Kështu uronte Ibrahim Rugova 28 nëntorin në vitin 2002

Dosier November 28, 2017 - 14:14

Presidenti i ndjerë i Kosovës Ibrahim Rugova, për herë të parë si president, me 28 nëntor të vitit 2002 ka urua të gjithë shqiptarët për festën e 28 nëntorit.

Ky është urimi i Ibrahim Rugovës në vitin 2002:

Për Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin, ju shpreh urimet e mia të sinqerta dhe krenare, ashtu siç e ndiejmë dhe e nderojmë të gjithë ne këtë ditë.

Dita e 28 Nëntorit është data më e shënuar në historinë moderne shqiptare pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Dita e 28 Nëntorit e vitit 1912 është po ashtu Dita e Pavarësisë shqiptare, e cila u cungua pa vullnetin e shqiptarëve. Në këto 90 vjet, shqiptarët u forcuan në të gjitha viset e tyre. Pavarësia e Kosovës, që bazohet në vullnetin e shprehur të popullit, do të qetësonte Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe këtë pjesë të Evropës e të botës.

Pra, një Kosovë e pavarur, e integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të është përcaktimi i popullit të saj. Në Ditën e Flamurit, do theksuar se forcimi i shqiptarëve në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, është evident dhe në progres e sipër.

Po ashtu, edhe Shqipëria është në rrugë të mirë të konsolidimit demokratik dhe ekonomik. Për këto tri vjet pas luftës, Kosova ka pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Kjo është bërë me përkrahjen e miqve tanë dhe në bashkëpunim me UNMIK-un dhe KFOR-in.

Kështu, Kosova po forcohet gjithnjë e më shumë si shoqëri dhe shtet demokratik, për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj, dhe pret njohjen formale, që do t’i shpejtonte proceset demokratike dhe ekonomike. Me fat Dita e Flamurit! Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët! Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj të qytetëruar!, – thuhet në fund të mesazhit të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.