Lagja e Qiraxhinjëve shpëton nga tensioni jostabil

Ekonomia October 25, 2016 - 09:21

Një prej prioriteteve të Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS për rajonin e Ferizajt, ka qenë edhe rrjeti elektrik në lagjen e Qiraxhnijëve. Është kjo një prej lagjeve të mëdha të Ferizajt, e identifikuar nga KEDS-i në mesin e
dhjetëra vendbanimeve të kësaj ane me probleme të tensionit të energjisë elektrike. Janë dhejtëra shtylla të reja betoni, kabllo e re dhe infrastrukturë përcjellëse energjetike, të cilat janë vendosur në këtë lagje.

 Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it thotë se investimi në këtë lagje ka qenë kërkesë imediate e kohës. “Investimi në këtë lagje ka qenë me prioritet nga ana jonë dhe vie në mesin e shumë investimeve që KEDS-i ka bërë dhe po bënë në këtë pjesë të Anamoravës. Përfitimet e konsumatorëve nga ky investim, janë shërbimet kualiteteve, tensioni stabil dhe rënia e
humbjeve”, thotë Buzhala.

Investimet nga KEDS-i janë mirëpritur edhe nga komuniteti i kësaj ane. Sylejman Musliu, banues në lagjjen e Qiraxhinjëve thotë se ka qenë koha më e duhur që KEDS të intervenojë këtu. “Gjithçka ka qenë e pasigurt dhe e stërvjetëruar. Investimi ka qenë mëse i mirëseardhur për neve. Banorët presin që KEDS të vazhdojë me projekte të tilla gjithnjë duke respektuar edhe kërkesat dhe përshtatjet tona si konsumatorë të regullt që jemi”, thotë Musliu.

Zëdhënësi i KEDS-it shtoi se pos këtij investimi dhe investimeve të tjera në Anamoravë, KEDS së fundi ka rritur kapacitetet e rrjetit në qytetin e Ferizajt, duke vendosur trafon e re të tensionit të mesëm prej 8 megavolt amperësh. Kjo sipas tij ka përmirësuar furnizimin me energji elektrike për mbi 30 për qind të ferizajasve. “Një trafo gjigante prej 14 mijë kilogramëve është vendosur në qytetin e Ferizajt. Ky
investim i KEDS-it në rrjetin e shpërndarjes ka eliminuar mbingarkesat në qytetin më të madh të Anamoravës”, përfundon Buzhala. Sipas tij, nga instalimi i trafos së re të tensionit të mesëm kanë përfituar direkt mijëra konsumatorë.