Largohen edhe gjashtë familje nga banesat e uzurpuara

Ekonomia September 27, 2016 - 08:28

Aksioni për lirimin e banesave të uzurpuara në lagjen “Dardania”, ka vazhduar edhe gjatë ditës së hënë. Me asistencë të Policisë së Kosovës, gjyqtari i rastit i ka larguar edhe gjashtë familje të tjera, duke e çuar në 12 numrin e familjeve të cilat me aktgjykim të Gjykatës Themelore të Prishtinës janë detyruar që t’i lirojnë banesat në të cilat ishin të strehuara që nga përfundimi i luftës.

Për dallim nga hera e kaluar kur u larguan gjashtë familjet e para, e që Policia hasi në rezistencë të banorëve, sot një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Incidenti i vetëm që ka ndodhur është ai kur dy banorë e kanë kanosur gjyqtarin e çështjes, ndërsa të dytë i arrestoi Policia, duke bërë kështu që aksioni për largimin e banorëve dhe gjësendeve të ndryshme nga banesat e uzurpuara ka vazhduar pa ndonjë incident tjetër.

Ndonëse, Gjykata Themelore e Prishtinës vendimin për largimin e banorëve nga këto prona të uzurpuara e kishte marrë në vitin 2008, ekzekutimi i këtij vendimi është bërë mbas tetë viteve. Duke e cilësuar vendimin e gjykatës si një vendim legjitim, kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore, Nexhat Kryeziu, ka thënë se këto banesa do t’iu kthehen pronarëve legjitimë.

Kryeziu: Banesat do t’u kthehen pronarëve

Sipas tij, punët ndërtimore në objektin banesor në ish-Rr.B 9/4(SU9/4) në lagjen “Dardania” në Prishtinë, kanë filluar në vitin 1995, objekt i cili është planifikuar të përfundohet në muajin maj të vitit 1999, mirëpo për shkak të luftës në Kosovë dhe pastaj për shkak të uzurpimit të jashtëligjshëm të pasluftës nga persona të ndryshëm, punimet në këto banesa ende nuk kanë përfunduar.

“Ndërmarrja Publike Banesore ka mbetur pa të drejtën e përfundimit të punimeve në këtë objekt në bazë të Projektit dhe Lejes Ndërtimore, si dhe dorëzimin e tyre bashkuesve të mjeteve për ndërtimin e këtyre banesave të cilët i kanë përmbushur obligimet ndaj ndërmarrjes, për shkak se të dyshuarit që nga paslufta në Kosovë në vitin 1999 i kanë uzurpuar banesat e sipërshënuara dhe si uzurpatorë i mbajnë në posedim këto banesa. Këto banesa i kanë tashmë pronarët legjitimë sipas kontratës së ndërtimit dhe as Ndërmarrja Publike Banesore dhe asnjë autoritet tjetër nuk ka kompetenca t’i anashkalojë këto kontrata të trashëguara prej vitit 1995”, ka thënë Kryeziu. Sipas tij, shfrytëzuesit jolegjitimë banesat i kanë adaptuar në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim të plotë me Projektin e Ndërtimit.

“Vlen të theksohet se shfrytëzuesit jolegjitimë, banesat i kanë adaptuar në kundërshtim me Projektin e Ndërtimit dhe në mënyrë joprofesionale. Intervenimet e tilla, jo vetëm që janë në kundërshtim me normat teknike dhe juridike të ndërtimit por paraqesin rrezik për shfrytëzuesit jolegjitimë të këtyre hapësirave, por edhe për qytetarët tjerë. Të gjitha veprimet e Ndërmarrjes kanë qenë në përputhshmëri të plotë me ligjet në fuqi dhe vendimet e Gjykatës”, ka thënë në fund Kryeziu.

Veseli: Asnjë uzurpator nuk do të lejohet të qëndrojë në prona të huaja

Ndërsa, në lidhje me largimin e banorëve nga banesat e uzurpuara ka folur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Sipas tij, asnjë uzurpator nuk do të lejohet që të qëndrojë në pronat e huaja, mirëpo ai nuk është ithtar i veprimeve policore veçanërisht në ditët me shi të vjeshtës. “Më lejoni të theksoj se asnjë uzurpator nuk do të lejohet të qëndrojë në prona të huaja. Por në të njëjtën kohë ka dhe një të drejtë universale veçanërisht kur ka të bëjë me fëmijët. Asnjë forcë e as forca e pushtetit nuk është mirë të abuzohet mbi familjarët dhe me njerëz hallexhinj. Uzurpatorët nuk do të kenë perspektivë në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe cenimi i njerëzve, i fëmijëve në rrethana kur janë johumanitare dikujt më duket po iu pëlqejnë shumë skenat e Sirisë dhe po thërret dhe për skena të luftës”, ka thënë Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka bërë të ditur në lidhje me asistencën e ofruar organeve të drejtësisë. Sipas Policisë, asistenca për largimin e banorëve nga banesat e uzurpuara është bërë me vendim të Gjykatës, dhe se ata kanë obligim ligjor që ta bëjnë një asistim të tillë. "Policia e Kosovës informon opinionin e gjerë dhe mediat, se duke u bazuar në shkresën zyrtare dërguar nga autoritetet kompetente, respektivisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë te Policia e Kosovës, me ç’rast është kërkuar asistencë në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë, janë ndërmarrë veprime ligjore për ofrimin e asistencës në ekzekutimin e vendimit sipas kërkesës dhe procedurave ligjore", thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës.

Gjatë aksionit për lirimin e këtyre banesave ishin prezent edhe përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Behxhet Shala nga KMLDNJ-ja ka thënë se kanë ata kanë dalë për të monitoruar aksionin e Gjykatës dhe Policisë dhe mënyrën se si ata po sillen me banorët gjatë largimit të tyre nga këto banesa. Shala ka thënë se ka kërkuar që vendimi për largimin e banorëve të shtyhet në një afat prej gjashtë muajve, në mënyrë që këtyre banorëve t’u ofrohet një zgjidhje.