Si e tkurrën Shqipërinë natyrale? (Video)

Dosier May 21, 2017 - 16:22

Kufijtë e Shqipërisë dhe debati i zjarrtë për to i ka fillesat që nga Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër.

Shqipëria u tkurr në të katërta anët e saj nga Fuqitë e Mëdha. Edhe pas dy luftrave botërore, vëmendja e të mëdhenjve ishte sërish te kufijtë shqiptarë, shndërruar në atë kohë në një teatër të armiqësive lokale.

Pas akordit të qeverisë së atëhershme shqiptare, me frikën se rrezikoheshin edhe kufijtë e 1913-s për shkak të traktateve të fshehta, komisionet ndërkombëtare nisën punën në terren, edhe këtë herë me një tjetër synim sipas historianëve.

“Dy shtete nga Austro-Hungaria dhe nga Italia, të cilat midis tyre kishin bërë një ndarje pune. Austro-Hungaria do të merrej me kufijtë e veriut të Shqipërisë, kurse Italia me kufijtë e jugut”, thotë historiani Pëllumb Xhufi.

“Është kjo arsyeja që mbeti gati gjysma e territoreve shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë dhe gati gjysma e popullsisë shqiptare e shkëputur nga trungu amëtar, nga shqiptarët e Shqipërisë zyrtare”, thotë historiani Ksenofon Krisafi.

Top Channel hap ekskluzivisht dosjet dhe vendimet që tkurrën përgjithnjë Shqipërinë. Çështja më e ndjeshme mbeti kufiri i jugut, debat edhe sot i ndjeshëm për shkak të marrëveshjes së paktit detar me Greqinë. Kjo e fundit nuk pranonte deri në vitet ’80, të firmoste një marrëveshje me Tiranën për mirëmbajtjen e piramidave.

“Pala shqiptare nuk ka rezerva, ndërkohë që pala greke shpreh rezervat e saj. Kur pyeten nëse kanë vërejtje teknike, e quajnë të pavend”, thotë Pranvera Dibra Teli, drejtore e Arkivit Historik në MPJ. /TCH/