK-së.

Maloku theksoi, se Ministria e Ambientit, Komuna e Prishtinës, Ministria e Punëve të Brendshme, duhet të ndërmarrin masa pasi nuk kanë ndonjë planifikim emergjent.

“Ministria e Ambientit, Komuna e Prishtinës, Ministria e Punëve të Brendshme, duhet të ndërmarrin masa pasi nuk kanë ndonjë planifikim emergjent se çka duhet të bëjnë. Kjo mund të ndikojë negativisht pasi përgjegjësit po presin që ketë erëra, të ketë reshje apo të ndryshohet klima, ndërsa vet nuk po bëjnë asgjë”, deklaroi ai.

Më pas, Malokut tha se ekzistojnë forma të ndryshme për të kontrolluar ndotjen e ajrit, por sipas tij duhet pasur kujdes pasi stina e dimrit nuk të lejon të ndalësh punën e disa burimeve pasi janë të nevojshme për ngrohje.

“Nëse situata e ndotjes së ajrit vazhdon dhe komplikohet situata, niveli i ndotjes rritet, atëherë ne nuk mundemi t’i ndalim termocentralet për momentin, pasi jemi në dimër dhe ato nevojiten për ngrohje.

Pra janë disa burime që janë të pandalshme siç është djegia e qymyrit tokësorë, vet-djegia ajo bëhet tash e disa dekada për fat të keq edhe dalin nga toka nja sasi e madhe e dyoksidit të karbonit që është i rrezikshëm dhe helmues”, tha ndër tjera ai.

Më tutje, Maloku tha “në anën tjetër, zvogëlimi i ndotjes se ajrit mund të bëhet me automobilat në komunikacion”.

“Poashtu të ftohen qytetarët për kujdes, ose me u bë një kontroll se ku po digjet për ngrohje familjare qymyr, ku ka ngrohtore lokale, kazantore të mëdha që lëshojnë shumë tym qymyri.”

Maloku në fund tha se ndotësit mund të kontrollohen, të apelohen dhe të ndalen.