FIFA kundër Shqiponjës!

Botërori 2018 June 26, 2018 - 12:15
Deri kur kështu?

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) të martën i ka shqiptuar dënimet për ndeshjen ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë, shkruan sot gazeta Zëri.

Shtëpia e futbollit botëror nuk i ka dënuar me ndeshje Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin, por i ka gjobitur ata me para.

Në fakt, dy futbollistët kosovarë rrezikonin suspendim prej dy ndeshjesh për shkak të festimit me shqiponjë dykrenore pas golave të shënuar ndaj Serbisë, e cila ishte ankuar dhe këtë e konsideronte si provokim dhe përzierje të politikës në sport.

Megjithatë, FIFA i gjobiti lojtarët në fjalë me nga 10 mijë franga.

Gjobës nuk i ka shpëtuar as futbollisti zviceran, Stephan Lichtsteiner, i cili ishte solidarizuar me ta duke e formuar po ashtu shqiponjën me duar.

“Lojtarët zviceranë, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Stephan Lichtsteiner janë gjobitur me nga 10,000, 10,000 dhe 5,000 franga për shkak se e kanë shkelur artikullin 57 të Kodit Disiplinor të FIFA-s për sjellje josportive, duke e thyer ‘fair-playn’ gjatë festimit të golave të tyre gjatë ndeshjes ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë”, shkruan në vendimin e FIFA-s, e cila ndërkohë ua ka tërhequr vërejtjen të tre futbollistëve.

Edhe pse nuk u dënuan me ndeshje, siç ekzistonte frika, edhe dënimi me para është absurd dhe konsiderohet i ekzagjeruar, sepse ata nuk kanë bërë asgjë të keqe.

Kanë festuar me një simbol kombëtar të njohur ndërkombëtarisht. Shqiponja nuk jep mesazh politik, të dhunës apo luftës. /Zëri/

Të rekomanduara