Mustafa Nano e sheh me dyshim patriotizmin e Xhakës dhe Shaqirit

Botërori 2018 July 04, 2018 - 23:02
Lexoni më shumë detaje

Analisti dhe autori i emisionit me titull kontravers “Provokacija” në ABC News, Mustafa Nano ka thënë se të gjitha qeniet në botë kanë patriotizëm në raport me territorin.

Nano në RTV Dukagjini, ka thënë se çdokush ka një dozë të caktuar patriotizmi.

“Unë besoj që edhe ata që thonë se nuk janë patriotë, po e gënjejnë veten”.

Duke folur për dy futbollistët shqiptar që luajnë për Zvicrën, Xhaka e Shaqiri, ai ka thënë se patriotizmi i tyre është vetëm deklarativ.

“Është një patriotizëm deklarativ, spektakolar, dhe unë nuk jam për një patriotizëm të tillë”, ka deklaruar Nano.

Analisti shqiptar thotë se gjesti i tyre ishte pa ndonjë rëndësi të madhe patriotike.

“Ai është një gjest patriotik, por nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Rëndësia i rritet për shkak të vizibilitetit mediatik. Pasojat ishin patriotike, sepse foli gjithë bota për rastin”.

Ai e sheh me dyshim patriotizmin e Xhakës dhe Shaqirit, duke thënë se duhet të luanin për Kosovën për të qenë më patriotë.

“Gjest patriotik i tyre do të ishte nëse ata do të luanin për përfaqësuesen e Kosovës. Nuk e di pse nuk e kanë bërë këtë veprim, kam përshtypjen se ata e kanë një ndjesi faji për këtë çështje”.

Nano thotë se edhe vetë ai u emocionua nga gjesti i futbollistëve me origjinë shqiptare, por sipas tij ata i thyen në besë zviceranët.

“Ata u treguan të pabesë me zviceranët. Ata duhet të kenë respekt për atë vend, që u ka krijuar mundësinë, dhe që po u jep edhe mundësinë për ruajtjen e identitetit nacional e që shumë vende nuk e lejojnë”, deklaroi Nano, duke thënë se po të ishte zviceran, do të ishte ndier i lënduar.

Të rekomanduara