“Trepça” do të prodhojë 1 milion tonë xehe në vit

Ekonomia July 29, 2016 - 08:29

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, në një intervistë për gazetën “Zërin” u ka bërë apel institucioneve të shtetit që sa më parë ta miratojnë Ligjin për “Trepçën”, i cili garanton statusin zhvillimor, në mënyrë që më të mos punohet më me logjikën e mbijetesës. Ai garanton se me definimin e statusit, “Trepça” do të jetë fuqi reale ekonomike në vend

Zëri: Si është gjendja aktuale në “Trepçë”?

Tmava: “Trepça” tani është me një status të mbijetesës, nuk është status zhvillimor. Në vazhdën e obligimeve tona që na takojnë, ne kemi bërë të gjitha përgatitjet, punët, angazhimet, sugjerimet profesionale që të vijë deri te një status zhvillimor. Kemi pasur takime të shumta me nivelin qendror, me bartësit e institucioneve, qoftë të Qeverisë apo të Parlamentit, dhe pasi kemi bërë edhe tryeza shkencore, me gjithë potencialin kuadrovik që është brenda dhe jashtë, e që janë të lidhura me “Trepçën”, kemi dalë me konkluzione dhe rekomandime mbi statusin zhvillimor çfarë duhet ta ketë “Trepça”, sugjeruar me një konsensus maksimal të të gjithë potencialit kuadrovik. Pastaj pasoi formimi i një komisioni ndërministror për një draftligj për statusin e “Trepçës”, kemi qenë edhe ne edhe përfaqësuesi i Sindikatës, kuadrot e tjera të “Trepçës” dhe përfaqësues të institucioneve qendrore. Është bërë një draftligj i cili është përcjellë në Qeverinë e Kosovës dhe tani presim procedimin e tij në Kuvendin e Kosovës. Kemi një dakordim dhe konsensus të të gjitha subjekteve politike dhe grupeve parlamentare që Ligji për ‘Trepçën” të trajtohet me emergjencë dhe konform interesave të vendit. Draftligji i ka arritur objektivat që i pretendojmë për një status zhvillimor dhe presim që sa më shpejt ligji të miratohet.

Zëri: Ligji që përcakton statusin, a është i vlefshëm edhe për “Trepçën” në veri?

Tmava: “Trepça” është një, është një tërësi dhe ligji në njëfarë forme parasheh një Strategji zhvillimore të shfrytëzimit dhe përpunimit të krejt resurseve minerale të plumbit dhe zinkut që janë në Kosovë dhe si i tillë “Trepçës” i jepet mundësia e një statusi zhvillimor, jo vetëm me eksploatim dhe prodhim të koncentratit, por duke gjetur edhe alternativa zhvillimore të aktivizimit dhe rivitalizimit të njësive të tjera përpunuese.

Zëri: Aktualisht, sa prodhohet koncentrat i plumbit dhe zinkut në “Trepçë”?

Tmava: Tremujori i parë ka qenë jashtëzakonisht i mirë, në të gjitha njësitë, edhe në Artanë edhe në Stan Tërg. Pastaj kemi pasur një stagnim në minierën e Stan Tërgut, kurse në Artanë prodhimi ka shkuar shumë mirë. Por, edhe në minierën e Stan Tërgut, falë angazhimit maksimal të punëtorëve prodhimi është duke ecur, ndoshta jo me ata parametrat e kënaqshëm, por një prodhim në suaza të posedimit të teknologjisë dhe kushteve të punës. Jemi në përpjekje maksimale që prodhimi të jetë sa më i madh i mundshëm, sepse tek e fundit mbijetesa është nga të hyrat që krijohen nga prodhimi dhe shitja e koncentratit. Më konkretisht, në Stan Tërg prodhohet prej 11000 deri në 12000 tonë në muaj, ndërsa në minierën e Artanës 6 mijë tonë dhe ky është ai potenciali prodhues që për momentin është duke u realizuar.

