Portugalia e Irani luftojnë për kualifikim

Botërori 2018 June 25, 2018 - 12:02
Sot zhvillohen këto katër ndeshje

Prej ditës së sotme Botërori hyn në etapën e fundit dhe atë më interesante të fazës së grupeve. Luftë e madhe pritet të bëhet për të siguruar një vend në mesin e 16 ekipeve më të më mira të botës. Dita e sotme do të na sjellë takimet e grupit A dhe B, shkruan "Zëri".

Ndeshja më interesante e së hënës pa dyshim që pritet të jetë ajo e grupit B, mes Iranit dhe Portugalisë. Ekipit të Fernando Santosit i mjafton së paku një pikë për ta siguruar kualifikimin në fazën e ardhshme, ndërkohë iranianëve u kryen punë vetëm fitorja.

Portugezët shpresojnë që Cristiano Ronaldo të vazhdojë me formën e tij të mirë që e ka treguar deri më tani, në mënyrë që kualifikimi më tutje të mos jetë problem.

Ylli i Real Madridit ka shënuar të gjitha golat për portugezët deri më tani, plot katër realizime dhe është në mesin e favoritëve për të fituar “Këpucën e Artë” të Botërorit, shkruan më tutje "Zëri" 

Në anën tjetër, iranianët, të cilët janë shquar për lojë kryesisht mbrojtëse në këtë Botëror, duhet të ndryshojnë diçka nëse duan të korrin fitore ndaj portugezëve.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Spanja nuk pritet të ketë një punë të vështirë ndaj Marokut, që ka pësuar humbje në dy takimet e para të kësaj gare. Spanjollët do të mundohen të shënojnë fitore, në mënyrë që të sigurojnë pozitën e parë në grupin B.

Vendi nikoqir i kësaj gare, Rusia dhe Uruguai tashmë e kanë siguruar kualifikimin në fazën e së tetës së finales të Kupës së Botës, por ndeshja mes këtyre dy skuadrave të hënën do të na tregojë se cila prej tyre do të përfundojë në kreun e grupit A.

Rusët kanë qenë mjaft bindës në dy ndeshjet e para të grupit, duke realizuar plot tetë gola dhe duke pranuar vetëm një.

Ndërkohë, uruguaianët nuk kanë treguar paraqitjet më të mira, duke shënuar vetëm fitore minimale nga 1:0 në secilën ndeshje.

Ekipi i Stanislav Cherchesov shihet si favorit në letër, por pa dyshim që nuk pritet ta kenë fare lehtë ndaj uruguaianëve.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Arabia Saudite dhe Egjipti do të luajnë në mes vete vetëm për t’i arkëtuar pikët e para në këtë grup, sepse gjasat e tyre për t’u kualifikuar janë shuar pas ndeshjeve të tyre përkatëse në xhiron e dytë. /ZËRI/

Image

 

Të rekomanduara