Ja çfarë i kishte detyruar të bënin policia serbe komandantët e UÇK-së

Dosier December 28, 2017 - 15:14

Gjykata Speciale shumë shpejt pritet të i ngrit aktakuzat e para, edhe pse politika në Kosovë, është duke u përpjekur që ta shfuqizojë atë përmes një projekligji të iniciuar nga organizatat e veteranëve të UÇK’së.

Por, shumica e këtyre akuzave, bazën e kanë te raporti i Dick Marty’it, i cili kishte krijuar një raport, në mas të madhe me prova të pretenduara nga Serbia.

Se një pjesë e madhe e këtyre provave mund të jenë të fabrikuara, e dëshmon edhe një video, që kohëve të fundit e kanë riaktualizuar mediat serbe. Ajo është incizuar në vitin 1998, kur policia serbe zë rob dy djem të rinj nga Malisheva, dhe i detyron ata që publikisht para mediave të thirrura nga Beogradi, të akuzojnë komandantët e kësaj zone, si Fatmir Limaj, Gani Krasniqi e Hysni Kilaj, për disa vrasje të kryera ndaj disa civilëve serbë, të zhdukur në betejën e qytetit të Rahovecit, shkruan gazetametro.net.

Aty, Luan e Bekim Mazreku nga Malisheva, të kapur nga policia serbe, gjatë ofenzivës ushtarake në këtë zonë, detyrohen të prezantohen si ushtarë të UÇK’së, dhe të deklarojnë para medisave, përmes një përkthyesi, se me urdhër Limajt, Krasniqit e Kilajt ishin vrarë dhjetëra civilë serbë.

Në këtë rast serbët, duke u munduar që UÇK’në ta paraqesin si organizatë terroriste, detyrojnë shqiptarët e zënë rob, që vet ta thonë se UÇK gjatë luftimeve në Rahovec kishte marrë 43 civilë dhe i kishte çuar në Malishevë në një burg të improvizuar. Nga aty ata ishin dërguar në Kleçkë, dhe vet njëri nga të zënit rob, Luan Mazreku akuzohet dhe shpallet fajtor për përdhunimin e një vajze serbe 15 vjeçe. E gjithashtu, edhe vëllai i tij Bekimi, akuzohet për përdhunim të grave serbe.

Vëllëzërit Mazreku, të cilët edhe ishin dërguar për të vuajtur dënim në burgjet serbe, para mediave detyrohen të thonë se komandantët e tyre të UÇK’së, si Fatmir Limaj, Gani Krasniqi e Hysni Kilaj, kishin dhënë urdhër që këta civilë serbë të vriteshin.

Gjykata Speciale, pritet të rikthejë, akuza të tilla, kryesisht të fabrikuara në Serbi, për ish’komandantët e UÇK’së.

Pikërisht për këtë, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, e edhe të tjerë, po e konsiderojnë si të padrejtë këtë gjykatë. Ata po kërkojnë që të ndryshohet ligji, dhe gjykata të sillet në Kosovë, dhe jo në Hagë, siç ishte paracaktuar më parë.