Heronjtë e vonshëm të Botërorit

Botërori 2018 July 09, 2018 - 14:38
Detajet

Kupa e Botës njeh disa histori të futbollistëve që janë kthyer në formë në momentet e fundit të kompeticionit. Disa prej tyre e kanë marrë epitetin e ikonave të kompeticionit më të rëndësishëm në futboll. Edhe këtë vit ka kandidatë në mesin e ekipeve gjysmëfinaliste që mund ta fitojnë këtë epitet, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Kupa e Botës ngërthen në vete histori të ndryshme të lojtarëve që nuk treguan shumë nga vetja në rundet e para të këtij kompeticioni, por u kthyen në heronj derisa kombëtaret e tyre hynë në etapën e fundit. Gjersa tashmë i kemi mësuar ekipet gjysmëfinaliste të kësaj gara, ne ua kujtojmë disa heronj të vonshëm të së kaluarës së Botërorit dhe disa të tjerë që mund të shtohen në këtë listë pas përfundimit të edicionit të sivjetmë.

1958 – Pele    

“Suedia 1958” mbahet në mend nga shumë njerëz si Kupa e Botës së Peles, por pak njerëz kujtojnë se ai nuk ishte pjesë e ekipit në dy ndeshjet e para. Atëkohë 17-vjeçar, Pele ishte lënduar gjatë ngrohjes për lojë dhe kishte qenë sulmuesi Jose Altafini që kishte luajtur para atij për Brazilin. Pele u rikthye në ekip në ndeshjen e fundit në grup kundër Bashkimit Sovjetik, por nuk kishte ndonjë ndikim të madh. Ishte faza nokaut momenti kur adoleshenti eksplodoi, në një çerekfinale të tensionuar kundër Uellsit. Sfida u vendos në minutën e 73-të kur Pele kaloi një mbrojtës dhe shënoi gol përballë portierit Jack Kelsey. Kjo ishte ajo që i duhej adoleshentit të talentuar. Një “hat-trick” nga Pele në pjesën e dytë në gjysmëfinalen ndaj Francës bëri që Brazili të fitonte 5:2. Pastaj erdhi momenti i paharrueshëm i finales kundër vendit nikoqir. Dy golat brilantë të tij të pasuar edhe me një realizim të bukur me kokë në minutën e fundit lajmëruan arritjen e një ylli të ri në futboll.

1966 – Sir Geoff Hurst

Sulmuesi i West Hamit, Sir Geoff Hurst, nuk ishte njeriu që pritej të udhëhiqte Anglinë drejt triumfit në shtëpi në vitin 1966. Ishte Jimmy Greaves, heroi i Tottenhamit, që pritej të shënonte gola për “Tre Luanët”. Por, Greaves dështoi që të gjente rrjetën në ndeshjet e para dhe një lëndim bëri që ai të mbetej jashtë çerekfinales kundër Argjentinës. Kjo ndeshje u vendos nga i nënvlerësuari Hurst, i cili shënoi golin e vetëm të kësaj sfide pas një goditjeje me kokë. Hurst mbeti në ekip edhe për gjysmëfinale dhe trajneri i Anglisë Sir Alf Ramsey mori vendimin e vështirë për të zgjedhur ekipin e njëjtë edhe në finale pavarësisht rikthimit të Greavesit. Doli një vendim i mençur, sepse Hurst shënoi “hat-trick” në finalen e “Wembley”-t për t’ia siguruar Anglisë triumfin e vetëm në Kupën e Botës.

1982 – Paolo Rossi

Ndoshta heroi i vonshëm më befasues dhe më i papritur i të gjithëve ishte sulmuesi italian Paolo Rossi. Ai kishte qenë njëri prej yjeve të ekipit të Italisë në Botërorin e 1978-s, por në vitin 1982 ai sapo i ishte kthyer futbollit profesionist, pas një periudhe të suspendimit për shkak të një skandali me baste. Derisa italianët ishin në rundin e parë, Rossi dukej tërësisht jashtë formës dhe gazetat shkruanin për rënien e një sulmuesi të madh. Kur Italia u përball kundër një Brazili shkatërrues në fazën e dytë shumë pak njerëz u dhanë gjasa italianëve. Portieri brazilian Valdir peres kishte deklaruar se i vetmi shqetësim i tij ishte rikthimi i Rossit. Dhe kështu doli, Rossi me një “hat-trick” ua siguroi fitoren 3:2 italianëve në njërën prej ndeshjeve më të paharrueshme të Kupës së Botës. Rossi shënoi edhe një dygolësh në gjysmëfinale ndaj Polonisë dhe kontribuoi edhe me një realizim në finale kundër Gjermanisë Perëndimore, duke e përfunduar turneun si golashënuesi më i mirë dhe një yll i padiskutueshëm.

