“Kroacia e Vogël”, ekipi i rekordeve!

Botërori 2018 July 13, 2018 - 13:18
Detajet

“Rusia 2018” ishte Botëror i befasive dhe i rekordeve. Gjigantët e futbollit botëror si Brazili, Gjermania, Argjentina, Spanja etj. u eliminuan herët, ndërsa ekipet më të vogla arritën shumë, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Për shembull Kroacia i befasoi të gjithë duke u kualifikuar në finale të Kampionatit Botëror. Me këtë rast Kroacia bëhet vendi më i vogël që kualifikohet në finale të Botërorit që nga vitit i largët 1950.

Kroacia, me popullsi prej vetëm 4.17 milionë banorësh, e preu biletën për finalen e 15 korrikut në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, pasi e mposhti Anglinë në të njëjtin stadium të mërkurën mbrëma me rezultat 2:1 pas vazhdimeve.

Me këtë rast kroatët u bënë vendi më i vogël që shkon në finalen e Botërorit qëkur këtë e kishte arritur Uruguai, i cili e kishte fituar këtë turne në vitin 1950, kur ky vend kishte popullsi prej afro 2.4 milionë banorësh. Në atë rast uruguaianët e kishin mundur Brazilin 2:1 në stadiumin “Maracana”.

Për jugamerikanët ishte titulli i dytë i Botërorit, pasi të parin e kishin fituar në edicionin inaugurues, në vitin 1930. Me kalimin e viteve disa vende të vogla e kishin arritur finalen si Suedia, Hungaria dhe Holanda, por të gjitha janë mposhtur në finale.

Kroacia do të shpresojë që ta prishë këtë traditë kur të përballet të dielën në Moskë me Francën.

Kroatët e mundën në gjysmëfinale Anglinë, e cila ka popullatë prej afro 53 milionë banorësh. Kroatët e eliminuan në çerekfinale një vend tjetër me popullsi edhe më të madhe, Rusinë, që ka rreth 145 milionë banorë.

Kroatët e shfaqën vendosmërinë e tyre duke e mundur Danimarkën në të tetën e finales dhe Rusinë në çerekfinale përmes penalltive, pasi 120 minuta lojë përfunduan baras. Në gjysmëfinale ata u desh të luanin përsëri në vazhdime, por që ndaj Anglisë e mbyllën çështjen e fituesit në pjesën e dytë të vazhdimeve.

Pra, kroatët për të shkuar në finale luajtën tri herë në vazhdime dhe dy herë në penallti, derisa në të tria rastet ishin në disavantazh.

Ata në finale do të kenë punë me një tjetër gjigant sa i përket popullsisë: do të luajnë me Francën, e cila ka një diferencë të popullsisë prej rreth 62 milionë banorësh më shumë se Kroacia.

Megjithatë, ekipi ballkanas ka bërë më dije se nuk i bën fort përshtypje diferenca në popullsi. Luka Modric me shokë do të mundohen ta finalizojnë rrugën e nisur afro dy vjet më parë me triumf në Botëror, duke ia sjellë Ballkanit titullin e parë në histori./Zëri

Të rekomanduara