Shpërblehet me tender kompania me çmimin më të lartë

Ekonomia August 25, 2016 - 08:26

Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB) ka shpallur fitues të tenderit për “Furnizim me tabela” konsorciumin “G.S.G & KIG & KIG KGA” e ku vlera e ofertës ka qenë 1 milion e 477 mijë euro, edhe pse në garë ka pasur kompani që kanë ofruar çmim prej 552 mijë eurosh më të lirë

Kompania e cila ka ofruar çmimin më të lartë prej hiç më pak se 552 mijë eurosh sesa tri kompanitë tjera të cilat kanë qenë në garë është shpallur fituese e tenderit për “Furnizim me targa të automjeteve” për tre vjetët e ardhshme.

Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka shpallur fitues të tenderit konsorciumin “G.S.G & KIG & KIG KGA” e ku vlera e ofertës ka qenë 1 milion e 477 mijë euro, edhe pse në garë ka pasur kompani që kanë ofruar çmim prej 552 mijë eurosh më të lirë.

Mirëpo kontrata mes operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë dhe MPB-së nuk është nënshkruar ende, pasi të dy konsorciumet, të cilat janë cilësuar si të papërgjegjshme, kanë paralajmëruar se do të bëjnë ankesën në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Në njoftimin e MPB-së të publikuar në faqe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), të publikuar më 8 gusht të këtij viti, thuhet se në këtë proces ka konkurruar vetëm një kompani, e cila edhe është shpallur fituese e këtij procesi të Prokurimit.

Mirëpo në procesverbalin e hapjes së ofertave, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, shihet se në këtë proces Prokurimi kanë konkurruar katër konsorciume e ku konsorciumi “Sinjal RKS &EHA” ka ofertuar me çmim prej 895 mijë e 276 eurosh, “G.S.G & KIG & KIG KGA” ka ofertuar me çmim prej 1 milion e 447 mijë e 724 eurosh, “Malsija & I.D.K. Konstrukcion” ka ofertuar me 1 milion e 50 mijë e 300 euro, si dhe konsorciumin “G3 Inxhiniering & Rade Konçar” ka ofertuar me 1 milion e 99 mijë e 63 euro.

Referencë nga laboratori për kontrollimin e betonit

Më tej në dokumentet që ka arritur t’i sigurojë gazeta “Zëri” shihet sesi Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka shkelur kriteret, të cilat ajo vetë i ka vendosur në rastin e përzgjedhjes së konsorciumit në fjalë. 

Në ankesën që konsorciumi “G3 Inxhiniering & Rade Konçar”, e cila e ka bërë në Zyrën e Prokurimit në MPB e të cilin ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”, shihet të thuhet se certifikata që konsorciumi fitues e ka në dosje të tenderit është lëshuar nga laboratori “ZAG-Ljubljana”, i cili nuk është i akredituar sipas EA-së, ILAC-it dhe IAF-së për targa të automjeteve.

Po ashtu, në ankesa më tej thuhet se laboratori “ZAG-Ljubljana” nuk është i akredituar nga EA-ja, ILAC-i dhe IAF-ja ashtu siç është kërkuar në dosje të tenderit për testime në bazë të standardit “ISO 7591” për targa të automjeteve, por ka akreditim shtetëror të Sllovenisë për testime të elementeve të betonit dhe të elementeve tjera në ndërtimtari.

Kompania e cila është eliminuar nga gara ka pasur edhe ankesa tjera, të cilat i ka dërguar në Zyrën e Prokurimit të Ministrisë, por këta të fundit të gjitha këto ia kanë hedhur poshtë si të pabaza, duke lënë në fuqi vendimin e marrë për përzgjedhjen e konsorciumit “G.S.G & KIG & KIG KGA” si fituese të këtij tenderi milionësh.

Gazeta për këtë çështje ka kontaktuar me përfaqësuesin e kompanisë “G3 Inxhiniering & Rade Konçar” Shaban Hotin.

