Albin Kurti? Do të duhet të përkufizojë masën se deri ku duhet të shkojë…

Dosier August 30, 2017 - 21:06

“Një intervistë e rrallë e Mentor Nazarkos, me Arbën Xhaferin me titull: RADIKALIZMI BUTAKËVE”. Ja ç’mendonte ai për Planin Ahtisaari që sapo miratohej. 

Intervista me Arbën XHAFERIN u realizua më 4 shkurt të vitit 2007

A ishte kjo ofertë ndërkombëtare e personalizuar, më e mira e mundshmja në këtë kohë duke pasur parasysh koniunkturën ndërkombëtare të fuqive të mëdha, sjelljen e shqiptarëve, të klasës politike kosovare në veçanti, subjektivitetin e Serbisë sot?

Përgjigje:

Nocioni “ofertë ndërkombëtare e personalizuar” në të parë duket paradoksal. Por, nëse merret parasysh sistemi i vlerave të qytetërimit perëndimor, ku individi, morali, aftësia, kredibiliteti i tij janë garancë për vlerësim të drejtë të një problemi, atëherë ky paradoks bëhet më i kuptueshëm. Z.Ahtisari, falë suksesit të deritashëm politik, pjekurisë dhe urtësisë së tij gëzon një respekt të pamohueshëm te faktori ndërkombëtar dhe bindjen se ai do të ofrojë një zgjidhje të drejtë për kontestin serbo-shqiptar, ose thënë më saktë sllavo-shqiptar. Ka të tillë që këtë kontest e shohin përmes dioptrisë fetare.

Në konteste të këtilla etnike vështirë gjendet një zgjidhje ideale që do të pranohej nga të dyja palët, ose të kënaqë secilën palë veç e veç. Pakënaqësia nga zgjidhjet e këtilla mund të jetë prelud i rrezikshëm për hyrje në një konflikt që do të zvarritej me dekada, në mos edhe me shekuj. Konflikte të këtilla që kanë hyrë në spiralen negative kemi edhe në Evropën Perëndimore. E kam fjalën te çështja baske, irlandeze, konflikte këto që nuk japin shenja se do të zgjidhen një herë e përgjithmonë. Interesi jetik i shqiptarëve është që t’i ikë fatit të popujve që i përjetësojnë konfliktet e këtilla, trajtash dhe intensitetesh të ndryshme. Gjithsesi Serbia llogaritë në një variant të këtillë, meqë nga aspekti gjeografik dhe gjeostrategjik Kosova gjendet larg qendrave të rëndësishme serbe dhe pikërisht për këtë shkak dhe faktit se Kosova është e banuar kryesisht me shqiptarë, ajo vlerëson se atje mund të zhvillojë një luftë, pa dhembje dhe afat, derisa të molisen kapacitetet e shqiptarëve. Interesi i shqiptarëve është që t’i ikin një varianti të këtillë.

Planin e z.Ahtisari e mbështet faktori ndërkombëtar, UE, SHBA-ja, NATO-ja, pra faktorët që formojnë dhe shformojnë shtete. Nuk di se a mund të lejohet që faktori shqiptar të mos përfillë një realitet të këtillë, një aleancë që na nxori nga katrahura ku ishim katandisur. Nëse për një çast do ta  rikujtonim të kaluarën e pa shpresë dhe tragjike do të kuptonim më mirë të sotmen dhe të ardhmen. Po ashtu nëse do të bënim një analizë të gabimeve politike që bashkërisht i bëmë, në të gjitha hapësirat shqiptare, do të kuptonim se faktori ndërkombëtar megjithatë nuk na dënoi aq sa meritonim.

Plani i z.Ahtisari megjithatë e ndjekë atë strategji fillestare të faktorit ndërkombëtar që zhvillohet në tre faza:

Largimi i regjimit represiv serb nga Kosova që u arrit me Marrëveshjen e Kumanovës;

Nxjerrjen e Kosovës nga sovraniteti serb që arrihet me pakon e z.Ahtisari dhe

Përgatitjen e Kosovës që të shndërrohet në shtet të pavarur dhe funksional. Pavarësia e mbikëqyrur është në këtë funksion.

