Shqipet e Zvicrës e duan çerekfinalen, ja çka deklarojnë ata!

Botërori 2018 July 03, 2018 - 15:46

Zvicra do të zbresë prapë sot në fushë për ta zhvilluar ndeshjen e vlefshme për të tetën e finales së Kampionatit Botëror, shkruan sot gazeta Zëri.

Helvetikët bënë paraqitje mbresëlënëse në fazën e grupeve duke i grumbulluar 5 pikë nga tri ndeshje dhe me një fitore ndaj Serbisë dhe dy barazime, me Brazilin e Kosta Rikën, depërtuan në fazën eliminuese.

Të martën, duke filluar nga ora 16:00, ekipi i Vladimir Petkovicit do të ketë punë me Suedinë, një ekip që po tregohet mjaft i fuqishëm në “Rusia 2018”, i cili e la jashtë Botërorit edhe një gjigant siç është Gjermania, kampion aktual i botës.

Prandaj, ata nuk i pret një punë aspak e lehtë ndaj ekipit skandinav.

Xhemaili e Xhaka, optimistë për duelin me Suedinë

Blerim Xhemaili dhe Granit Xhaka janë shprehur optimistë se helvetikët mund të dalin mirë nga sfida me Suedinë, e cila luhet sot.

“Ne mund të luajmë më mirë në krahasim me ndeshjen me Kosta Rikën. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme është se ne kemi shkuar përpara”, ka thënë fillimisht mesfushori shqiptar.

“Botërori është i mbushur me befasi. Ne mund të jemi ekipi i surprizave, mirëpo duhet të luajmë më mirë për këtë”, vazhdoi futbollisti i Bolognas.

Ndërkohë Xhaka ka thënë se zviceranët e kanë arritur tashmë objektivin e parë, duke e kaluar fazën e grupeve dhe tash i kanë mendtë te Suedia.

“Ne e kemi arritur objektivin e parë. Ne jemi shumë të lehtësuar për këtë. Ishim në një grup mjaft të vështirë, por hymë aty me një besim të madh. I morëm pesë pikë në tri ndeshje”, u shpreh mesfushori i Arsenalit.

“Suedezët kanë bërë po ashtu një turne mjaft të mirë deri më tash. Para ndeshjes së fundit që e kishim me Kosta Rikën ne nuk e dinim se cili do të jetë kundërshtari ynë i ardhshëm, por as nuk e kishin në mendje këtë. Sidoqoftë, ne do të jemi mjaft të përgatitur për Suedinë. Ky ekip i befasoi të gjithë. Askush nuk e priste që në grupin e Suedisë do të eliminohej pas vetëm tri ndeshjesh një gjigant si Gjermania”, theksoi ndër të tjera mesfushori kosovar.

Kualifikimit të Zvicrës i janë gëzuar edhe dy futbollistët tjerë shqiptarë, Valon Behrami dhe Xherdan Shaqiri, por edhe futbollistët tjerë zviceranë. Ata urojnë t’u zgjasë sa më shumë eksperienca në “Rusia 2018”.

Futbollistët shqiptarë ishin vendimtarë në sukseset e Zvicrës në këtë Botëror.

Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri shënuan gola ndaj Serbisë, kurse Blerim Xhemaili ndaj Kosta Rikës.

E Valon Behrami shkëlqeu në duel me Brazilin, ku e bllokoi totalisht yllin Neymar.

Në duelin tjetër të së martës, Kolumbia do të përballet me Anglinë, në një ndeshje që pritet të jetë mjaft interesante.

Në këtë duel nuk ka ndonjë favorit dhe të gjitha rezultatet janë të mundshme. /Zëri/

“Botërori 2018”

E teta e finales

E martë

16:00 Suedia – Zvicra

20:00 Kolumbia – Anglia

Të rekomanduara