Dosier

Fotografi e rrallë, tryeza e ushtarëve të UÇK-së

Fotografi e rrallë, tryeza e ushtarëve të UÇK-së
26 shtator 2018 • 22 : 09

Publikohet një fotografi e rrallë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në llogarinë e tij në ''Facebook'' ka publikuar një fotografi të vjetër historike.

Në këtë tryezë janë gjashtë ushtarët e orëve të para të UÇK-së, bartës të organizimit të luftës çlirimtare në Dukagjin e Kosovë, si Tahir Zemaj, Hasan Zukaj, Saim Tahiraj, Muharrem Tafaj dhe Sali Çekaj.

Sipas tij, kjo fotografi e gjallë është një referencë historike që dokumenton mundin e luftetarëve të pamposhtur, e të kësaj elite largpamëse të kombit që bëri historinë e shekullit të shqiptarëve.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Viqidol i Tropojës/ Shqipëri, qershor 1998.

Sipas traditës së malësisë së Tropojës/ Shqipëri: “Shtëpia është e Mikut dhe e Zotit.

Bukë krypë e zemër!”

Në fotografi, rreth kësaj tryeze të shtruar shqiptarqe sipas traditës dhe rrethanave të kohës janë gjashtë ushtarët e orëve të para të UÇK-së, bartës të organizimit të luftës çlirimtare në Dukagjin e Kosovë

Është kjo fotografi e gjallë një referencë historike që dokumenton mundin e luftetarëve të pamposhur, e të kësaj elite largpamëse të kombit që bëri historinë e shekullit të shqiptarëve.

Këtu shihen, nga e djathta:

1. Heroi i Kosovës Tahir Zemaj, ushtaraku karizmatik e i përgatitur me dije dhe fizikisht për çlirimin e Kosovës, që u vra pabesisht më 2003 nga mafia me mantel politik,

2. Hasan Zukaj, një luftëtar sypatrembur që la luksin e Zvicrës dhe erdhi e u dëshmua trimërisht në luftë,

3. Saim Tahiraj, i ulur këmbëkryq me një qëndrim burrëror, luftëtar i orëve të para të UÇK-së, në ato kohë të liga organizator i luftes në Dukagjin, sikurse e sot një aktivist e humanist i madh,

4. Deshmori Muharrem Tafaj nga Viqidoli i Tropojës/ Shqipërisë, i cili ishte bashkëngjitur forcave të UÇK-së nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, dhe ra në fushëbetejë fytafyt me armikun për të mos vdekur kurrë,

5. Heroi i Kosovës, Sali Çekaj, guri themeltar lirisë së Kosovës, një çlirimtar vizionar që në atë kohë errësire gjithnjë shihte dritë në fund të tunelit. Simboli i fitorës së betejes së Kosharës.

6. Zenun Idrizaj, ushtarak betejash, pjesëmarrës në luftëm legjendare të Kosharës, aty ku u thye kufiri që ndante shqiptarët. Ky në shtator të vitit 1996 hodhi në ajër makineritë e ndërtimit të shtepive të kolonëve serb në Baballoq/ Deçan, për ta parandaluar kolonizimin e Kosovës.

E trishtueshme sot kur sheh disa pretendues fiktiv të rolit të “ushtarakut” e “komandantit” që pa therrë në këmbë mbijetuan luftën, të cilët u katapultuan në përfundim të luftës e që synojnë ta klonojnë historinë e luftës çlirimtare dhe të UÇK, e aktualisht pa turp nuk hezitojnë të tregtojnë territorin e Kosovës, sikur ta trashëgonin nga babai.

Sakaq e ligë kur këta pretendues fiktiv prej “ushtaraku” e “komandanti” luftën e shfrytëzuan për t’u pasuruar, krijuan biznese me burim politikën, fëmijët e tyre na parakalojnë çdo ditë me makina super të shtrenjta, e “tangarlliqet” e tyre me buxhetin e Kosovës na shfaqën çdo ditë në medie.


Në anën tjetër fëmijët e heronjve, dëshmorëve, çlirimtarëve të vërtetë të UÇK janë të papunë, jetojnë në vështirësi ekonomike, së fundi bile duke menduar e pritur liberalizim e vizave për të emigruar jashtë atdheut të shtrenjt… që të mos nëpërkëmbën edhe më tej nga klounët që e kanë kapur shtetin e Kosovës.

 

Image

 

 

© zëri.info