Në këtë fazë Kosovës i konvenon që t’i trashëgojë metodat, njohuritë perëndimore në ndërtim dhe qeverisje të shtetit, Kosovës dhe shqiptarëve u nevojitet asistenca evropiane, qoftë ajo organizative, profesionale apo financiare për ta eliminuar në mënyrë efikase papunësinë, korrupsionin, krimin e organizuar dhe tendencat antisekulare. Me prezencën dhe mbikëqyrjen evropiane Kosova fiton njohuri dhe kapacitete që mund ta bëjnë atë model të një shteti të suksesshëm për gjithë rajonin dhe më gjerë.

Nëse merret parasysh natyra komplekse e konflikteve të këtilla, nëse merren parasysh kapacitetet e shqiptarëve, nëse merren parasysh gabimet politike dhe të tjera të shqiptarëve, nëse merren parasysh kapacitet serbe dhe të sponsorëve të tyre,  nëse merret parasysh rreziku i përjetësimit të konfliktit, nëse merren parasysh sugjerimet e faktorit ndërkombëtar, pa ndihmën e të cilëve tragjedia jonë do të thellohej gjithnjë e më tepër, nëse merret parasysh se ky plan e nxjerr Kosovën nga sovraniteti serb, nëse merret parasysh se ky proces detyrimisht do të përfundojë me pavarësi të Kosovës dhe anëtarësim të saj në institucionet ndërkombëtare, pra edhe në OKB, atëherë pra, marr guximin të konsideroj se në këtë moment ky plan është oferta më e mirë e mundshme.

Si do ta përcaktoni ju në linja të përgjithshme këtë ofertë?

Paragjykuesit e kësaj oferte nga krahu i shqiptarëve përmendin si pika të dobëta të ofertës se  në të nuk përmendet pavarësia, se kishat kanë ekstraterritorialitet, se komunat kanë decentralizim, se do të ketë Administrator të ri, etj. Si i gjykoni ju këto paragjykime?

Përgjigje:

Për kritikat e këtilla kam vetëm një sugjerim. Të drejtat e popujve nuk varen nga aftësia e përkufizimit të kërkesave, nga analogjitë dhe krahasimet e suksesshme, apo nga dëshmitë se ç’është e drejtë dhe e moralshme. Është e vërtet se procesi historik në tërësi shkon në drejtim të afirmimit të së drejtës, por etapat e ndryshme të historisë, sidomos ato që hiqen si kthesa historike mund të jenë tragjike dhe të pa drejta. Me këtë rast e shoh të udhës të theksoj se nacionalizmi, në kuptimin pozitiv të fjalës, nuk është i njëjtë me vendimmarrjet dramatike apo me radikalizmin. Karakteristika kryesore e nacionalizmit është përgjegjësia e lartë për fatin e kombit dhe vlerave të tija. Nacionalisti i vërtetë në momente të këtilla vendimtare duhet të tregojë aftësi për mbrojtje të interesave thelbësore, madje edhe përmes kompromisit, pa marrë parasysh interesat ditore politike, humbjen e rejtingut apo të imazhit që ai paraprakisht ka ndërtuar për veten.

Sa i përket vërejtjeve konkrete mendoj se decentralizimi dhe eksterritorialiteti janë standarde të shoqërive moderne perëndimore.

Në shtetet skandinave madje, komunat kanë të drejta që i suspendojnë ato të pushtetit qendror. Këtë më së miri e dinë azilkërkuesit shqiptarë. Shpesh herë komunat jepnin të drejtën e azilit përkundër ndalesës së pushtetit qendror.

