Botërori 2018

Belgjika beson në një të ardhme edhe më të ndritshme

Belgjika beson në një të ardhme edhe më të ndritshme
16 korrik 2018 • 13 : 18

Detajet

Belgjika e mbylli Botërorin me suksesin më të madh të saj në histori të këtij kompeticioni. Kombëtarja belge pret që sukseset e saj të mos mbyllen me kaq. Ata besojnë për një të ardhme edhe më të ndritshme, shkruan sot, gazeta "Zëri"

“Çfarë emocionesh të përziera!”, deklaroi Vincent Kompany pas stolisjes me medaljen e bronztë në “Rusia 2018”. Me fitoren 2:0 kundër Anglisë ai dhe shokët e tij ia siguruan Belgjikës suksesin më të madh në histori të Kupës së Botës dhe gjithashtu u siguruan që të mos jenë ajo gjenerata e artë që nuk arriti të bëjë dot asgjë.

“Djajtë e kuq” arritën gjashtë fitore nga shtatë ndeshje gjatë aventurës së tyre në Rusi. “Është një mision i kompletuar, ndjenja e mirë tani mbulon pendesën që kishim pas humbjes në gjysmëfinale. Mbi të gjitha ne ndihemi krenarë dhe largohemi me misionin që të vazhdojmë më punë të madhe, në mënyrë që të jemi edhe më të mirë në herën tjetër”, u shpreh Kompany për “FIFA.com”.

32-vjeçari dukej i vendosur që të shijojë të tashmen para se të kthejë vëmendjen e tij kah e ardhmja. “Ne kemi ardhur në hapa gjigandë së fundmi falë një metode më efektive të përgatitjeve të ndeshjeve. Rezultatet kanë qenë të qarta për t’u parë në Rusi”, thotë ai. Sidoqoftë, mbrojtësi i Manchester Cityt ishte i ndrojtur sa i përket pyetjes për të ardhmen e tij, gjë e cila u intereson të gjithëve në Belgjikë. “Më duhet pak kohë që të vendos nëse do të vazhdoj të luaj për ‘Djajtë e kuq’. Është një vendim shumë i rëndësishëm për t’u marrë në këtë kohë”, shprehet Kompany.

Eden Hazard ishte në një humor të mirë pasi mori për herë të tretë çmimin e “Lojtarit të Ndeshjes”. “Ne do të jemi edhe më të fortë në dy vjetët e ardhshëm. Kupa e Botës do të shkruhet si një sukses për ne, por jam i bindur se na pret një e ardhme edhe më e mirë”, deklaroi Hazard. Një figurë frymëzuese për garën e golashënuesit më të mirë, Hazard jo vetëm që ka treguar aftësitë e tij të jashtëzakonshme dribluese në Rusi, por gjithashtu ka qenë shembull i një kapiteni dhe ka kontribuar me tre gola gjatë këtij rrugëtimi. E gjithë kjo tregon për progresin e tij personal, në veçanti duke dhuruar më shumë sesa një paraqitje më e zbehtë e tij para katër vjetësh në Brazil.

Konsensusi në mes lojtarëve të Roberto Martinezit, duke përfshirë edhe kapitenin e tyre, ishte se përtej rezultatit të tyre të mirë Belgjika mund të sjellë kënaqësi nga stili ku e kanë gjetur veten. “Unë besoj se ishim skuadra më atraktive për t’u parë në garë”, u shpreh Axel Witsel. Mesfushori, njëri prej “motorëve” të pandalshëm të ekipit belg, shprehet shumë optimist për të ardhmen. “Ne ishim të fortë që prej fillimit deri në fund falë pjekurisë, kur gjërat u bënë të vështira. Ne kemi marrë një hap të madh përpara gjatë javëve të fundit. Duke shikuar para kjo gjë më jep besim dhe bindje se ne do të jemi edhe më të mirë në të ardhmen”, përfundon Witsel./Zëri

© zëri.info