Ruhu nga serbët (grekët) edhe kur të bëjnë dhurata

Dosier August 23, 2017 - 18:07

Pavarësisht se vera quhet sezoni me vrimë i lajmeve, në një klimë politike të dominuar prej vetë Presidentit, kur shumica e mediave të kontrolluara prej tij sulmojnë çdo mendje alternative, Serbia e Vuçiçit është duke planifikuar një lëvizje që pritet të ketë efekte gjeopolitike të rëndësishme. Ose të paktën në mendjen e ideatorëve supozohet të jetë kështu.

Do të jetë një lëvizje që anembanë botës me gjasë do të konsiderohet si dhuratë serbe për stabilitetin ballkanik dhe atë botëror. Ka lidhje me Kosovën, ka lidhje me shqiptarët, dhe do duhet të kuptojmë nëse na mbetet të themi njëjtë si për grekët: ruhuni nga serbët dhe kur të bëjnë dhurata.

Serbia, nëpërmjet presidentit Vuçiç, në një fushatë të orkestruar mirë po synon të përgatisë opinionin e vet, por jo vetëm atë, për një shitje të një diçkaje që nuk e ka në dorë, shitje mundësisht sa më shtrenjtë të jetë e mundur. Fushata synon të krijojë sa më shumë konsensus rreth kësaj shitjeje: heqjen dorë nga vetoja serbe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë. Pavarësisht se fushata, aksioni politik dhe diplomatik do të përfundojë me një lëshim (nuk po dihet ende se çfarë do kërkohet në këmbim), retorika në raste të veçantë ngjan më e ashpër se më parë, si ndodhi në ballafaqimin e fundit në OKB midis ministrit të Jashtëm Dacic dhe ambasadores së Kosovës në SHBA.

Kalë i shitur dy herë, ose një herë i shitur, një herë i dhuruar

Pse thuhet që është shitje e diçkaje që në fakt është dhënë dhe deri diku premtuar më herët? Në 2011, Serbia e ankimoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe GJND e konsideroi shpalljen si në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. U miratua një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila vuri në lëvizje negociatat në Bruksel, dhe prej atij momenti, Serbia la të kuptohej se do të hiqte dorë nga vetoja.

Madje dhe Rusia në takimet e brendshme të Këshillit të Sigurimit la të kuptohet qartësisht se do të pranonte çdo vendim të Serbisë, pra do hiqte dorë nga vetoja e saj për Kosovën. Mirëpo kanë kaluar 6 vjet prej atëherë dhe Serbia vetëm sot, po thotë se me gjasë do ta bëjë lëshimin e madh. Prej 2011, Kosova ka arritur 114 njohje ndërkombëtare, është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare të rëndësishme sportive, etj, por nuk është bërë anëtare e OKB-së. Heqja e vetos nuk nënkupton se Serbia do ta njohë Kosovën deklarativisht në mënyrë bilaterale, por mund të ndiqet modeli i dy Gjermanive: me ambasada që do quhen misione, etj, etj, kufiri nuk do quhet politik, por administrativ, etj truqe, që gjoja ruajnë dinjitetin e Serbisë.

Koha e zgjedhur si kohë optimale, ndaj Perëndimit, por dhe … Rusisë

Pse fqinji jonë kombëtar zgjodhi këtë kohë? Sepse Serbia gjendet nën trysninë e afateve dhe hapave brenda tyre, të përcaktuara në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian. Më konkretisht në kuadër të negociatave me BE-në, Serbia duhet të zgjidhë në mënyrë të pranueshme çështjen e marrëdhënieve me Kosovën. Presioni gjerman është i pamëshirshëm, edhe në plan dypalësh. Në bisedat me kancelaren Merkel, udhëzimet ndaj Vuçiçit ngjajnë se janë të qarta. Serbia heq nga kurrizi peshën e rëndë të Kosovës, duke ndryshuar Kushtetutën, duke marrë përfitime gjeopolitike, por pse jo dhe ekonomike.

Po çfarë pritet të kërkojë Serbia në këmbim? Hipotezat variojnë nga kërkesa për ndarjen e Kosovës mbi vijat etnike që megjithatë nuk janë të qarta, në forcimin e subjektivitetit të Asosacionit të komunave, apo në dhënien e një statusi më të privilegjuar për Kishat, të ngjashëm me atë të manastireve në Malin Athos të Greqisë. Këto hipoteza filtrohen nga leximi i përbashkët i atyre që kanë folur në dialogun që ka lëshuar Presidenti Vuçiç, mendje të lira apo të kontrolluara.