Në Maqedoni janë 17 komuna shqiptare të decentralizuara, por s’ka ndodhur hataja. Sa i përket eksterritorialitetit të objekteve fetare që është po ashtu një standard evropian, duhet të rishqyrtojmë ngjarjet e marsit të vitit 2004 kur në mënyrë absurde dhe brutale, në kundërshtim me interesin shqiptar u dogjën disa kisha dhe manastire. Ky vandalizëm ndikoi që z.Ahtisari të marrë parasysh kërkesën e serbëve për garanci të këtilla. Natyrisht nuk minimizoj rrezikun nga mundësia që serbët, duke i keqpërdorur këto të drejta mund të ndikojnë që Kosova të mos funksionojë si shtet i vërtetë. Por, këto obstruksione shumë lehtë do të detektohen nga mbikëqyrësit evropianë të cilët natyrisht do të parandalojnë tendencat e këtilla që do të jenë në funksion të përjetësimit të konfliktit. Krahas kësaj duhet marrë parasysh një paradoks tjetër që ndërlidhet me fenomenin e sovranitetit, përkatësisht të atributeve të tij. Jugosllavia u shthur për shkak se njësite e saja konstituive përpiqeshin të merrnin sa më shumë atribute sovrane. Ky proces përfundoi me secesion. Pas kësaj fillon procesi i kundërt, aspirata po aq intensive për hyrje në Evropë që nënkupton humbjen e atributeve të sovranitetit që sapo u fituan.

Të gjitha kërkesat serbe që aktualisht ekzistojnë në planin e z.Ahtisari nëse do të vijnë ndesh standardeve evropiane do të eliminohen vetvetiu. Këtë shumë mirë e dinë edhe serbët, prandaj pres që ata së shpejti ta refuzojnë planin e z. Ahtisarit dhe ta hapin çështjen e ndarjes së territoreve sipas konceptit etnik. Ky është përcaktim i pandryshueshëm i serbëve. Këtë kërkesë faktori ndërkombëtar nuk mund ta përmbush për shkak se do të hapen çështjet  e tjera të rrezikshme rreth Bosnjës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe vetë Serbisë. Prandaj vlerësoj se fundi i këtyre përplasjeve do të jetë krijimi i një Kosove të pavarur që do të funksionojë pa pengesa dhe obstruksione, sipas standardeve evropiane.

Sa do të ndikojë sjellja e shqiptarëve gjatë periudhës deri në diskutimin përfundimtar në Këshillin e Sigurimit? A ka rrezik nga provokatorët nga Serbia në këto momente?

Përgjigje:

Natyrisht se rreziku ekziston dhe do të ekzistojë ngaqë serbët thellësisht e ndjekin strategjinë dhe doktrinën e Millosheviqit. Ai imponoi idenë e kundërvënies ndaj sulmeve të NATO-s. Sipas disa të dhënave, disa ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s Millosheviqi është konsultuar me krerët politikë, për ta zgjidhur dilemën e kundërvënies apo dorëzimit. Nëse kundërvihemi do ta humbim Kosovën, por edhe nëse dorëzohemi po ashtu do ta humbim Kosovën. Prandaj, sugjeron ai duhet të kundërvihemi për ta fituar të drejtën e rihapjes së çështjes së përkatësisë së Kosovës kur të krijohen kushtet e përshtatshme, kur të ndërrohet konstelacioni i forcave. Aktualisht të gjithë krerët serb, përfshirë këtu edhe klerin, e ndjekin këtë politikë të krijimit të pretekstit të përjetësimit të konfliktit serbo-shqiptar. Së këndejmi vlerësoj se asnjë politikan i rëndësishëm serb nuk do ta nënshkruajë asnjë zgjidhje, pra edhe atë të z.Ahtisari që eliminon sovranitetin serb mbi Kosovën. Mendoj  se krerët serb e kanë zgjedhur këtë rrugë radikale për ta fshehur dobësinë morale dhe politike në udhëheqje. Ky radikalizëm i butakëve imponon një situatë ku në vend të tyre, faktori ndërkombëtar merr vendimet e duhura. Në këtë mënyrë Millosheviqi i imponojë bombardimet, ndërkaq pasardhësit e tij të vegjël e instaluan misionin e z.Ahtisarit. Politika shqiptare duhet të shfrytëzojë këtë tendencë irracionale, destabilizuese dhe të ndikojë te faktori ndërkombëtar që të merren masa shtesë për dënim të një politike të tillë konfliktuale. Politika shqiptare nuk guxon kurrsesi të japë pretekstin për politikën serbe.

