Poshtërimi grek në Himarë: Himara si shah i përhershëm për pronat shqiptare në vendin fqinj

Dosier November 09, 2017 - 11:51

Një çështje e tejmediatizuar, e tejpolitizuar e këtyre ditëve ishte Himara dhe veprimi i shtetit tonë për t’i prishur ndërtimet pa leje. Në fakt, jo thjesht në Shqipëri, por dhe në Greqi. Duke llogaritur eventualisht dhe letrat që po dërgohen në Bashkimin Evropian prej vendit fqinj.

Për këdo që njeh problemet e Himarës, e di se shumë banorë e kanë koklavitur veten me mospranimin për t’i regjistruar pronat e tyre sipas ligjit 7501.

Duke mos u përfshirë në këtë proces, ata kanë ngelur jashtë regjistrimit tërësor (hipotekimit) të pasurive të tyre të ligjshme dhe kjo ka bërë që kjo plagë vetëm të malcohet edhe më shumë, sepse kostoja e regjistrimit sot është rritur, ndërkohë që ka shumë prona që janë tjetërsuar dhe po trajtohen nëpër gjyqe…

Si pasojë ka zënë vend edhe ideja sikur problemi i pronave të Himarës në bregdet duhet të adresohet edhe nga Greqia fqinje. Dhe kjo pashamngshëm shpie deri te analiza mbi rolin prej tutori që Greqia dëshiron të luajë rreth Himarës, duke u bërë interprete e interesave të një pjese të banorëve të saj.  Në Himarë realisht ka shumë qytetarë me shtetas të dyfishtë, diçka që justifikon Greqinë në këtë rol, ndonëse çështja është pak më e komplikuar. Shtetësinë greke e kanë përfituar një pjesë e banorëve të zonës që fillimisht kanë marrë prej vendit fqinj, pensione, dhe ndaj tyre ky impenjim i Greqisë shihet si i përligjur deri diku. 

Por vija e kuqe kalohet në momentin kur shalohen pretendime për gjoja kombësinë greke të himariotëve, gjë që të bashkon me një pjesë të aktivistëve kombëtarë që thonë se banorët e Himarës, ashtu sikundër flasin dëshmitë historike, janë shqiptarë.

Ngjarjet në Himarë, përtej veprimit të policisë ndërtimore për të përfillur planin e ravijëzuar urbanistik, duhen parë e kuptuar edhe në dritën e një plani më të gjerë zhvillimor për bregdetin tonë në këtë pjesë dhe për ta bërë atë të shfrytëzueshëm edhe nga ana e turizmit. Kjo pjesë, për fat të mirë, ka mbetur e pazhvilluar sipas stilit të vjetër abuzues, ndaj ka mundësi të përfitojë nga një qasje e re.

Për fat të keq, për shkak të mosqartësimit të statusit të pronave dhe shtetësisë së dyfishtë të një numri jo të vogël himariotësh, kjo çështje po ndërkombëtarizohet.

Duhet kujtuar fakti se gjatë muajit të ardhshëm në Kretë do të mbahen bisedime shqiptaro-greke për t’i adresuar një mal problemesh që rëndojnë marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Probleme historike, si ligji i luftës, pronat shqiptare në Greqi, dhe deri tek ato aktualet, si Marrëveshja e Detit, Traktati i ri i Miqësisë, etj.

Trysnia greke për Himarën, me gjasë vjen pikërisht pak para këtyre bisedimeve, gjë që po e vendos Athinën në një pozicion disi triumfal si zëruese e pakënaqësive lokale.

Megjithatë gjithçka varet prej këmbëngulësisë ose dobësisë së njërës ose tjetrës palë: nëse Shqipëria vazhdon në Himarë me konsekuencë veprimin e ndërmarrë në Tiranë, atëherë ajo do të hynte në bisedime me një sens të dukshëm sipranie. Nëse Greqia do të imponojë tërheqje, atëherë kjo do të reflektohet në Kretë.

Ka edhe diçka që e bën të ngrysur Greqinë për Himarën: është përpjekja e shtetit shqiptar për ta bërë rivierën jugore prominente dhe me peshë në tregun e turizmit rajonal. Dhe në një rast të tillë, grekët e kanë nuhatur konkurrencën që do t’i bëhej zonave bregdetare në veriperëndim, prej Artës deri në Korfuz.

Dhe kjo bëhet edhe më e kuptueshme kur dihet zilepsja e operatorëve turistikë grekë që nuk mund të hahen me çmimet pakrahasimisht më të lira shqiptare për shërbimet turistike.

Kjo xhelozi greke duket qartë kur vëren se ndihma greke për Himarën gjithnjë është bërë brenda caqeve humanitare, por jo edhe për të zhvilluar asetet turistike të kësaj pjese, madje Greqia ka përdorur banorët vendorë sistematikisht kundër projekteve të mëdha turistike si ai i Kakomesë, etj.

Gjithsesi, interesimi i qeverisë për të kthyer projektorin e vëmendjes në Himarë dhe zonat e anëdetit të Jonit do të ketë edhe një pasojë pozitive largvajtëse: ky projekt rreh të krijojë edhe një bashkësi të njëjtë interesash të banorëve të Himarës me pjesët e tjera të Shqipërisë: himariotët do ndërlidhen me interesa, me biznese, me pronësi, me gjithë shqiptarët e tjerë…

Për këto arsye,  duket se Greqia ngulmon në qëndrimin e saj kundërshtues ndaj prishjes së ndërtimeve në Himarë.

Për vite me radhë, Greqia e ka përdorur Himarën si një kartë sulmuese për të prapësuar në kohë dhe hapësirë problematizimin e çështjes së pronave shqiptare në Greqi. Në këtë kuptim, ngritja e kësaj çështje me këtë intensitet sot, duke përfshirë në mënyrë alternative, herë Presidentin, herë ministrinë e jashtme, në funksion të bisedimeve të Kretës, është një lloj shahu i vazhdueshëm për të shmangur kërkesën shqiptare për pronat tona në Greqi.