Zvicra iu dha gjithçka, ata po ia zbardhin fytyrën dhe po e bëjnë krenar këtë vend

Botërori 2018 June 26, 2018 - 12:25

Zvicra u ishte gjendur në momentet më të vështira të jetës. Kishin gjetur strehë në këtë vend në kërkim të një jete më të mirë dhe më të qetë për shkak të luftës në Kosovë. Familjet Behrami, Xhaka e Shaqiri i janë mirënjohës sot e 700 vjet shtetit helvetik. Tash në një mënyrë ose në tjetrën ato po ia kthejnë këtë të mirë Zvicrës. Bijtë e tyre po e bëjnë krenar këtë vend me kontributin e madh që po e japin në futboll. Valoni, Xherdani dhe Graniti janë heronjtë e rinj të Zvicrës

Festimi i golave të Zvicrës ndaj Serbisë me shqiponjë i Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës i ka ngritur në këmbë të madh e të vogël.

Disa i konsiderojnë si heronj e disa të tjerë si provokues, shkruan sot gazeta Zëri.

Mirëpo shqiponja ka domethënie të madhe për futbollistët shqiptarë që e përfaqësojnë Zvicrën në Kampionat Botëror. Ata janë me rrënjë shqiptarë, që familjet e tyre e kanë hequr të zinjtë e ullirit për të ardhur në ditët e sotme.

Familjet e tyre kishin migruar në perëndim për shkak të luftës dhe për ta kërkuar një jetë më të mirë, ndërsa familja Xhaka e kishte përjetuar edhe më keq, pasi kryefamiljari Ragipi ishte burgosur një kohë nga regjimi serb.

Historia rrëqethëse e Shaqirit

Familja e Xherdan Shaqirit kishte shkuar në Zvicër para luftës. 26-vjeçari është rritur në vendin helvetik dhe i është mjaft mirënjohës atij.

“Zvicra më ka dhënë gjithçka. Tash unë jam gjithçka për Kombëtaren e Zvicrës”, ka thënë futbollisti i Stoke Cityt.

Ai e ka kujtuar fëmijërinë e vështirë, kur familja e tij e kishte lënë Kosovën kur ai ishte katër vjeç.

“Ne ikëm pasi lufta po fillonte. Unë isha katër vjeç. Prindërit e mi u munduan ta ndërtonin një jetë në Zvicër me mua dhe me dy vëllezërit e mi. Nuk ishte e lehtë. Babai im nuk fliste gjermanisht, fillimisht lante gota në restorant, më pas punoi në ndërtimin e rrugëve. Nëna ime pastronte zyra. Zvicra është mjaft e shtrenjtë për të gjithë. Por, për prindërit e mi ishte edhe më e vështirë pasi gjithmonë u dërgonin para familjarëve në Kosovë”, ka rrëfyer Shaqiri.

Ai tregon se ka qenë një djalosh i keq në fëmijëri, nuk ka qenë aspak i qetë, pasi nuk ka ndenjur rehat në aeroplan, siç i kanë treguar prindërit, duke e ndërruar ulësen vazhdimisht.

Xherdani ndër të tjera ka zbuluar se shtëpia e xhaxhait të tij ishte djegur.

Ndërkohë në Zvicër Shaqiri po e fillonte një jetë të re dhe nisi ta ndiqte ëndrrën e tij, të luante futboll.

“Ronaldo ishte idoli im. Ronaldo i vërtetë. Ai ishte magjik për mua. Kur ishte lënduar në finalen e Botërorin 1998 dhe kur Brazili pat humbur nga Franca unë pata qarë. Ndihesha mjaft keq për të”, shton Shaqiri, i cili zbulon se familjarët ia kishin blerë fanellën e Ronaldos kur i kishte mbushur shtatë vjet dhe se ai ishte momenti më i mirë i jetës së tij.

Ai ka folur edhe për shkollën, e cila e ka ndihmuar të integrohet. Aty kishte nxënës të nacionaliteteve të ndryshme.

Përpos futbollit, ai e kishte në “gjak” edhe hip-hopin.

Kur ishte 14 vjeç ai kishte luajtur për Baselin.

Në atë kohë për gjigantin zviceran luanin edhe dy vëllezërit e tij dhe për familjen ishte e vështirë t’i përballonte shpenzimet e të tre djemve.

Vitin 2010 e konsideron si një vit të çmendur, pasi u ftua për të luajtur në Botërorin e Afrikës së Jugut.

Për familjen Shaqiri ishte emocionuese dhe krenari që anëtari i tyre po luante në Botëror.

