Të dëshpëruar, por krenarë!

Botërori 2018 July 05, 2018 - 10:19

Përfaqësuesja e Zvicrës i dha fund eksperiencës në Kampionat Botëror pasi u mposht nga Suedia në të tetën e finales.

Të Kuqtë dështuan të shkonin në çerekfinale për herë të parë që nga viti 1954, shkruan sot gazeta Zëri.

Edhe pse janë të dëshpëruar, futbollistët helvetikë ndihen krenarë me atë që e treguan në “Rusia 2018”.

“Jemi të gjithë të dëshpëruar, kemi mundur të bënim më shumë se kaq. Suedezët qëndruan prapa. Luajtën me fizikusin e tyre, luajtën me kundërsulme. Ne u përpoqëm të luanim përpara dhe prapa. Ndoshta e kemi lejuar lehtë kundërshtarin të organizonte aksione”, ka thënë futbollisti kosovar Xherdan Shaqiri pas ndeshjes për “Blick”.

“Goli ishte fat i pastër për ta. Më pas u kthyen prapa. Ne provuam deri në fund. E kishim kontrollin e topit 60 me 40 për qind, por kjo ishte e mjaftueshme. Duhej të bënim më shumë. Natyrisht, kishim programuar më shumë. Dëshironim të shkonim në çerekfinale. E kishim rastin. Nëse do ta bënim këtë do të ishte historike. Është trishtuese që do të kthehemi në shtëpi pas së tetës së finales”, shprehet ndër të tjera futbollisti i Stoke Cityt.

Sipas Shaqirit, trajneri Vladimir Petkovic është krenar me lojtarët dhe futbollisti nga Zhegra e Gjilanit është i bindur se në “Rusia 2018” ai me shokë i kanë bërë shumë persona krenarë në Zvicër, por gjithashtu edhe në Kosovë e Shqipëri dhe kudo që ka shqiptarë.

Shaqiri shpreson që Zvicra të marrë pjesë në Kampionat Evropian, që do të zhvillohet pas dy vjetësh.

Koha për ndryshime

Mediet zvicerane shkruajnë se te Kombëtarja zvicerane është koha për ndryshime.

Magazina “Blick” e ka vënë në dyshim vazhdimin e punës së trajnerit Vladimir Petkoviç, por edhe të veteranëve si Stephan Lichtsteiner (34 vjeç), Valon Behrami (33), Blerim Xhemaili (32), Gelson Fernandes (31) e Johan Djourou (31).

Mbetet të shihet nëse ata do të vazhdojnë të luajnë me helvetikët ose jo.

Behrami vazhdon me Zvicrën

Valon Behrami nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga Kombëtarja e Zvicrës pavarësisht moshës së tij.

33-vjeçari ndien se mund të japë ende kontribut te helvetikët.

“Ndiej se mund të jap ende diçka për skuadrën. Kam ende objektiva me këtë skuadër”, ka thënë futbollisti i Udineses.

“Kam ende nevojë për ta arritur një objektiv pavarësisht faktit se jam 33-vjeçar”, shtoi ai. Behrami ka thënë se do të vazhdojë derisa trupi i tij t’i thotë se mund të luajë. Kohëve të fundit atë e kanë përshkuar lëndimet dhe gjuri po i bëhet keq e më keq pas çdo loje.

“Blick”: Ajeti, e ardhmja e Zvicrës

Magazina zvicerane “Blick” të mërkurën ka shkruar se te Zvicra është koha për ndryshime. Disa lojtarë më të vjetër pritet të pensionohen, kurse tash është koha t’u jepet rasti futbollistëve të rinj. “Albian Ajeti e disa të tjerë. Do të jetë interesant të vëzhgohen këta lojtarë”, shkruan “Blick”. /Zëri/

Të rekomanduara