Ky është futbollisti kosovar që konsiderohet e ardhmja e Kombëtares së Zvicrës

Botërori 2018 July 05, 2018 - 10:24

Kombëtarja e Zvicrës e ka të ardhmen e sigurt. Albian Ajeti shihet si njëri prej lojtarëve më premtues të helvetikëve pas eliminimit nga “Botërori 2018”. Sulmuesi kosovar e pranon se e priste ftesën nga Zvicra për “Rusia 2018” pasi e kishte dhënë më të mirën nga vetja gjatë sezonit të kaluar. Golashënuesi më i mirë i Baselit premton se do të japë edhe më shumë për ta merituar një vend në përfaqësuese

Albian Ajeti konsiderohet si e ardhmja e Kombëtares së Zvicrës, shkruan sot gazeta Zëri.

Futbollisti kosovar po shkëlqen në fanellën e Baselit, me të cilin ishte golashënuesi më i mirë në sezonin e kaluar.

Vëllai i vogël i Arlind Ajetit e pranon se priste që të ftohej nga trajneri Vladimir Petkovic për Botërorin e Rusisë, por është pajtuar me fatin.

Tash ai po punon që në të ardhmen të ftohet, pasi në Zvicër po thonë se e ardhmja e këtij ekipi është e sigurt pasi do ta ketë në gjirin e tij një lojtar që shënon gola si Ajeti.

“Kam mbetur i zhgënjyer. E kisha objektiv të shkoja në Botëror dhe kam bërë gjithçka për këtë. Fatkeqësisht, nuk ishte e mjaftueshme. Jam paksa i trishtuar. Mirëpo, nga ana tjetër jam krenar që është folur për mua në Kombëtaren A”, ka thënë fillimisht futbollisti llapjan për magazinën zvicerane “Blick”.

Momentalisht ai tregon se i ka nisur stërvitjet dhe se ndihet mirë që i ka afër bashkëlojtarët dhe miqtë e tij, Taulant Xhakën dhe Raoul Petrettan.

Ajeti thotë se ka pushuar disa ditë dhe tash i është kthyer me energji dhe forcë të re stërvitjeve, në mënyrë që të jetë gati për fillimin e sezonit të ri në Zvicër.

Image

Ai thotë se nuk ka shtuar peshë gjatë pushimeve dhe se kishte ushtruar “non-stop” duke menduar se do të ftohej nga Kombëtarja zvicerane për “Rusia 2018”.

Ajeti zbulon se vitin e kaluar nuk ia kishte vënë objektiv vetes që të shpallej golashënuesi më i mirë.

Mirëpo, ai thotë se dëshironte ta ndihmojë ekipin dhe se edhe në të ardhmen synon të shënojë sa më shumë gola dhe të vazhdojë të përmirësohet.

“Unë kam dhënë gjithçka për Baselin. Por, fatkeqësisht kjo nuk ka mjaftuar që të ftohem në Kombëtaren e Zvicrës. Tash dua të shikoj përpara dhe të jap më shumë”, nënvizoi Ajeti.

Sidoqoftë, ai tregon se i ka shikuar ndeshjet e Botërorit, sidomos ato të Zvicrës, ku ka shumë shokë skuadre dhe më gjerë. Sa u përket ekipeve tjera thekson se më së shumti e ka bindur Kroacia, e cila shton se ka lojtarë të shkëlqyeshëm individualë.

Nëse flasim për sezonin e kaluar, ai ia jep notën 4,5 Baselit, për të cilin thotë se është përmirësuar dhe ka mësuar shumë.

Ai beson se gjiganti zviceran mund të përmirësohet edhe më shumë për ta fituar një notë më të lartë nga ai.

Sezonin tjetër ai mendon se Baseli, por edhe personalisht do të bëjnë më shumë.

Ajeti thekson se Baseli duhet të jetë i gatshëm që nga fillimi, jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë pauzës dimërore.

Ndeshjet e para i konsideron si jashtëzakonisht të rëndësishme për ta marrë primatin. /Zëri/

Të rekomanduara