Shqiptarët e liruar nga burgjet serbe më 1999

Dosier March 19, 2018 - 21:38

Mbi 400 burra kosovarë kaluan kufirin nga Kosova në Shqipëri,  më 23 maj të vitit 1999 duke sjellë me vete rrëfimet e tmerrshme  për abuzim dhe torturë të shkaktuar nga serbët.

Burrat, fati dhe vendndodhja e të cilëve ka qenë  mister për javë të tëra, kanë qenë të mbajtur në një burg serb, ku thuhet se janë rrahur keq dhe janë lënë pa ushqim.

Në videon e rrallë të publikuar nga AP, shumica e burrave, të cilët ushtria serbe kishte frikë se do të bashkoheshin me  UÇK-në, ishin rrëmbyer nga kolonat e refugjatëve dhe ishin ndarë nga familjet e tyre.

Në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë, 456 burra ato ditë maji prisnin që t’i ikin luftës dhe shtypësve serbë.

Shumica mendonin se  nuk do t’i shihnin më kurrë familjet  e tyre. Të keqtrajtuar dhe në gjendje të tmerrshme, këta njerëz  nuk sollën asgjë me vete, përveç historive të torturës, brutalitetit dhe vështirësive.

Për disa, emocioni dhe lehtësimi u shprehën në lot.