Pickford, njeriu i momentit tek Anglia

Botërori 2018 July 09, 2018 - 13:41
Detajet

Jordan Pickford shkëlqeu përsëri me paraqitjen e tij në fitoren e Anglisë 2:0 ndaj Suedisë në çerekfinale të Botërorit. 24-vjeçari u lavdërua si një model i tipit të portierit modern. Tani për tani ai shihet si njeriu i momentit tek Anglia, që synon titullin e dytë në Kupën e Botës, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Java që lamë pas ishte mjaft e bujshme për Jordan Pickfordin. Të martën portieri anglez luajti një rol kyç në fitoren e parë të “Tre Luanëve” me penallti në historinë e Kupës së Botës. Pastaj të shtunën ai përsëri ishte vendimtar me pritjet e tij të jashtëzakonshme ndaj Suedisë, duke ndihmuar ekipin e tij drejt kualifikimit në gjysmëfinale pas 28 vjetësh.

Ai e ndali dy herë sulmuesin Marcus Berg për të shënuar gol. Ola Toivonen gjithashtu u ndal falë refleksit të shpejtë të Pickfordit. Këto paraqitje tregojnë ngritjen e madhe në karrierë të 24-vjeçarit, i cili në 2013-n luante për klubin e kategorisë së gjashtë të futbollit anglez, Alfreton Town. Pickord iu bashkua Akademisë së Sunderlandit kur ishte tetëvjeçar, ndërkohë që kontratën e tij të parë e nënshkroi në vitin 2011, por u dërgua në huazime në disa klube të rangjeve më të ulëta për të marrë përvojën e duhur.

Portieri modest thotë se këto përvoja e kanë ndihmuar atë që të bëhet lojtari që është sot. Ai u zgjodh njeriu i ndeshjes në ndeshjen çerekfinale të Anglisë. “E rëndësishmja e kësaj ishte porta e paprekur. Ka të bëjë me ecurinë e vazhdueshme të paraqitjeve dhe të përmirësimit, sa më shumë lojë që luani ju bëheni më i mirë”, deklaroi Pickford pas pranimit të çmimit si lojtari i ndeshjes ndaj Suedisë.

“Këtu dua të jem unë. Unë thjesht dua të luaj në ndeshje të mëdha dhe kundër ekipeve të mëdha. Unë thjesht provoj që të jem në nivel dhe të bëj gjithçka për ekipin. Nuk isha i lindur kur Anglia mbërriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës për herë të fundit. Ne gjithmonë kemi thënë se do ta marrim ndeshje pas ndeshjeje, por ne mund të shkojmë dhe të krijojmë historinë tonë”, shprehet portieri i Evertonit.

“Ne jemi një ekip i ri, por jemi një ekip i ri me përvojë, edhe pse kjo tingëllon e palogjikshme. Ne e dimë sesi të punojmë dhe si të luajmë për njëri-tjetrin dhe e dimë se cilat janë fuqitë tona. Ne dimë sesi të fitojmë”, thotë ai.

Trajneri i Anglisë Gareth Southgate gjithashtu lavdëroi Pickfordin, të cilin e sheh si një model inspirues për portierët e ardhshëm. “Pickford për mendimin tim është një lloj modeli i tipit që duhet të jetë portieri modern. Numri i prekjeve me këmbë të topit nga portieri është i lartë në ditët e sotme, sidomos në futbollin ndërkombëtar dhe në atë evropian”, u shpreh Southgate./Zëri

Të rekomanduara