Si i gjykoni qëndrimet e të ashtuquajturit grupi Vetëvendosja, qëndrime që konsiderohen maksimaliste nga vëzhguesit ndërkombëtare?

Përgjigje:

Unë e njoh Albin Kurtin dhe kam respekt dhe mirëkuptim për angazhimin e tij të sinqertë politik. Ai i takon një plejade të veprimtarëve politikë që ende jetojnë dhe veprojnë sipas idealeve që e kanë karakterizuar lëvizjen kombëtare shqiptare gjatë periudhës së sundimit sllav. Krahas idealizmit, e respektoj edhe intelektin e tij dhe nivelin e njohurive intelektuale që i posedon. Përkundër vërejtjeve që kam rreth disa veprimeve dhe vlerësimeve të tija unë vazhdoj të mendoj se ai bën punë të dobishme, një aktivitet të vështirë politik, që të tjerët nuk parapëlqejnë ta bëjnë. Ai ishte njëri nga organizatorët e protestave të studentëve të vitit 1998 kur arriti ta zgjojë Kosovën nga letargjia që e kishte pllakosur. Tani sërish në mënyrë shumë të qytetëruar artikulon pakënaqësitë e shqiptarëve dhe prodhon një politikë të veçantë që krijon hapësirë për një pluralizëm të vërtet botëkuptimesh. Ai dhe lëvizja Vetëvendosja, deshëm apo jo, dëshmojnë se Kosova ka krijuar një gjeneratë të re që më nuk vuan nga kompleksi i inferioritetit. Mendoj se pikërisht këtu fillon të problemtizohet lëvizja e tij. Niveli i prodhimit të vlerave të ndryshme në Kosovë dhe hapësirat tjera shqiptare nuk jep të drejtën për një politikë të këtillë pa komplekse. Të drejtat janë universale, por mjerisht të gjithë popujt nuk fitojnë sasi të njëjtë të drejtash.

Krahas bindjes se ai bën punë të dobishme, brenda kontekstit demokratik, kam po ashtu bindjen se ai do të dijë të përkufizojë qartë masën deri ku mund të shkojë.

Po çështja e Mitrovicës si mendoni se është zgjidhur, megjithëse nuk përmendet fare? Pra parimet e paketës për mosndarje dhe mosbashkim me territorin e një shteti tjetër dhe zbatimi rigoroz i tyre a janë garanci për integritetin territorial të Kosovës?

Në përgjithësi cilat janë efektet e statusit të Kosovës që përkufizon oferta Ahtisaari për shqiptarët në përgjithësi në rajon?

Përgjigje:

Propaganda intensive serbe ka arritur ta imponojë tezën se me pavarësinë e Kosovës  cenohet integriteti territorial i Serbisë. Kjo nuk është e vërtetë. Me pavarësinë e Kosovës përfundon procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe zgjidhen çështjet e mbetura, ajo e Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit nuk mund t’ia caktojë vetes kufijtë, aq më pak nëse insiston në ato kufij që i zgjeroi gjashtëfish pas shkëputjes nga Perandoria Osmane. Statusi i saj, i volitshëm apo jo, gjithmonë është zgjedhur në konferencat ndërkombëtare dhe jo në referendume.

Në planin e z.Ahtisari krahas suspendimit të sovranitetit serb mbi Kosovën, është paraparë edhe ruajtja e integritetit territorial të Kosovës. Ndarja e Mitrovicës në disa njësi vetadministrative është fenomen brenda standardeve të shoqërive moderne. Ashtu si Tirana, Shkupi, edhe Prishtina dhe Mitrovica mund të ndahen në disa komuna. Bie fjala qyteti i Shkupit është i ndarë në 10 komuna plus qyteti i Shkupit. Në të janë 4 komuna me popullsi dominante shqiptare që funksionojnë konform ligjeve të shtetit. Unë nuk shoh rrezik te decentralizimi, por te modalitetet e lidhjeve vertikale të komunave të ashtuquajtura serbe me Beogradin. Ky relacion nuk është sipas standardeve evropiane dhe mendoj se ka hapësirë që në bisedimet e ardhshme këto zgjidhje të eliminohen me argumente të forta.

