Investitorët po ikin nga Kosova

Ekonomia September 30, 2016 - 07:48

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, investimet e huaja direkte në periudhën janar-qershor arrijnë vlerën e 97.5 milionë eurove, ndërsa gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2015 vlera e IHD-ve ishte 163 milionë euro

Investimet e huaja direkte në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë pësuar rënie.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, investimet e huaja direkte në periudhën janar-qershor arrijnë vlerën e 97.5 milionë eurove, ndërsa gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2015 vlera e IHD-ve ishte 163 milionë euro. Arbër Muhaxheri, drejtor në Drejtorinë për Promovimin e Sektorit Privat në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, ka thënë për gazetën “Zëri” se pavarësisht rënies së IHD-ve krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2016-s me periudhën e njëjtë të 2015, ai thotë se shohin potencial të rritjes së IHD-ve në 18 muajt e ardhshëm duke pasur parasysh ciklet e biznesit dhe planet e investimet shumëvjeçare të kompanive ndërkombëtare. “Duke u bazuar në këtë periudhë të publikuar në raport, IHD-të në Kosovë arrijnë vlerën e 97.5 milionë eurove. Ndërsa gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2015 vlera e IHD-ve ishte 163 milionë euro. Sektorët ku është investuar gjatë 2016-s ( janar-qershor )janë: patundshmëria, qiradhënia dhe aktivitetet tjera biznesore, shërbime financiare, energjetikë, shërbime tregtare, industri, bujqësi. Kurse, shtetet që kanë investuar më së shumti janë: Zvicra, Turqia, Shqipëria, Austria, SHBA-ja, Italia, Gjermania” ka thënë ai. Ai thotë se edhe gjatë kontakteve të vazhdueshme që kanë me investitorë potencialë vazhdimisht u pohohet përmirësimi i viteve të fundit në ambientin e të bërit biznes në Kosovë po shihet pozitivisht nga ta dhe që janë duke pritur përfitimet përfundimtare, të cilat do të dalin nga Ligji për Investime Strategjike.

Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë në vend kanë thënë se e tërë kjo ka ardhur pasi që

ambienti politik në Kosovë nuk garanton siguri të madhe për investitorët, nuk ka ofertë konkrete nga Qeveria dhe gati se është bllokuar tërësisht procesi i privatizimit të

ndërmarrjeve shoqërore.

Ibrahim Rexhepi, njohës i zhvillimeve ekonomike në vend, ka thënë se investitorët kërkojnë siguri dhe stabilitet, të cilin nuk e ofron situata aktuale.

“Ambienti politik në Kosovë nuk garanton siguri të madhe për investitorët, nuk ka ofertë konkrete nga Qeveria dhe gati se është bllokuar tërësisht procesi i privatizimit të

ndërmarrjeve shoqërore e atyre publike. Edhe pse Kosova është treg i vogël, megjithatë, për shkak të pozitës gjeografike që ka mund të jetë atraktive si vend transit për tregjet e tjera. Posaçërisht tash pas nënshkrimit të MSA-së. Mirëpo, investitorët kërkojnë siguri dhe stabilitet, të cilin nuk e ofron situata aktuale”, ka thënë ai. Sipas tij, që vendi të thithë më shumë investitorë Qeveria dhe Parlamenti duhet të instalojnë shtetin ligjor, të rritin efikasitetin e krejt institucioneve shtetërore, posaçërisht të gjyqësisë, të luftojnë në mënyrë konkrete korrupsionin, zhvatjen, informalitetin. “Mirëpo për ta bërë këtë, si Qeveria, ashtu edhe Parlamenti duhet të merren me individët brenda tyre, të cilët janë bartës të këtyre dukurive”, ka thënë ai.

Ndërsa Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomik Amerikane në Kosovë, ka thënë se sfidat e zbatimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit janë ndër faktorët kryesorë që po e pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe po pamundësojnë që vendi të tërheqë me së shumti investime të huaja direkte.