Mustafa: Industria e drurit është fushë me identitet

Ekonomia October 20, 2016 - 08:25

Industria e drurit është fushë me identitet në Kosovë. Madje, në këtë lëmi jemi treguar të suksesshëm dhe konkurrentë në tregjet rajonale.

Kështu ka deklaruar kryeministri i vendit Isa Mustafa, i cili në konventën e parë të industrisë së drurit në Kosovë theksoi nevojën e shtrirjes së kësaj industrie edhe jashtë tregut vendor, në mënyrë që të ulet importi i kësaj lënde.

I pari i Qeverisë deklaroi se konkurrimin e kësaj lënde në tregun e Bashkimit Evropian e ka mundësuar Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, shkruan sot Gazeta Zëri.

“Nga kjo konventë, e cila konsideroj se ishte e nevojshme dhe do të jetë shumë rezultative për arsye se kemi kërkesa të tregut të jashtëm për produktet tona që janë treguar shumë cilësore, mirëpo lypset që ne t’i bashkojmë fuqitë brenda, të krijojmë sienergji të këtyre prodhueseve dhe të bëjmë kërkesat që janë jashtë. Përveçqë kemi potencialë të shkëlqyer të kësaj industrie dhe kjo do të kontribuojë shumë që ne t’i kemi bashkërisht prodhuesit tanë në tregjet e jashtme me cilësi dhe do të ndihmojmë që ne ta përmirësojmë bilancin tregtar”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Bordit të Shoqatës së Drurit, Hashim Deshishku, tha se USAID-i ka mbështetur mjaft sektorin e drurit si industri.

“Ky sektor absorbon një numër të punëtorëve dhe për këtë është e nevojshme që të investohet edhe më tej në këtë industri. Kosova ka potencial të madh të pyjeve dhe kërkoj nga Qeveria lirimin nga TVSH-ja për lëndën e parë që importohet nga vendet e huaja”, ka deklaruar Deshishku.

Me këtë rast drejtori i USAID-it, James Hope, theksoi nevojën e krijimit të partneritet me kompani të huaja për krijimin e vendeve të reja të punës.

“USAID-i është partner me Shoqatën që nga fillimi i 2004-s, përpunuesit e drurit vazhdimisht janë duke rritur teknologjinë më të avancuar dhe më moderne. Kjo i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Punimet nga druri në Kosovë janë mjaft cilësore dhe prezente në tregjet e BE-së”, tha Hope.

Po ashtu, në konventën e sotme u lansua edhe portali për promovimin e industrisë së drurit.

Tematika e konventës së industrisë së drurit ishte “Përpunimi i drurit në fokus trendet, teknologjia dhe mjedisi i biznesit”. /ZËRI/