Zëri: Si është duke ecur shitja e koncentratit të plumbit dhe zinkut?

Tmava: Shitja e koncentratit bëhet me procedurat në bazë të tenderëve ndërkombëtarë. Fillimisht shpallet tender ndërkombëtar dhe koncentrati u shitet kompanive që ofrojnë kushte më të mira. Për momentin është një kompani bullgare që blen koncentratin e plumbit dhe një kompani indiane që blen koncentratin e zinkut. Tani, brenda 2-3 muajve do të shpallet tenderi ndërkombëtar për shitjen e koncentratit për vitin që vjen.

Zëri: A keni informata, a është duke funksionuar shkritorja në Zveçan?

Tmava: Në kuadër të statusit zhvillimor dhe draftligjit, ato duhet të rivitalizohen sepse janë jashtë funksionit. Mirëpo me një studim të detajuar, definimi i statusit të “Trepçës”, sipas draftligjit të propozuar duhet të niset me alternativen e rivitalizimit dhe të shkohet mbi mënyrën e investimeve për t’i funksionalizuar edhe shkritoren në Zveçan, por edhe njësitë tjera.

Zëri: Sa është investuar deri më tani në “Trepçë”?

Tmava: Meqenëse kemi të bëjmë me një situatë, kur shumë njësi janë jashtë funksionimit, atëherë Qeveria, për shkak të problemeve të shumta dhe mosdefinimin e statusit zhvillimor, ka investuar në disa projekte kapitale. Janë kryesisht projekte përgatitore në mënyrë që të përgatitet dhe të bëhet përcjellja e dinamikës së prodhimit.

Zëri: A është investuar edhe në riparimin e teknologjisë së vjetër?

Tmava: Të them se dikur janë prodhuar rreth 700 mijë tonë xehe në vit vetëm në minierën e Stan Tërgut, ndërsa tani Artana bashkë me Stan Tërgun i prodhojnë rreth 200 mijë tonë në vit. Shihet pra se nuk jemi as përafërsisht atij prodhimi që është fuqi reale e mundshme, mirëpo që të shkohet në një dinamikë të prodhimit, mendoj se me definimin e statusit, prodhimi do të jetë më së paku 1 milion tonë në vit dhe kjo bazë e prodhimit mbi 1 milion tonë të eksploatuar të xehes e krijon bazën perfekte për planifikim të investimeve në aktivizim të metalurgjive. Parashikohet një periudhë kohore prej 3 deri në 5 vjet që të arrihet deri te ajo dinamikë. Kështu që them se masa e investimeve në përgatitje dhe investimeve në teknologji për të ardhur deri te një prodhim më dinamik nuk ka pasur, sepse statusi është i tillë çfarë është.

Zëri: Sa është paga mesatare dhe a sigurohen pagat e punëtorëve nga shitja e koncentratit?

Tmava: Vitin e kaluar kemi pasur probleme të jashtëzakonshme me mungesë të licencës, si pasojë e moskompletimit të Bordit të KPMM-së, dhe kjo ka bërë që të kemi humbje, mirëpo mobilizimi i shtuar ka bërë që të mbijetojmë, edhe po mbijetojmë dhe asnjëherë, asnjë ditë nuk është vonuar paga e punëtorëve deri më tani. Paga mesatare e minatorëve të Minierës me Flotacion është 625 euro.

Zëri: A keni informacione sa është prodhimi në “Trepçën” në veri?

Tmava: Ajo është një njësi në kuadër të “Trepçës”, që vepron dhe i raporton AKP-së. AKP-ja i ka të dhënat e sakta mbi sasinë e prodhimi të xehes në atë pjesë. Edhe ata prodhojnë koncentrat të plumbit dhe të zinkut. Për momentin janë tri flotacione në nivel të “Trepçës”, Flotacioni në Tunel të Parë, në Kishnicë dhe Flotacioni në Leposaviq. Do të thotë, AKP-ja i ka të dhënat e sakta për dinamikën e prodhimit në pjesën veriore të “Trepçës”.