Sa para do të fitojnë futbollistët në Kupën e Botës ‘Rusia 2018’?

Botërori 2018 June 24, 2018 - 18:22
Ja sa para do të fitojnë futbollistët

Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Neymar… të gjithë i njohin yjet më të mëdhenj të futbollit, por a e dini se sa paguhen për të luajtur në Kupën e Botës “Rusia 2018”?

Siç është tipike me FIFA-në, përgjigjja është e ndërlikuar. Shuma totale që Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka vënë si shpërblim për 32 skuadrat pjesëmarrëse në Kupën e Botës është 400 milionë dollarë.

Në fund të garës, fituesi i Kupës së Botës do të shpërblehet me 32.5 milionë euro, finalisti me 24 milionë euro, kurse skuadra që do të renditet e treta do t’i fitojë 20 milionë euro.

Sipas USA Today, në një artikull në vitin 2014, shpërblimet u jepen federatave të skuadrave fituese, që mund të vendosin t’i paguajnë futbollistët sipas pëlqimit të tyre. Kjo do të thotë që fitorja e Kupës së Botës ndryshon nga një vend tek tjetri, transmeton Telegrafi.

Federata Gjermane e Futbollit, në dhjetor të 2017-së, bëri të ditur që secili prej lojtarëve të kombëtares do të marrë një bonus prej 350 mijë eurosh, nëse Gjermania do të fitojë Kupën e Botës “Rusia 2018”, ndërsa, bonuset ndryshojnë në varësi të ecurisë së ekipit në garë.

Nëse Gjermania kualifikohet në gjysmëfinale, çdo futbollist do të fitojë 125 mijë euro, por nëse mbijetojnë deri në çerekfinale do të marrin nga 75 mijë, mirëpo nëse nuk do të kualifikohen në fazën e grupeve, nuk do të marrin asnjë shpërblim.

Diskutimi ndryshon për Brazilin, sipas Reuters, ku çdo futbollist do të përfitojë 800 mijë euro nëse fitojnë Kupën e Botës “Rusia 2018”.

Futbollistët spanjollë janë në një pozitë më të mirë – nëse Spanja fiton Kupën e Botës, çdo lojtar do të fitojë 825 mijë euro.

Gjithashtu, çdo ekip kombëtar për pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror merr nga FIFA 1.3 milionë euro.

Por, paratë mund të shkaktojnë edhe probleme. Në vitin 2014, mosmarrëveshjet me pagat shkaktuan probleme te disa vende afrikane. Katër vjet më parë, skuadra e Kamerunit refuzoi të hipte në avion drejt Kampionatit Botëror të Futbollit në Brazil, pasi lojtarët mendonin se bonusi prej 70 mijë euro ishte shumë i ulët.

Futbollistët e Nigerisë bojkotuan seancat stërvitore, pasi mendonin se nuk do të paguheshin. Ganezët kërcënuan se nuk do të merrnin pjesë në një ndeshje nëse futbollistët nuk parapaguheshin me para në dorë – gjë që detyroi qeverinë t’i hipte në avion 2.5 milionë euro në rrugën drejt Brazilit.

Këtë vit, as Gana dhe as Kameruni nuk marrin pjesë në Kupën e Botës “Rusia 2018”, por FIFA i ka dhënë Nigerisë dhe katër kombëtareve të tjera pjesëmarrëse 1.8 milionë euro, në mënyrë që të shmangin çdo incident që lidhet me paratë përpara nisjes së garës.

Të fitosh Kupën e Botës nuk është vetëm një çështje parash.

Vitin e kaluar, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Reinhard Grindel, tha para gazetarëve, se edhe pse shpërblimet janë padyshim një stimulim, “Sfida sportive është objektivi kryesor dhe jo aspekti ekonomik”.

Të rekomanduara