Dosier

Përvjetori i lindjes së Mithat Frashërit

Përvjetori i lindjes së Mithat Frashërit
25 mars 2018 • 10 : 47

Në Janinë më 25 mars të vitit 1880, u lind Mithat Frashëri, biri i Abdyl Frashërit, udhëheqës ushtarak i Lidhjes se Prizrenit – Mithati ishte, pra, nipi i Samiut dhe Naimit.

Mithati shkollohet në Stamboll, punësohet në administratën osmane. Ai kujtohet jo vetëm për prejardhjen, por edhe për librarinë, partinë (Balli Kombëtar), dhe kundërshtimin e komunizit.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mit’hat bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta.

Në moshën 32-vjeçare u largua përfundimisht nga Stambolli dhe udhëtoi për në Shqipëri duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në Qeverinë e Shqipërisë e krijuar nga Ismail Qemali ai u zgjodh ministër i botores. Më 30 mars 1913, dha dorëheqje nga detyra prej indinjatës kundrejt qëndrimit të kryeministrit ndaj rrethimit të Janinës.

Në janar 1923 filli detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. Sipas Mehdi Frashërit: “Më 1924-1925 kishte qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.

Në nëntor 1944, Frashëri ikën nga Shqipëria. Vdes papritur në një hotel në Nju Jork më 3 tetor 1949, si pasojë e goditjes në zemër – spekullohet se vdiq i helmuar nga KGB-ja, ndërsa Amerika kishte filluar përgatitjet për një operacion klandestin kundër regjimit komunist në Shqipëri, ku Mithati ishte zgjedhur me koncensus kryetar komisioni koordinues mbarë shqiptar në mërgimim për këtë operacion, prandaj edhe vdekja e tij e papritur hodhi hije dyshimi.

© zëri.info