MPB-ja nuk dorëzohet ndaj vendimit të Arbitrazhit

Ekonomia July 30, 2016 - 08:38

Kosova do të zhvillojë një “luftë” të komplikuar ligjore që të mos ia paguajë rreth 5 milionë euro kompanisë austriake “AG Staatsdruckerei” pas vendimit të Gjykatës së Odës Ndërkombëtare Ekonomike në Paris, vendim i cili obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që t’ia paguajë 4 milionë e 996 mijë e 131 euro kësaj kompanie.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të premten në një konferencë për medie kanë thënë se çështja është shumë serioze sepse vendimi i Arbitrazhit në një formë cenon kredibilitetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, po ashtu edhe të Qeverisë së Kosovës.

Por, pavarësisht vlerësimeve të Gjykatës së Arbitrazhit, Gazmend Nushi, avokati që e ka përfaqësuar MPB-në në këtë proces, i cili është zhvilluar në mes të Republikës së Kosovës dhe shtypshkronjës shtetërore austriake “AG Staatsdruckerei”, ka thënë se ky vendim në kuptimin e procedurës së Arbitrazhit nuk është i apelushëm dhe nuk mund të ankimohet në ndonjë fazë apo në ndonjë instancë më të lartë.

Rast unik në Evropë nga Arbitrazhi 

Nushi nuk ka përmendur ndonjë rast të tillë në rajon ose në Evropë, në të cilin vendimi i Arbitrazhit të mos jetë njohur nga institucionet gjyqësore vendore.

“Ky vendim i Arbitrazhit në kuptimin e procedurës nuk është i apelushëm dhe nuk mund të ankimohet në ndonjë fazë apo në ndonjë instancë më të lartë të Arbitrazhit, por nisur nga Konventa e Nju-Jorkut 1954 për njohjen e vendime të Arbitrazhit dhe dispozita e ligjore, MPB-ja do ta nisë procedurën së pari për anulimin e këtij vendimi ashtu siç e kemi nisur edhe në vitin 2014 procedurën para Gjykatës vendore për anulimin e vendimit, të cilin tribunali i Arbitrazhit, i cili është shpallur si kompetent për të vendosur në këtë çështje”, ka thënë ai

Po ashtu, sipas Nushit, duhet pritur inicimin e procedurës nga ana e kompanisë austriake për njohjen e ekzekutimit të vendimit. “Do të thotë se fjalën përfundimtare se a do të ekzekutohet ky vendim apo nuk do të ekzekutohet do të japë gjykata kompetente vendore”, ka thënë ai.

Ai thotë se afati 14-ditor është keqinterpretuar nga mediet dhe nga opinioni i gjerë sepse ky vendim i tillë çfarë është momentalisht i nënshtrohet njohjes nga instancat ligjore vendore dhe përderisa gjykatat vendore të Kosovës nuk e njohin këtë vendim, sipas tij, ky vendim nuk prodhon asnjë efekt juridik në zbatimin e saj.

Ministria po e shqyrton shumë seriozisht rastin

Ndërsa Driton Gashi, sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka thënë se Ministria është duke e trajtuar shumë seriozisht vendimin e Arbitrazhit.

“Çështja është shumë serioze sepse vendimi i Arbitrazhit në një formë cenon kredibilitetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse sa është serioze tregon edhe puna që po e bëjmë dhe angazhimet që i kemi qoftë në avokatë privatë, qoftë me zyrtarë të Ministrisë. Se sa është fajtore Ministria në këtë çështje kemi një vendim gjykate përfundimtar, i cili përcakton fajtorin e kësaj ngjarjeje”, ka thënë ai.

Sipas tij, çështjet kontestuese të cilat ne i konsiderojmë kontestuese sepse nëse Natali Veliaj ka mashtruar me 1 milion e 400 mijë euro MPB-në, por edhe kompaninë austriake, tashmë Arbitrazhi në një gjuhë tjetër thotë “se ato 1.4 milion euro që kompania austriake nuk i ka marrë prej përfaqësuesit të saj duhet ta kompensoni ju si MPB”.

“Kjo është pak a shumë ajo që e kuptojmë ne deri më sot. Sigurisht se ne nuk do të dërgohemi në këtë çështje dhe derisa të arrijmë tek pika përfundimtare”, ka thënë ai.

MPB-ja e bën fajtore Natali Veliajn  

Ndryshe, avokati Nushi thotë se Ministria e Punëve të Brendshme e ka mundësinë ligjore që ta nisë procedurën civile të kompensimit të dëmit për tërheqjen e 1 milion e 400 mijë eurove ndaj kompanisë së Natali Veliajt sepse ajo me aktgjykim të plotfuqishëm në Gjykatën e EULEX-it është shpallur fajtore dhe është dënuar për kompozimin e këtij borxhi.

Ndryshe, në vitit 2013 shtypshkronja shtetërore e Austrisë kishte ngritur padi në Gjykatën e Odës Ndërkombëtare Ekonomike në Paris kundër Republikës së Kosovës. Arsyet e ngritjes së padisë ishin pagesat e pakryera rreth prodhimit të pasaportave biometrike, sikurse kërkesa për kompensim për shkak ndërprerjes së parakohshme të kontratës nga ana e Republikës së Kosovës.