Amvisëritë bëjnë përpjekje të kursejnë rrymën, duke shfrytëzuar tarifat e natës

Ekonomia October 22, 2016 - 12:31

Me uljen e temperaturave, përdorimi i energjisë elektrike është dukshëm më i lartë, sidomos nëse e përdorim për t’i ngrohur hapësirat ku jetojmë. Mos përdorimi adekuat i pajisjeve elektrike sigurisht se do të shkaktojë një kosto shumë më të madhe se sa alternativat e tjera siç janë: biomasat drunore, gazi apo ngrohja qendrore. Ndikim në koston e energjisë elektrike ka edhe fakti se prej 1 tetorit ka filluar aplikimi i tarifave dimërore.

Banorët kryesisht shprehen të vetëdijshëm për ndryshimin e tarifave. Ata thonë se mundohen që t’i ndjekin udhëzimet e KEDS-it  për kursimin e energjisë elektrike, ndonëse disa prej tyre alternativa të tjera pos energjisë nuk kanë.

L. Bajrami, banore në lagjen Ulpiana, thotë se me rënien e temperaturave obligohet të përdorë ngrohjen me rrymë gjatë gjithë natës, pasi nuk janë të kyçur në rrjetin e Termokosit.

“Ditën rrallë here e lëshoj ngrohjen, gjatë natës e lëshoj kur rryma është me tarifë më të ulët dhe mundohem me e ruajt nxehtësinë edhe ditën pastaj. E përcjell edhe temperaturën dhe kur e vërej së qëndron mbi 20 atëherë i rri gati e ndali nxemjen”, thotë Bajrami.

Ajo thotë se përveç ngrohjes, energjinë elektrike e shfrytëzon edhe për përgatitjen e ushqimit.

“Shpesh herë mundohem t’i mënjanojë ato ushqime që kërkojnë kohë dhe shpenzim më të madh. Janë disa ushqime si mishi, fasulet e gjella të tjera që duhen orë të tëra për t’u përgatitur,  andaj shpesh këto i përgatis edhe në mbrëmje kur tarifat janë më të ulëta”, thotë ajo.

Pak më të lehtë duket se e kanë banorët që jetojnë në periferi të Prishtinës. Vjollcë Berisha thotë se për ngrohje dhe përgatitje të ushqimit gjatë gjithë sezonës së dimrit e përdorin shporetin me dru.

“Ne, ngrohjen qendrore e kemi me dru. Përveç ngrohjes, shporetin e përdorim edhe për zierje dhe ngrohjen e ujit”, thotë ajo.

Por përveç ngrohjes dhe përgatitjes së ushqimit, familjet kanë edhe nevoja tjera që kërkojnë aplikimin e paisjeve elektrike.

 “Janë disa pajisje si lavatriçja, bojleri, hekuri për hekurosje, fshesa elektrike etj, të cilat nuk kam qare pa i përdorë, mirëpo mundohem me bo zgjidhje. Disa punë, si për shembull larjen e rrobave dhe hekurosjen zakonisht i bëjë gjatë natës kur tarifa është më e ulët”, thotë Berisha.

Tarifat e energjisë elektrike ndryshojnë në ato të dimrit dhe verës, por edhe në ato të ditës dhe të natës.

Përveç tarifave ZRRE-ja aplikon çmime të ndryshme për tri blloqe të shpenzimit, siç mund të shihet në tabelën e tarifave.

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim-KEDS shpeshherë ka organizuar edhe  fushata vetëdijësuese për kursimin e energjisë elektrike, ndërsa udhëzimet për tarifat dhe mundësitë e kursimit janë vazhdimisht prezente në webfaqen dhe faqen e facebookut të kësaj kompanie.

Image
Image