Në vitin 2012, kur po luante ndaj Shqipërisë, Shaqiri në këpucët sportive të tij i kishte vendosur flamujt e Zvicrës, të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Tash, në Botërorin 2018, ai përsëri nuk e ka harruar vendin e prindërve të tij.

“Tash i kam flamujt e Zvicrës dhe të Kosovës në këpucë. Kjo nuk ka të bëjë me arsye politike. Por sepse flamujt e tregojnë jetën time. Mos u brengosni: unë e mbaj flamurin zviceran në këmbën time të majtë. Në këmbën më të fortë”, ka përfunduar Shaqiri.

Babai i Xhakës, i burgosur politik

Më së keqi nga familjet e tre futbollistëve kosovarë që po e përfaqësojnë Zvicrën në Botëror e ka pësuar familja Xhaka.

Kryefamiljari Ragipi ishte i burgosur politik i regjimit serb dhe pasi doli nga burgu e mori rrugën drejt Zvicrës.

“Natyrisht, për mua kjo ishte një lojë speciale. Mijëra njerëz, familja nga Zvicra, Shqipëria dhe Kosova, më kanë shkruar. Kjo fitore ishte për familjen time, e cila më mbështet gjithmonë. Festimi nuk ishte mesazh për askënd, nuk ishte për kundërshtarin. Sinqerisht, nuk ma ndien. Kjo ishte për njerëzit që më mbështesin gjithmonë. Ata që nuk kanë rënë asnjëherë në tokë. Për vendin tim, prej nga e kanë prejardhjen prindërit e mi. Ato ishin emocione të pastra”, ka thënë Granit Xhaka pas ndeshjes me Serbinë, ku e shënoi golin e parë.

Në vitin 1986 Ragip Xhaka, në atë kohë 22 vjeç, ishte duke studiuar për agrikulturë në Kosovë.

Ai u desh ta mbyllte karrierën në moshën 17-vjeçare pas një lëndimi të rëndë.

Ai po luftonte për liri. Ai merrte rregullisht pjesë në demonstrata gjatë asaj kohe. Një ditë ai u arrestua.

Në shtëpi. Më pas përfundoi në burg.

“Familja ime kishte gjithçka. Dhe, për një moment humbi gjithçka”, kujton Xhaka senior. Ai ishte në një dhomë burgu me katër persona. Për 10 minuta gjatë ditës ai i takonte të burgosurit e tjerë jashtë dhomës. E fejuara kishte të drejtë ta vizitonte çdo 14 ditë.

Xhaka senior: Do të derdhja gjak për Zvicrën

Vitet kalonin. Deri në vitin 1990. Ai u ftua në zyrë dhe e mori lajmin e madh: “Je i lirë”, i thanë.

Atë pa dyshim e ndihmoi “Amnesty International”, organizatë që punonte në lirimin e të burgosurve.

Më pas ai së bashku me gruan e tij Elin shkuan në Zvicër. “E kam nisur punën që nga dita e parë”, shpjegon Ragipi.

Fillimisht si kopshtar. Më pas në mars 1991 u lind Taulanti.

Një vit e gjysmë më vonë në Basel u lind Graniti.

Sot e tërë familja posedon pasaportë zvicerane.

“Për mua Zvicra është shtëpia e dytë. Për Taulantin dhe Granitin është shtëpia e parë. Unë jam krenar me të dyja. Dhe, pas gjithë atyre që ka bërë Zvicra për mua mund të them: Po, do të derdhja gjak për këtë vend”, shton babai i Taulantit dhe i Granitit.

Familja Behrami desh u dëbua nga Zvicra

Aspak më lehtë nuk ka kaluar as familja Behrami, shkruan sot Zëri.

Kjo familje po qëndronte në Zvicër pa letra dhe në vitin 1989 kishte ardhur vendimi nga ky shtet që të dëboheshin dhe të ktheheshin në Kosovë.

Mirëpo falë Valonit, i cili ishte futbollist, por edhe lagjes që bënë peticion për të mos i larguar, u thyen rregullat.

“Ne nuk dëshironim të ktheheshim në Kosovë, sepse atje kishte luftë. Po mendonim për Gjermaninë ose Suedinë”, e kujton atë kohë Ragip Behrami, i cili së bashku me bashkëshorten Halimen, Valonin dhe motrën e tij Valentinën kishin ikur nga Kosova.

“Ndonjëherë sporti është më shumë se sport”, kishte thënë pak ditë më parë Valoni pas fitores ndaj Serbisë, e cila i gëzoi tej mase zviceranët, por më shumë shqiptarët, duke e pasur parasysh të kaluarën dhe historinë. /Zëri/

Të rekomanduara