Në lëshimin e këtij propozimi, Serbia ngjan mjaft e favorizuar ndërkombëtarisht. Ajo merr inisiativën në një skenë ndërkombëtare të dominuar nga përplasja e Fuqive të mëdha, duke ofruar madje një lloj modeli për probleme të ngjashme në glob. Për shkak të lojës së Presidentit Vuçiç, përtej iluzionit serb se është ura midis Lindjes dhe Perëndimit, në kuadër të përplasjes ruso-perëndimore në Ballkan, është interesi perëndimor që Serbia të hedhë sa më shumë hapa normalizues dhe integrues në bashkësinë e udhëhequr nga SHBA. Në këtë optikë, rilaksimi i marrëdhënieve me Kosovën në ecjen drejt BE-së, është i mirëpritur. Perëndimi nuk do t’ja dijë se çfarë kërkon Serbia në këmbim, për më shumë që kërkesat e lartpërmendura, nuk shtojnë asgjë dramatike në sytë e europianëve. Këto kërkesa mund të ngjajnë dramatike në sytë e nacionalistëve shqiptarë, por ata s’do të kenë peshë me gjasë në zërat rreth këtij zhvillimi.

Paradoksalisht, megjithëse oferta serbe ngjan se e afron atë më shumë me Perëndimin, ajo ka elementë që e favorizojnë Rusinë. Nëpërmjet një lëshimi të ngjashëm, Rusia mund të evokojë globalisht sërish çështjen e Krimesë, duke e vendosur atë në të njëjtin kandar me Kosovën. Pra të kërkojë zgjidhje simetrike dhe të barabarta. Ndonëse pretendimi serb se vendos ekuilibrat Lindje-Perëndim si dikur Jugosllavia e Titos janë të ekzagjeruara, me këtë lëvizje serbe, me gjasë nuk krijohet reagim i kundërt rus.

Po faktori shqiptar në përgjithësi?

Është krejt e qartë se Rama apo Thaçi, që gjenden në takime diplomatike shumëpalëshe apo dypalëshe, janë të informuar për këtë zhvillim dhe ndoshta kanë folur me Vuçiçin. Rama e ka përshëndetur me një intervistë në Blic, apo duke përkthyer kolumnën e Vuçiçit në shqip, në faqen e vet në Facebook. Thaçi ka shkruar jo në Blic, por në Frankfurter Allgemeine Zeitung, si për të treguar superioritet dhe mbështetjen e Gjermanisë që në fakt nuk është se e ka me tepri, që nga koha e incidentit me agjentët e Shërbimit sekret gjerman që u përzunë nga Kosova. Ka bërë thirrje për të mos vonuar trenin e integrimeve dhe kaq.

Në këto reagime nuk ka gabim, por është shumë pak. Kosova, më shumë e pavarur nga ndërkombëtarët, por më pak e lirë, për shkak se ndikimi serb është forcuar dhe më shumë në ekonomi, nuk po di të menaxhojë mirë punët e veta. Prej 4 muajsh po merret me projektim zgjedhjesh, zhvillim zgjedhjesh parlamentare, krizë parlamentare, zgjedhje vendore, dhe kriza… vazhdon.

Fillimi nga puna i Gjykatës Speciale mund të dobësojë dhe më klasën e saj politike dhe nuk ka unitet mes saj për asgjë. Hipoteza për një qeverisje me bazë të gjerë as që konsiderohet, në mos për t’ju kundërvënë planit serb që e vendos Kosovën në difensivë, të paktën për të bërë reformën zgjedhore, kushtetuese, për Demarkacionin, etj, etj. Në vend të saj, klasa politike kosovare preferon takticizmin e vogël partiak, pret rënien e rrotës së qerres, ose të … veglave të dashit, në mënyrë që njëra apo tjetra parti të fitojë … prej lodhjes së qytetarit nga e vjetra. Përkundër kësaj, ndaj minoritetit serb ka retorikë agresive, e cila veçse e forcon inisiativën e Vuçiçit. Zërat e moderuar që tentojnë të zgjidhin problemin e bashkimit të gjithë Kosovës në një realitet shtetëror, nëpërmjet ekonomisë, nuk respektohen.

Mungojnë konsultimet me Shqipërinë, e cila me gjasë di më shumë rreth temës, dhe që duhet të luajë rol unifikues e përforcues të faktorit shqiptar. Nëse shqiptarët do të luajnë bashkë, nëse do të rimarrin inisiativën, atëherë ata fitojnë.

Shqiptarët do të fitojnë të gjitha betejat në momentin kur të mbarojë beteja e fundit mes tyre-ka thënë diku Mithat Frashëri. E sa kohë po vazhdojnë beteja mes tyre, atëherë shqiptarët do të humbin në tërësi. Pse, nga humbja përkundrejt kësaj inisiative me reflekse gjeopolitike preken të gjithë. Sepse dhurata serbe mund të jetë si dhuratat greke në histori, ndaj duhet të ruhemi prej tyre./Konica.al/.