Përvjetori i sulmeve të NATO-s: Rrëfimet e të mbijetuarve

Dosier March 25, 2018 - 08:25

Nëntëmbëdhjetë vjet pasi NATO nisi sulmet ajrore për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, një shqiptar i Kosovës risjell në mendje sesi ai i shpëtoi një masakre, por humbi festimet e fitores, ndërsa një serbe kujton hidhërimin e mposhtjes.

Sokol Morina kaloi një natë të gjatë dhe pa gjumë më 24 mars 1999, ditën kur NATO-ja filloi fushatën e saj të sulmeve ajrore kundër forcave jugosllave të Sllobodan Millosheviqit.

Ishte hera e fundit që ai dhe familja e tij e madhe ishin së bashku në fshatin Çikatovë të Vjetër në Drenicë, Kosovë, dhe vetëm disa orë para se të mësonin nga radioja që NATO-ja kishte nisur fushatën e vet.

Ai risjell, në mendje sesi gjatë gjithë asaj mbrëmjeje, ai dhe vëllezërit e tij ruanin në errësirë dhe bisedonin se si të largoheshin nga fshati për t’iu shmangur ardhjes së pritur të trupave të Beogradit, të cilët nisën operacionet e tyre ndërsa avionët e NATO-s hodhën bombat e tyre.

“Herët në mëngjes, gratë dhe fëmijët u nisën për në Drenas. Burrat qëndruan në fshat. Ne e dinim që i kishim ditët e numëruara,” tha Morina, i cili tani është 63 vjeç dhe jeton në Gjermani.

Familja jetoi në ankth të vazhdueshëm, e fshehur në një bodrum, deri më 17 prill, kur forcat jugosllave hynë në fshat dhe morën Sokolin, dy vëllezërit dhe dy nipërit e tij.

“Ishte herët në mëngjes kur na çuan në Shavarinat (një kodër mbi fshat). Ishin rreth 30 burra,” tha ai.

Ai ishte në rreshtin e parë të civilëve etnikë shqiptarë të kapur, bashkë me vëllezërit e tij më të mëdhenj dhe pa sesi vëllai i tij më i madh, Tahiri, ra përtokë kur u qëlluan plumbat e parë. Sokoli u rrotullua në një gropë i gjallë, i paprekur nga të shtënat.

Ai qëndroi në mes të trupave të vdekur deri në perëndim të diellit. Kur ra errësira, ai u nis të kërkonte një vend për t’u fshehur dhe gjeti nipin tjetër, Petritin, dhe një kushëri tjetër, Selmanin, në kodrat aty pranë.

Pas tij, në vendin e ekzekutimit, ai ka një grumbull me trupa të pajetë. Vëllai i tij Tahiri 65 vjeç dhe Bahtiri 62 vjeç, si edhe dy nipat e tij, Florimi dhe Afrimi, ishin midis tyre.

I fshehur në shpellë

NATO e nisi fushatën e saj ajrore kundër Ushtrisë Jugosllave në një përpjekje për të detyruar presidentin Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet e një marrëveshjeje që ishte diskutuar gjatë pjesës më të madhe të muajit të mëparshëm në Chateau de Rambouillet në Francë.

Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, i kishte pranuar kushtet që ofronin mundësinë për t’i dhënë fund vitit të luftimeve dhe zhvendosjeve civile, duke u dhënë shqiptarëve të Kosovës autonomi substanciale edhe pse duke ruajtur sovranitetin jugosllav mbi territorin e diskutuar.

Përpjekjet diplomatike dështuan dhe pasi paralajmërimet ndaj Beogradit për t’i dhënë fund përdorimit të forcës së tij ushtarake në Kosovë u shpërfillën, NATO goditi dhe forcat jugosllave u tërhoqën pas.

Në prill, Morina dhe të afërmit e tij kishin qenë të parët nga fshati i tyre që ishin çuar në vendin e ekzekutimit në Çikatovë e Vjetër për t’u vrarë.

Në fund të prillit, rreth 90 persona të tjerë u çuan atje me dy kamionë. Njëzet e pesë fëmijë ishin ndër ta. Shyqyri Veliu, 13 vjeç, ishte më i riu.

Eshtrat e vëllezërve të Morinës u gjetën në vitin 2016 në një varr masiv në Rudnicë të Serbisë. Por disa nga eshtrat e trupave të tjerë mbeten ende për t’u gjetur.

Image

Sokol Morina

Ndërkohë, Morina dhe dy të afërmit e tij ishin strehuar në një shpellë të ndërtuar nga njeriu – pak më shumë sesa një grumbull gurësh – jo larg shtëpive të tyre, të cilat ishin djegur.

“E dëgjuam kur erdhën kamionët. Dëgjuam të shtënat dhe trupat që rrotulloheshin në gropë,” kujton Morina.

Një banor tjetër i fshatit, Emin Morina, u la i plagosur në gropë.

“Ne e larguam që atje dhe e futëm brenda një shpelle të vogël prej guri. Pas një jave, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe ai vendosi të zbriste në fshat. Të njëjtën ditë ai u vra,” tha Sokol Morina.

Ndërsa sulmet ajrore të NATO-s vazhduan, rreth një milionë shqiptarë të Kosovës u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të kërkonin strehim jashtë vendit ose në malet e ftohta dhe me shi të Kosovës.