2006 – Fabio Grosso

24 vjet më vonë një tjetër italian e ngriti lart trofeun dhe ishte futbollisti kyç në mesin e lojtarëve si Gianluigi Buffon, Fabio Cannavaro, Andrea Pirlo, Francesco Totti dhe shumë të tjerëve. Për dallim nga Rossi, Fabio Grosso ishte një mbrojtës i krahut të majtë. Pas dy ndeshjeve si titullar në fazën e grupeve ai nuk pati një ndikim të madh dhe nuk përmendej thuajse nga askush derisa filloi faza nokaut. Në të tetën e finales kundër Australisë ata kishin mbetur pa një futbollist dhe ishin në rrezik të eliminimit kur një depërtim i Grossos nga e majta ua fitoi italianëve një penalti vendimtare, e cila u konkretizua nga Totti. Grosso vazhdoi me formën e mirë dhe shënoi golin e epërsisë në fitoren 2:0 ndaj vendit nikoqir Gjermanisë në gjysmëfinale. Finalja kundër Francës shkoi në penallti pas barazimit 1:1 në kohën e rregullt dhe pas saktësisë nga pesë penalltitë Italia fitoi titullin e katërt botëror. Dhe kush e shënoi penaltinë e pestë për të qenë shkëndija e festimeve? Askush tjetër pos Fabio Grosso.

2018 - ?

Kush mund t’u bashkëngjitet këtyre figurave të mëdha të së kaluarës nga “Rusia 2018”? Ja disa nga kandidatët që tashmë janë në gjysmëfinale me ekipet e tyre.

Kevin De Bruyne (Belgjika)

Loja si një mesfushor më i kthyer prapa, pozicion në të cilin nuk jemi mësuar ta shohim mjeshtrin e Manchester Cityt, bëri që ai të mos vërehej shumë në rundin e parë. Por, me mungesën e Dries Mertensit kundër Brazilit De Bruyne kaloi në një rol më të avancuar dhe gjithashtu ai shënoi edhe një gol vendimtar për kalimin më tutje të ekipit të tij. Ai ishte i përfshirë në shumë sulme dhe kundërsulme në atë ndeshje. A është ky një fillim i rrufeshëm drejt vijës së finishit?

Raphael Varane (Franca)

Ishin vënë shumë pikëpyetje mbi formën e mbrojtësit të Real Madridit para fazës nokaut të Botërorit, por një gol i bukur me kokë që ia dha epërsinë Francës kundër Uruguait dhe disa ndërhyrje vendimtare në mbrojtje bënë që ai të drejtojë ekipin e tij drejt gjysmëfinales.

Harry Maguire (Anglia)

A mund të bëhet mbrojtësi i Leicester Cityt Fabio Grosso i Anglisë? Një tjetër lojtar që është rritur shumë në nivelin e lojës gjatë rrugës në Botëror. Maguire ka qenë njëra prej figurave kyçe të Anglisë në rrugëtimin drejt gjysmëfinales së Kupës së Botës. Në çerekfinalen ndaj Suedisë ai dha një kontribut të madh, duke shënuar golin me kokë dhe duke kaluar ekipin e tij në epërsi.

Andrej Kramaric (Kroacia)

Tifozët kroatë kanë shpresuar më shumë nga sulmuesi i Hoffenheimit, i cili ka hyrë dhe ka dalë nga formacioni i ekipit që prej ndeshjes së tyre të parë ndaj Nigerisë. A mundet që goli me kokë, që ia siguroi barazimin 1:1 ndaj Rusisë në çerekfinale, ta bindë trajnerin Zlatko Dalic që ta mbajë Kramaricin në formacion me shpresa që të shënojë gola të tillë?/Zëri

Të rekomanduara