Ky është krimineli serb që urdhëroi shumë masakra në Kosovë

Dosier January 07, 2018 - 12:24

Ishte në krye të ekspeditave serbe kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, udhëhoqi kriminelët serbë në masakrën e Reçakut dhe disa vite me radhë akuzohej nga amerikanët si urdhërdhënës për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Është ky krimineli Goran Radosavljeviç – Guri, i lindur në vitin 1957 në Arangjelovac të Serbisë, që me vendim të veçantë ishte dërguar në Kosovë për të shuar rezistencën e armatosur të UÇK-së në fillet e para të organizimit.

Gradën gjeneral-kolonel, Radosavljeviç, po ashtu e kishte marrë me vendim të veçantë të nënshkruar nga një gjeneral tjetër serb i akuzuar për krime lufte në Kosovë, përkatësisht nga Vllastimir Gjorgjeviç – Rodja.

Ky vendim është i datës 22 shkurt 1998, kur ai emërohet si i deleguar profesionist në Kosovë për të shtypur rezistencën e armatosur.

Ishte pikërisht krimineli Goran Radosavljeviç, ai që kishte udhëhequr ekspeditat serbe kundër familjes Jashari, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz, ku ra heroikisht komandanti Adem Jashari dhe u masakruan afër 60 anëtarë të familjes së tij.Image

Emri i Goran Radosavljeviçit figuron në shumë dokumente sekrete të Serbisë edhe si udhëheqës i masakrës së Reçakut më 15 janar 1998, ku u masakruan afër 50 shqiptarë të paarmatosur, por edhe si udhëheqës i shumë sulmeve në Rrafshin e Dukagjinit.

Ndërsa, me një vendim tjetër, po ashtu nga Vllastimir Gjorgjeviç, që është i datës 30 maj 1999, krimineli Radosavljeviç si kuadër i vlefshëm për autoritetet serbe, ishte urdhëruar të kthehej në Serbi si shef i Njësisë Speciale, që më vonë kjo njësi ishte shndërruar në xhandarmëri.

Autoritetet serbe ia kishin besuar kriminelit Goran Radosavljeviç misionin për ta shtypur kryengritjen e armatosur edhe në Luginën e Preshevës.

Në vitet e pasluftës, Goran Radosavljeviç me dhjetëra herë ishte akuzuar nga amerikanët edhe për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, shqiptaro-amerikanëve që ishin ushtarë të Batalionit “Atlantiku”, të vrarë me duar të lidhura me urdhër direkt të Radosavljeviçit dhe të varrosur më pas në kompleksin e ushtrimeve të Njësisë Speciale në Batajnicë, të quajtur “13 Maji”, së bashku me trupat e rreth 2 mijë shqiptarëve të tjerë të vrarë në Kosovë dhe të varrosur aty për t’i humbur gjurmët.Image

Megjithatë, çuditërisht akuzat e amerikanëve ndaj kriminelit Radosavljeviç kishin pushuar në vitin 2003, sepse së bashku me 1 mijë trupa të ushtarëve serbë, nën komandën e këtij krimineli, Serbia ishte vendosur përkrah amerikanëve në Afganistan.

Vegza: https://bytyqibrothers.org/goran-guri-radosavljevic/

Prej vitit 2014, krimineli Goran Radosavljeviç ka veshur “petkun” e politikanit, duke u angazhuar në Partinë Progresive (Serpska Napredna Stranka-SNS) të Tomislav Nikoliçit atëherë, kurse tash të Aleksandër Vuqiçit.

Krimineli Goran Radosavljeviç sot është anëtar i Këshillit Qendror të kësaj partie, jeton në Beograd dhe është udhëheqës i një firme private të sigurisë fizike dhe teknike të quajtur “Sektrakon”, si dhe konsulent i një firme tjetër të sigurisë.

Përkundër dëshmive të shumta që ai është përfshirë në vrasjen e tre personave në SHBA, dhe krimeve tjera kundër njerëzimit dhe operacioneve të fshehta, Goran “Guri” Radosavljeviq kurrë nuk është hetuar seriozisht apo nuk është ndjekur penalisht. Ai mbetet politikisht i mbrojtur nga presidenti Aleksandar Vuçiç dhe qeveria serbe.

Ndryshe, IndeksOnline e posedon dosjen e Batajnices dhe do ta bëjë publike diteve të ardhshme.