Ndërsa kriza humanitare u thellua, ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan shprehu “zemërimin e tij të thellë” për shkallën e spastrimit etnik brenda Kosovës. Në një përpjekje për ta detyruar Ushtrinë Jugosllave të ndalonte operacionet e saj, NATO vazhdoi strategjinë e saj të “përshkallëzimit gradual”.

Ndërkohë, shpellën ku ishin fshehur, tre Morinët filluan të luftonin me urinë.

“Gjetëm pak miell dhe e përzienim atë me ujë dhe kripë për të bërë petë. Ishim me fat në ditët me diell sepse e thanim në diell përzierjen me miell dhe ujë për ta bërë më të lehtë ngrënien. Ndonjëherë gjatë netëve, gatuam një qull,” kujton Morina.

Lufta nuk ishte shumë larg.

“Kishte net kur dëgjonim shpërthimet nga të hapurat midis gurëve. Po prisnim të na vinte vdekja,” tha ai.

“Një moment disfate”

Jo më shumë se 30 kilometra nga Cikatove e Vjetër në qytetin e vogël të Fushë Kosovës, banesa e Andjelka Cup u trondit gjatë natës kur bombardimet e NATO-s goditën një kompleks ushtarak pranë aeroportit Slatina në Prishtinë.

“Sigurisht, për ne serbët ishte një tjetër lloj ndjenje në krahasim me shqiptarët. Ishte një moment dëshpërimi dhe pasigurie. Një moment mposhtjeje,” tha Cup, e cila tani është 57 vjeçe.

Vetëm dy ditë para se NATO të fillonte fushatën e saj ajrore, Cup kishte mbërritur në Fushë Kosovë nga qyteti boshnjak i Bihacit pasi fitoi një vend pune në kompaninë hekurudhore shtetërore jugosllave.

Ajo tha se besonte se NATO nuk do të ndërhynte kurrë ushtarakisht.

“Kalova vite të tmerrshme gjatë luftës në Bosnje. Pas Bosnjës, nuk mendoja se do të kishte një luftë tjetër,” tha ajo në shtëpinë e saj të pasluftës në fshatin Çagllavicë pranë Graçanicës, një komunë me serbë në Kosovën qendrore.

Ndërkohë që kolegët e saj meshkuj po i përgjigjeshin një thirrje për mobilizim dhe po i bashkoheshin ushtrisë, gratë dhe fëmijët po largoheshin nga vendi. Por Cup qëndroi në zyrën e saj, pothuajse vetëm.

“Në fillim të fushatës ajrore ne fshiheshim në një bodrum me fqinjët tanë, pastaj pas disa ditësh vendosa të mos lëvizja nga zyra ime, pavarësisht se çfarë do të ndodhte,” tha ajo.

Image

Andjelka Cup

“Vetëm trenat për Bllacë funksiononin,” shtoi ajo, duke iu referuar rrugës që transportonte shqiptarët e Kosovës që largoheshin drejt pikës kufitare me Maqedoninë.

“Më thanë shpesh të largohesha nga Kosova, por nuk doja ta bëja,” ha ajo.

Më 3 qershor 1999, Millosheviçi pranoi një plan ndërkombëtar paqeje për t’i dhënë fund konfliktit dhe trupat serbe filluan të tërhiqeshin për t’i hapur rrugën për një forcë shumëkombëshe të udhëhequr nga NATO-ja.

Por ndryshe nga shumë serbë që vendosën të iknin, Cup i solli tre fëmijët e saj në Kosovë tri ditë para se forcat serbe të tërhiqeshin.

“Mbaj mend që një oficer i policisë serbe në pikën kufitare në Merdare më tha: ‘Ku po shkon? Të gjithë po ikim nga Kosova,’” tha ajo.

Ajo shpjegoi se ishte e vendosur të mos lëvizte përsëri. “Isha e lodhur nga statusi im i zhvendosur për vite me radhë në Bosnje. Nuk doja të lëvizja më. Vendosa të rrija, pavarësisht se çfarë ndodhte,” tha ajo.

E pamja për një të gjallë

Gjatë bombardimeve të NATO-s në prill të vitit 1999, gruaja shtatzënë e Sokol Morinës shkoi në një kamp refugjatësh në Maqedoni me katër fëmijët e tyre dhe prej aty në Gjermani, duke besuar që burri i saj ishte vrarë.

Por strehimi i tij i pakëndshëm në shpellën e improvizuar nuk përfundoi kur trupat e NATO-s hynë dhe forcat serbe u larguan nga Kosova më 12 qershor 1999.

Morina dhe dy të afërmit e tij ndenjën të fshehur deri më 13 korrik të atij viti, një muaj pas përfundimit të luftës.

“Dëgjuam disa zëra jashtë. Menduam se ata ishin forcat serbe. Vendosa të dilja nga shpella. Ishim të rraskapitur dhe mbaj mend kur i thashë dy të tjerëve: ‘Le të më vrasin mua.’ Por pashë fëmijë që luanin në fushë,” tha ai.

Ishte atëherë që kuptova se lufta kishte mbaruar.

Një javë më herët, më 6 korrik, gruaja e tij kishte lindur një vajzë të vogël në Gjermani. Ndërkohë, në fshat, të afërmit e tij kishin mbajtur edhe ritualet tradicionale të zisë për të, duke menduar se ai ishte ndër të vdekurit.

Në vend të kësaj, ai kishte mbijetuar, por kur doli nga shpella ku ishte strehuar për shumë javë me radhë, ishte tepër vonë që edhe ai t’i bashkohej festimeve të lirisë nëpër rrugë. /BIRN