4,5 milionë euro për ndërtimin e liqenit artificial në Mitrovicë

Ekonomia August 18, 2016 - 08:24

Deri në fund të këtij viti do të përfundojë ndërtimi i liqenit artificial në Suhadoll të Mitrovicës, i cili me një infrastrukturë të rregulluar mirë do të ofrojë pamje jashtëzakonisht të bukur, ndërsa njëkohësisht do të jetë pikë turistike që do të tërheqë numër të madh të vizitorëve.

Hartuesit e projektit, i cili ka koston prej 4.5 milionë eurosh, kanë siguruar se pushuesit kosovarë, nga vera e ardhshme mund të shijojnë plazhet, pushimoret, shëtitoret, madje edhe restorantet e kafenetë, ndërkohë që do riaktualizohet edhe sporti i lundrimit, i cili dikur ishte një prej sporteve kryesore në qytetin buzë Ibrit.  Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka takuar përfaqësuesit e kompanisë “Bajraktari”, e cila kryen punimet, si dhe ata të kompanisë “AlbArchitect” që mbikëqyr realizimin e projektit, ka thënë se ndërtimi i liqenit akumulues artificial në Suhadoll të Mitrovicës, përgjatë lumit Ibër, ka rëndësi të veçantë për turizmin në Mitrovicë.

“Kemi të bëjmë me një projekt shumë të rëndësishëm, një prej projekteve më të mëdha që realizohet në Mitrovicë. Mitrovicasit shpesh e kanë shfrytëzuar lumin Ibër, përkundër ujit të ftohtë, si përgatitje për verime në det, ndërsa veçanërisht është shfrytëzuar nga qytetarët që nuk kanë pasur mundësi të shkojnë e të pushojnë në bregdet. Lumi ofron mundësi shumë të mira, por tani me ndërtimin e liqenit akumulues rrjedhës dhe të plazheve, të pushimoreve e shëtitoreve, qytetarët mitrovicas, por edhe ata të komunave të rajonit të Mitrovicës e të Kosovës do të kenë kushte jashtëzakonisht të mira për të pushuar, për t’u freskuar gjatë ditëve të verës dhe për të bërë plazh, pa shpenzuar shumë buxhetin familjar”, ka vlerësuar kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Gjatësia e liqenit 1,8 kilometra

Projekti i ndërtimit të liqenit në Suhadoll financohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me 4.5 milionë euro. Liqeni ka gjatësi prej 1.8 kilometra, gjerësi deri në 150 metra dhe thellësi deri në 3 metra. Agim Radoniqi, drejtor i DPH-së, ka thënë së punët kryesore të parapara me projekt kanë përfunduar, ndërsa tani ka mbetur të shpronësohen disa prona komunale që shfrytëzohen ilegalisht, për të cilat kryetari i Mitrovicës, ka premtuar “se do të merren të gjitha masat e parapara ligjore për largimin e tyre nga hapësirat ku do të shtrihet liqeni, në mënyrë që projekti në fjalë të realizohet sa më parë dhe të mos ketë më vonesa”. Radoniqi ka ripërsëritur se liqeni që është duke u ndërtuar do të mundësojë që qytetarët e komunës së Mitrovicës, por edhe ata të rajonit, gjatë ditëve me vapë të verës të gjejnë freski aty.

Ndryshe, nëse më parë nuk ka qenë e mundur të shëtitej me varka në këtë lumë, kjo do të bëhet e mundur në vitin që vjen, ngase punimet në shndërrimin e një pjese të lumit Ibër në një liqen akumulues rrjedhës përfundojnë deri në fund të këtij viti. Me liqenin, Mitrovica ka planifikuar që qytetarëve të saj t’u ofrojë diçka të re dhe ndryshe, thonë në komunën e Mitrovicës, të cilët sigurojnë se ky projekt u ofron qytetarëve plazhe, pushimore dhe shëtitore përgjatë lumit Ibër në të dy brigjet e tij. Sipas tyre, janë 1.82 kilometra hapësirë që do t’i përfshijë liqeni.

Liqeni kalon në 3 fshatra

Liqeni akumulues shtrihet në hapësirën nga Suhadoll përgjatë rrjedhës së lumit Ibër, nëpër Zhabar e deri në Gushavc e Vinarc.  Ai do të jetë i tipit rrjedhës, ku në shtratin e tij do të vendosen goma në lartësi prej 3 metra, ku uji do të rrjedhë mbi to dhe liqeni pothuajse në çdo kohë sa i përket ujit do të jetë i pastër.

“Kemi pasur degradime të brigjeve të lumenjve, por tash po bëhet rregullimi i tyre. Kjo që po bëhet tani është faza e fundit, e ku do të bëhen edhe dy liqene që nga ura e Ibrit deri në fshatin Koshtovë”, kanë thënë në Komunën e Mitrovicës. Qytetarët e komunës së Mitrovicës dhe të komunave të rajonit, por edhe ata të Kosovës, të cilët kanë buxhet familjar të vogël, do të mund t’i kryejnë pushimet verore në liqenin akumulues të Mitrovicës, pa pasur nevojë që të shkojnë në bregdet. Është parashikuar që përveç ujit, pushuesit mitrovicas ta kenë mundësinë t’i shijojnë edhe plazhet, pushimoret, shëtitoret, madje edhe restorantet dhe kafenetë, të cilat tashmë kanë filluar të ndërtohen. Një risi tjetër dhe ekskluzive është ajo e sportit të kajakut-lundrimit, ndërsa qytetarët do të mundë të lëvizin edhe me varka përgjatë lumit. Shumë kohë përpara në qytetin e Mitrovicës, pikërisht në lumin Ibër janë zhvilluar gara sportive në sportin e kajakut-lundrimit me varka në ujë, gjë që dëshmohet edhe me shumë tituj që ka fituar atëherë Klubi i Kajakut “Trepça”, që pritet sërish të aktivizohet dhe të bëhet atraksion për qytetarët dhe qytetin e Mitrovicës.

Qeverisja aktuale e Mitrovicës ka investuar dhe vazhdon të investojë në mbrojtjen dhe ruajtjen e ambientit, në qytetin më të ndotur në Kosovë, ndërkohë që përfundimi i këtij projekti të rëndësishëm, i cili ka filluar gjatë qeverisjes me Mitrovicën të Avni Kastratit, përveçqë do të ofrojë mundësi të rekreacionit, sportit të lundrimit, plazhe, pushimore, shtigje për ecje, vrapim e çiklizëm, do të gjenerojë edhe vende pune për të rinjtë e Mitrovicës.