Ballë për ballë me ëndrrën

Botërori 2018 July 13, 2018 - 14:49
Detajet

Në mrekullinë e sportit modern Kroacia, një vend me vetëm katër milionë njerëz, do të luajë në finale të Botërorit. Ëndrra vazhdon për ekipin e Zlatko Dalic, i cili e shfaqi edhe një herë karakterin e jashtëzakonshëm, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Kur finalja është në buzë kroatët vrapuan drejt tifozëve të tyre, duke kërcyer në “lumin kuqebardh”. Njëri nga heronjtë e tifozëve ishte Ivan Perisic, i cili e shënoi golin e barazimit në pjesën e parë, ndërsa asistoi për Mario Mandzukicin në golin e fitores së kroatëve, i cili u arrit në minutën e 109-të ndaj Anglisë.

Kroacia e shkroi historinë duke u kualifikuar në finale të një Botërori për herë të parë në histori, për ta siguruar automatikisht medaljen e argjendtë, duke e kaluar kështu gjeneratën e artë të vitit 1998, e cila e kishte fituar medaljen e bronztë e ku pjesë e këtij ekipi ishte edhe shqiptari Ardian Kozniku.

“Kjo është diçka e papërshkrueshme. Është një nder i madh për krejt lojtarët dhe tifozët. Mendoj se ne nuk jemi ende të vetëdijshëm me nivelin se ku kemi arritur. Kroacia e vogël në finale të Botërorit. Askush nuk kishte besuar para Botërorit se mund të shkonim aq larg, por ne besonim”, ka thënë Perisic.

“Përsëri kishte dramë, nuk ka mundur të ishte ndryshe. Qe tri herë ne ishim në disavantazh dhe jemi rikthyer. Kjo do të thotë vërtet shumë për shpirtin e ekipit tonë. Ky është një tipar i vërtetë i kësaj gjenerate të lojtarëve. Ne e kemi edhe një lojë që na ka mbetur dhe nuk kemi qenë kurrë më të motivuar”, ka shtuar futbollisti i Interit.

Ai e ka komentuar edhe lojën me Anglinë, ku skuadra kroate fitoi 2:1 falë golave të vetë Perisicit dhe Mandzukicit pas vazhdimeve.

“Pjesa e parë nuk ishte e mirë për ne. Ne filluam me pasiguri dhe Anglia e meritoi të shënonte. Mirëpo, nga pjesa e dytë ne nisëm të luanim shumë më mirë dhe e shfaqëm standardin tonë të vërtetë”, thotë Perisic.

Vetëm disa javë para fillimit të Botërorit trajner kroat Zlatko Dalic e identifikoi problemin kryesor të ekipit të tij, obsesionin e tyre me “Franca 1998”. Tash gjenerata e re, e inspiruar nga kapiteni Luka Modric, e krijoi historinë e saj.

“Franca na ndali ne në gjysmëfinale të vitit 1998. Ne do ta kemi një motiv ekstra për këtë, kjo është e sigurt. Mirëpo, kjo është totalisht një histori ndryshe. Ata janë favoritë, por ne do ta japin më të mirën për t’i befasuar ata. I kemi tri ditë përpara për ta përgatitur veten. Ne të gjithë jemi të lumtur që do të qëndrojmë në Moskë, ky ishte objektivi ynë. Ëndrra jonë është aq afër tash”, përfundoi mesfushori ofanziv i krahut të majtë.

“Kroacia e Vogël” ia doli të shkonte në finale të Botërorit. Në tri ndeshjet e fundit u rikthye te fitorja nga disavantazhi. Gjenerata e re “Vatreni” nuk është më hije e asaj të 1998-ës./Zëri

Të rekomanduara