Ky i fundit ka konfirmuar se gjatë këtij procesi të Prokurimit ka pasur shkelje të shumta, ku për këto ka vendosur t’i drejtohet Organit Shqyrtues të Prokurimit.

“Për këtë çështje nuk dua të flas më shumë, ne jemi duke përgatitur ankesën për OSHP”, ka thënë shkurt Hoti përmes telefonit.

Por në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë për gazetën “Zëri” se kompania e rekomanduar për kontratë ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura në dosje të tenderit.

“Sipas kushteve të kërkuara në tender, po të gjitha kushtet janë plotësuar”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Zyra për Medie e kësaj Ministrie.

Një vit zvarritje

Për tenderin në fjalë për herë të parë njoftimi për kontratë është publikuar më 14 gusht të vitit 2015 e ku kriteret e vendosura kanë qenë të njëjta sikurse ato që kanë qenë tre vjet më parë.

Në bazë të dokumenteve të siguruar nga gazeta “Zëri” shihet se hapja e ofertave është bërë më 10 shtator të vitit 2015.

Në fillim dosjen e tenderit e kanë kërkuar 20 kompani, por ofertat në fund i kanë dorëzuar vetëm tri.

Konsorciumi “Malsija & EHA Hoffman Internacional” kishte ofertuar me 784 mijë euro, “KIG” me 776 mijë euro, si dhe “G3 Inxhiniering & Rade Konçar” me 758 mijë euro. Më 20 tetor 2015 Zyra e Prokurimit e MPB-së ka njoftuar konsorciumin “G3 Inxhiniering & Rade Konçar” se është eliminuar nga gara, për shkak se mostrat e dorëzuara nuk kanë qenë në përputhshmëri me specifikimet teknike të kërkuara me dosje të tenderit.

E pakënaqur me vendimin konsorciumi në fjalë është drejtuar me ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit e ku paneli shqyrtues më 2 dhjetor të vitit 2015 miratoi si të pjesërishme ankesën e konsorciumit dhe ku lënda duhet të kthehej në rivlerësim.

“Më datë 15.12.2015 MPB-ja ka publikuar njoftimin për anulim të aktivitetit të Prokurimit për arsye se janë pranuar më pak se dy tenderë të përgjegjshëm. Kjo do të thotë se dy konsorciumet tjera kanë qenë të përgjegjshme, por nuk e kanë bërë vazhdimin e validitetit dhe ne kemi mbetur si tenderuesi i vetëm i përgjegjshëm. Andaj, dyshojmë se kjo është bërë në pajtim në mes të dy operatorëve ekonomikë dhe MPB-së”, ka thënë Shaban Hoti, përfaqësues i konsorciumit “G3 Inxhiniering & Rade Konçar”.

Ai më tej thotë se të pakënaqur me vendimin në fjalë sërish i janë drejtuar me ankesë OSHP-së, por, sipas tij, tash këta të fundit kanë refuzuar ankesën e konsorciumit të tij, ndërkaq kanë aprovuar vendimin e Autoritetit Kontraktues.

Për mostrën e njëjtë, vlerësime të ndryshme

Shaban Hoti, përfaqësues i konsorciumit “G3 Inxhiniering & Rade Konçar”, thotë se  është për t’u habitur sesi Autoriteti Kontraktues për një mostër të njëjtë merr vendime të ndryshme.

Ai thotë se në mars të këtij viti kompania e tij është shpërblyer me tender për “Furnizim emergjent me targa”, pasi që ka ofruar çmim më të lirë sesa operatorët tjerë që kanë qenë në garë.

“Vendimi është i çuditshëm, unë me mostra dhe dokumente të njëjta në mars u shpalla fitues, ndërkaq tash të njëjtit njerëz me të njëjtat dokumente kompaninë time e shpallin të papërgjegjshme”, thotë për gazetën “Zëri”.

Hoti më tej bën të ditur se në përfundim të kontratës Autoriteti Kontraktues i ka lëshuar referencë për përfundim të suksesshëm të kontratës njëmujore.