Skenari për kontrollin e milionave

Ekonomia August 24, 2016 - 08:22

Vlora Obërtinca, drejtoreshë e Kartonit të Gjelbër në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), është larguar nga puna. Ndërkaq, Rifat Kelmendi, drejtor i Departamentit Juridik dhe Administratës në këtë institucion, është suspenduar nga puna në mënyrë të jashtëligjshme. Në vend të tyre janë emëruar njerëz të dëgjueshëm të drejtorit

Vetëm gjashtë ditë para përfundimit të mandatit, Faton Abazi në cilësinë e drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), ka suspenduar nga puna Rifat Kelmendin, drejtor i Departamentit Juridik dhe Administratës në këtë institucion.

Ndërkaq, kohë më parë nga Byroja Kosovare e Sigurimeve është larguar nga puna edhe Vlora Obërtinca, drejtoreshë e Kartonit të Gjelbër. Në vend të tyre janë emëruar njerëz të dëgjueshëm të ushtruesit të detyrës së drejtorit aktual Gani Thaçit.

Në vendimin që e ka siguruar gazeta shihet se ky i fundit erdhi në këtë pozitë më 24 qershor të këtij viti me vendim të asamblesë, ndonëse në hierarki të BKS-së edhe pesë drejtorë ishin para tij.

Burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se në pozita kyçe po emërohen njerëz të tyre të besueshëm për kontrollimin sa më të mirë të mjeteve që inkason BKS-ja nga shitja e policave kufitare.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se nga fillimi i vitit e deri më tash BKS-ja ka mbledhur më shumë se 7 milionë euro, ndërkaq nga përfundimi i luftës e deri më tash në emër të policave kufitare janë grumbulluar më shumë se 200 milionë euro mjete këto që janë shpenzuar larg syve të opinionit.

Shpiket pozita për Laura Hotin

Më tej burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se kohë më parë është shkarkuar nga pozita Vlora Obërtinca, e cila ka mbajtur pozitën e drejtoreshës së Kartonit të Gjelbër në Byronë Kosovarë të Sigurimeve, ku në vend të saj është emëruar Edona Ahmeti e cila është e dashura e djalit të Gani Thaçit.

Mirëpo, pas publikimit të një hulumtimi nga portali “Insajderi”, kjo e fundit ka dhënë dorëheqje nga pozita që është emëruar, por edhe më tutje e njëjta mbetet punëtore e BKS-së.

Më 15 qershor të këtij viti po ashtu nga puna është suspenduar edhe Rifat Kelmendi, drejtor i Departamentit Juridik dhe Administratës në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

“Sikurse Vlora Obërtinca, ashtu edhe Rifat Kelmendi kanë bërë ankesa për t’u kthyer në vendet e tyre të punës, por çështjen po e zvarrit Gani Thaçi. Ai në pozita kyçe siç janë këto dyja po dëshiron të ketë njerëz të tij të besueshëm”, bëjnë të ditur burimet e besueshme të gazetës brenda BKS-së.

Më tej të njëjtat burime bëjnë të ditur se në ditën kur është shkarkuar Kelmendi, Laura Hoti e cila deri në këtë kohë ka punuar në departamentin e Kartonit të Gjelbër ka kaluar në pozitën e re, e cila nuk ka ekzistuar në skemën organizative të BKS-së. Kjo është emëruar zëvendësdrejtore e departamentit, ndërkaq në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit është emëruar Dren Paca, i afërm me djalin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

“Ky është departament tepër i rëndësishëm sepse deri më tash shuma e mjeteve që nuk u janë kompensuar palëve të dëmtuara me vendim të gjykatave ka arritur në rreth 20 milionë euro”, bën të ditur më tej burimi i gazetës “Zëri”.

Gazeta për këtë çështje ka provuar të kontaktojë gjatë gjithë ditës me Obërtincën por kontakti me ta përmes telefonit ka qenë i pamundur. Po ashtu, gazeta ka provuar të kontaktojë edhe me Kelmendin, por edhe ky nuk është përgjigjur në numrin e tij të telefonit.

Vendimi në kundërshtim me kompetencat e drejtorit

Shkeljet për shkarkimet dhe më pas emërimet në Byronë janë evidentuar edhe nga zyra e auditorit të brendshëm.

