Një provë e gënjeshtrës së Enver Hoxhës për Zogun: ushtria rezistoi

Dosier August 21, 2017 - 23:51

Gjithë gazetat franceze të kohës (data 7 prill 1939) janë hapur me lajmin e sulmit italian mbi Shqipërinë. Le Temps, i kishte kushtuar tre faqe; Le Soir, faqen e parë duke vijuar në faqen 5.

Çfarë mëson nga raportimi entuziast francez për rezistencën shqiptare ?

Mëson për një thirrje të shtetit shqiptar, popujve të civilizuar për ta mbrojtur Shqipërinë nga pushtimi italian, por duke trajtuar në mënyrë analoge dhe pushtuesin gjerman, i cili deri më atë kohë nuk kishte bërë kurrgjë të keqe për vendin tonë. Ky është një akt guximi i kësaj administrate.

Ndërsa përshkruan sulmin e njëkohshëm italian mbi disa porte, raportimi francez flet për Durrësin dhe për rezistencë të fortë shqiptare që ktheu ushtrinë italiane në det. Ndërsa për Vlorën flet për bombardime të rënda dhe të tmerrshme gjatë natës, ndërkohë që rezistuan  ushtarët, xhandarët dhe vullnetarët.

A ishte kjo një rezistencë spontane e vullnetarëve ? Pse Enver Hoxha nuk foli për rezistencë të ushtrisë dhe xhandarmërisë ? Këto dy trupa, ishin pjesë e shtetit dhe ato nuk reaguan të paorganizuar. Atje ku duhej folur për vullnetarë, gazeta e bën si ishte rasti i Vlorës.

Edhe gazeta Ce Soir, flet për një rezistencë të popullit shqiptar, dhe duke folur më veçanërisht për rezistencë të trupave shqiptarë, që në Shëngjin dhe Durrës i kthyen mbrapsh disa herë deri në mbrëmjen e 7 prillit forcat pushtuese.

Në 8 prill ora 11, trupat italiane pushtuan radio Tiranën. Pra ju desh një ditë e gjysmë për të mbërritur tek ajo.

Kjo gazetë flet për përpjekje të propagandës gjermane për të minimizuar humbjet italiane.(Përgaditur nga Mentor Nazarko -Konica.al)