Brazili e Belgjika, për fitore

Botërori 2018 July 02, 2018 - 11:10
Detajet

Misioni i Brazili për ta harruar turpërimin që iu bë në shtëpi në edicionin e kaluar të Botërorit vazhdon teksa ekipi i Tites do të përballet me Meksikën në të tetën e finales, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Pasi që siguruan vendin e parë në grupin E brazilianët do të kenë punë me Meksikën, e cila aventurën e saj në fazën e grupeve e përfundoi në vendin e dytë.

Në ndeshjen e fundit Brazili shfaqi një lojë mjaft të mirë në fitoren 2:0 kundër Serbisë. Ndërsa në anën tjetër Meksika u mposht me rezultatin e thellë 3:0 nga Suedia, duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e radhës vetëm falë humbjes së Gjermanisë në ndeshjen tjetër të grupit. Brazili është përmirësuar gradualisht në këtë Botëror dhe duket sikur ekipi i ka harruar ato 180 minutat e vështira ndaj Zvicrës dhe Kosta Rikës. Skuadra braziliane do t’i hyjë takimit ndaj Meksikës me vetëbesim të plotë.

Ndërsa Meksika pritet të ketë një punë të vështirë për t’u kualifikuar në çerekfinale, pasi do të përballet me favoritin numër një të kësaj gare.

Sidoqoftë, meksikanët do të mundohen ta harrojnë atë paraqitjen katastrofale ndaj Suedisë dhe ta tregojnë veten e tyre ndaj “Seleçaos”.

Këto dy ekipe janë takuar katër herë mes vete deri më tani në Kupën e Botës dhe Brazili asnjëherë nuk ka pësuar gol ndaj meksikanëve, ndërkohë që ka shënuar plot 11 herë.

Belgjika e Januzajt, superfavorite ndaj Japonisë

Në takimin tjetër të kësaj faze Belgjika e Adnan Januzajt shihet si superfavorite përballë Japonisë. Belgët, që shihen edhe si favoritë për të triumfuar në Rusi, kanë bilanc të qindpërqindtë deri më tani me tri fitore nga po aq ndeshje.

Ekipi i Roberto Martinezit gjithashtu është skuadra me më së shumti gola të shënuar në fazën e grupeve, me gjithsej 9 realizime. Belgjika synon ta arrijë çerekfinalen e tretë në histori të Botërorit, gjë të cilën deri më tani e ka arritur në “Meksikë 1986” dhe në “Brazil 2014”, shkruan Zëri.

Ecuria e tyre prej 22 ndeshjeve pa humbje, më e gjata në historinë e Belgjikës, tregon shumë për kualitetin e këtij ekipi. Golin e fundit të belgëve e shënoi pikërisht futbollisti shqiptar Januzaj ndaj Anglisë dhe atij mund t’i jepet hapësira për të luajtur edhe ndaj Japonisë.

Në anën tjetër, Japonia u bë skuadra e parë në histori të Botërorit që avancoi në këtë fazë vetëm falë pikëve të “Fair-Play”-t. Japonezët kanë lojtarë me mjaft përvojë në përbërjen e tyre, si Eiji Kawashima, Makoto Hasebe, Yuto Nagatomo dhe Shinji Okazaki, të cilët do të luajnë ndeshjen e tyre të 11-të nëpër Kampionate Botërore.

Këto dy ekipe janë takuar vetëm një herë në histori të Botërorit dhe kishin barazuar 2:2 në vitin 2002. Ndërsa kanë zhvilluar mes vete edhe katër ndeshje, prej të cilave dy i ka fituar Japonia, një Belgjika, kurse një tjetër është mbyllur në barazim./Zëri

Botërori 2018

E teta e finales

E hënë

16:00 Brazil – Meksika

20:00 Belgjika – Japonia

Të rekomanduara