Pezullohet nga puna inspektori i arrestuar për ryshfet

Ekonomia September 27, 2016 - 08:22

Rreth 10 mijë euro dyshohet të jetë vlera monetare që inspektori i punës në rajonin e Prishtinës, Muhamet Binaku, kishte kërkuar nga dëshmitari – i dëmtuari L.Z., kontabilist i një kompanie, që të mos ndëshkojë për disa parregullsi kompaninë ku i dëmtuari punon, për të cilat sipas të pandehurit kompania është dashur të ndëshkohej me gjobë prej rreth 350.000 eurosh.

Për këtë arsye Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të shqiptojë masën e paraburgimit për 30 ditë, ndërsa edhe Inspektorati i Punës e ka pezulluar përkohësisht nga puna. Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Punës, ka thënë për gazetën “Zëri” se ndaj Muhamet Binakut është ndërmarrë pezullimi i përkohshëm nga detyra, në bazë të Nenit 69 të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës. Ai thotë se si trup inspektues nuk kanë pasur më herët dyshime rreth tij, pasi që, sipas tij, edhe Inspektorati i Punës do të kishte marrë masa.

“Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, me datë 23.09.2016 rreth orës 16:00, është arrestuar Muhamet Binaku nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe për marrje ryshfeti (mitos). Të njëjtit me urdhër të Gjykatës Themelore (Departamenti i Krimeve të Rënda) i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ndaj tij, është ndërmarrë pezullimi i përkohshëm nga detyra në bazë të Nenit 69 të Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës. Sigurisht që nuk kemi pasur dyshime të tilla, përndryshe do të kishim ndërmarrë masa ndaj tij, apo edhe kujtdo qoftë tjetër”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, në një komunikatë për media nga Gjykata Themelore në Prishtinë, thuhet se kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve për të pandehurin Muhamet Binaku.

“Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të dt. 24.09.2016,  për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.B. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’ nga neni 428 par. 2 të KPK-së, me dt. 24.09.2016 ka mbajtur seancën e dëgjimit dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, madje duke filluar prej dt. 23.09.2016 deri me dt. 23.10.2016”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se arsye për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit M.B. është se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës disavjeçare, si person zyrtar në pozitën e kryeinspektorit të regjionit të Prishtinës, pranë Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, vazhdimisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar përfitim material, në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare ashtu që me datën 22 shtator 2016, nga dëshmitari – i dëmtuari L.Z., kontabilist i një kompanie ka kërkuar shumën prej 10.000 eurosh, që të mos ndëshkojë për disa parregullsi kompaninë ku i dëmtuari punon, për të cilat sipas të pandehurit kompania është dashur të ndëshkohej me gjobë prej rreth 350.000 eurosh, por një ditë më vonë, me datë 23 shtator 2016, rreth orës 16.00, është zënë në flagrancë nga ana e Policisë me rastin e marrjes së shumës së kërkuar të parave. “Me këto veprime inkriminuese ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’ nga Neni 428 par. 2, të KPK-së”, thuhet në komunikatë.