Si e gjykoni qëndrimin e zotit Gruevski ndaj pakos Ahtisaari dhe cilat janë në përgjithësi frikat e maqedonasve?

Përgjigje:

Z.Gruevski si politikan i ri nuk vuan nga trashëgimia e vjetër dhe i kupton më drejtë realitetet e reja. Bie fjala ai ka kuptuar fare mirë se interesi shtetëror i Maqedonisë imponon që drejtuesit e shtetit  të kenë mirëkuptim për opinionin e 1/3 së popullatës, të shqiptarëve që e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Këtë fakt me peshë strategjik nuk e kupton kryetari i shtetit i cili vazhdon të ketë ndjeshmëri për shqetësimet serbe.

Maqedonasit kanë frikë objektive për shkak se përbërja e popullsisë vetvetiu krijon dyshime. Por, jo vetëm përbërja, por edhe shtrirja e saj. Shqiptarët e Maqedonisë jetojnë në përqindje të madhe në qendrat strategjike të shtetit siç është kryeqyteti Shkupi dhe qytete të tjera vitale në Maqedoninë Perëndimore. Shqiptarët tashmë kanë krijuar një vetëdije të thellë kombëtare që eliminon çfarëdo mundësie për asimilim të tyre. Kjo përqindje, kjo shtrirje kompakte gjeografike që ka lidhshmëri me territoret tjera shqiptare, me Shqipërinë dhe Kosovën, kjo vetëdije e formësur kombëtare hap çështjen e dualizmit të luajalitetit. Nëse Maqedonia do të zhvillojë një politikë kundër interesave të shqiptarëve atëherë ata do të manifestojnë luajalitet më të madh ndaj kombit të tyre sase ndaj shtetit. Kjo mundësi është burim i frikave objektive. Këto dilema të frikshme do të eliminohen vetvetiu kur drejtuesit politik maqedonas do të kuptojnë se në interesin e tyre, të shtetit është krijimi i raporteve të drejta me shqiptarët.

Si e gjykoni veprimin e fundit maqedonas në lidhje me emërtimin e aeroportit Aleksandri i Madh? Një veprim taktik të tyre për të ekspozuar Greqinë në kundërshtira, veçse shqetësim gjenetik i tyre për një identitet historik të lavdishëm?

Përgjigje:

Maqedonia intensivisht përballet me çështjen e përkufizimit të identitetit kombëtar. Në këtë dimension shfaqet një antagonizëm real, në mes të identitetit sllav dhe atij antik maqedonas. Ky antagonizëm nuk mund të zgjidhet në rrafshin politik, por në atë shkencor. Derisa nuk do të hapet ky kapitull do të shfaqen këto zënka, për shumëkënd të panatyrshme. Nga ana tjetër shfaqen telashe edhe për shkak të politikës hegjemoniste greke ndaj trashëgimisë antike dhe mesjetare. Ky parim absolutizohet në përmasa të padurueshme edhe me popujt e tjerë. Këto probleme nuk mund të zgjidhen hë për hë, por në një periudhë të gjatë kohore.

Marrëveshja AMBO më në fund u firmos. Cilat ishin arsyet politike që e vonuan firmën, nëse ka patur dhe a janë të përbashkëta ato në tre vendet ku kalon?

Përgjigje:

Është pak jo serioze që të jepen përgjigje për çështje që kanë të bëjnë me interesat sekrete të kompanive të mëdha. Megjithatë marrë guximin të them se vonesa e nënshkrimit kishte të bëjë me vlerësimin e interesit ekonomik veçanërisht, pas hapjes së linjave paralele. Këto projekte alternative e ulën vlerën e projektit AMBO. Pas shantazhit rus lidhur me furnizimin e Evropës përmes Ukrainës, sërish projekti AMBO fitoi relevancën e vet.