Në një raport të auditorit që ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri” thuhet se duke u bazuar në vendimin me nr. 882∕16 të datës 15.06.2016, drejtori ekzekutiv i BKS-së transferon Laura Hotin nga Departamenti i Kartonit të Gjelbër në Departamentin Juridik dhe të Administratës, ku e njëjta caktohet në pozitën zv. drejtoreshë e Departamentit Juridik dhe Administratës. 

“Ky vendim thuhet se bazohet në kërkesën e drejtorit të Departamentit Juridik dhe Administratës me datë 14.06.2016. Pasi që drejtori i Departamentit i përmendur në këtë vendim, nuk është në atë pozitë, si dhe gjendet në pushim mjekësor ka konfirmuar me telefon se nuk është kërkesë e tij ashtu siç shkruan në vendim, pasi që ai ka paraqitur kërkesë për rikthimin e punëtores së lartpërmendur në pozitën e përfaqësueses në gjykata. Mbetet të konfirmoj me letër si dëshmi kur të kërkohet nga Këshilli Administrativ. Kjo njëkohësisht paraqet rritje të shpenzimeve me buxhetin e vitit 2016”, thuhet në raportin e Auditorit të siguruar nga gazeta “Zëri”. Sipas Auditorit, transferi i stafit prej një departamenti në tjetrin dy herë brenda një viti paraqet dështim të menaxhimit, vendosje e gabuar nga një pozitë në tjetrën. Ai më tej konstaton se mbetja e vendit bosh në departamentin tjetër ka shkaktuar mosmbulim të seancave gjyqësore pasi që punëtorja ka qenë përfaqësuese në gjykata. Rreziku i shkeljes së rregullores së brendshme për sistematizimin e vendeve të punës në Byro – ku nuk është e përcaktuar pozita e zv.drejtorit të Departamentit Juridik dhe Administratës, statutit të BKS-së, kompetencat e drejtorit ekzekutiv, ku në nenin 23, pika 3, thuhet: emëron personelin e administratës në Byro në përputhje me strukturën e miratuar nga Këshilli Administrativ, me përjashtim të drejtorëve të departamenteve. Ky Vendim është në kundërshtim me kompetencat e drejtorit ekzekutiv në BKS. Në Departamentin Juridik është e domosdoshme vendosja e përfaqësuesve në gjykata, për mbulimin e seancave e jo zv.drejtorëve kur dihet se është pozita e shefit të Departamentit”, thuhet më tej në raportin e Auditorit.

Pozitë e re edhe për Hotin

Më tej në raportin e Auditorit të Brendshëm thuhet se duke u bazuar në vendimin me nr. 890∕16 të datës 15.06.2016, drejtori ekzekutiv i BKS-së transferon Dren Hotin nga pozita përfaqësues në gjykata në pozitën shef i Fondit të Kompensimit.

Sipas Auditorit, ky vendim thuhet se është marrë me kërkesë të drejtorit të Fondit të Kompensimit dhe dëmeve.

“Për vendosjen dhe emërimin e personelit në administratë të Byrosë është përgjegjës me statut neni 23 drejtori ekzekutiv i BKS-së në përputhje me strukturën e miratuar nga Këshilli Administrativ. Nuk ka vendim të KA për strukturën e departamenteve të Byrosë, përveç Rregullores së brendshme për sistematizimin e vendeve të punës, ku nuk është e përcaktuar pozita e shefit të fondit të kompensimit. Pozita shtesë i rrit shpenzimet e pagave të punëtorëve në buxhetin e vitit 2016”, thuhet në raportin e Auditorit.

Më tej Auditori ka konstatuar se ky Vendim nuk është në përputhje me rregulloren e brendshme si dhe nuk është në përputhje me kërkesat reale që ka Byroja, kur dihet se mbi 1000 lëndë kanë kaluar në gjykata, si dhe me këtë vendim është anashkaluar Departamenti Juridik dhe Administratës pasi që mbetet edhe pa një përfaqësues në gjykata.

“Në departamentin e Fondit të Kompensimit dhe Dëmeve është e plotësuar pozita e shefit të departamentit, prandaj një pozitë tjetër shtesë është e paarsyeshme dhe e panevojshme”, thuhet në raportin e Auditorit.