Në vitin 2014 ishte moler, në vitin 2018 luan në Botëror!

Botërori 2018 June 22, 2018 - 12:16
Detajet

Gabriel Jesusi ishte fotografuar duke lyer rrugët e Sao Paolos në Botërorin e 2014-s, kur brazilianët u turpëruan në gjysmëfinale nga Gjermania. Tani sulmuesi i Manchester Cityt është bërë futbollist i rregullt në grumbullimet e përfaqësueses së Brazilit. Ai gjithashtu është futbollisti më i ri në listën prej 23 futbollistëve të ftuar nga trajneri Tite, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Gabriel Jesusi ishte vetëm 17-vjeçar kur kombëtarja braziliane u poshtërua në vend të vetin 7:1 nga Gjermania në 2014-n. Atëkohë ai ishte fotografuar duke lyer rrugët e qytetit të lindjes së tij Sao Paulos me ngjyrën e gjelbër dhe atë të verdhë. I pyetur nga uebsajti zyrtar i FIFA-s për kujtuar atë ditë, numri 9 i Brazilit u mundua të përmbahet nga emocionet. “Kam luajtur futboll që prej moshës gjashtëvjeçare. Isha 17-vjeçar dhe isha i përfshirë si profesionist te Palmeriasi. E dija se çfarë do të thoshte futbolli dhe nuk e mora aq keq sa njerëzit që janë jashtë kësaj loje”, thotë Gabriel.

Image

Tani 21-vjeçar, sulmuesi i Manchester Cityt është anëtari më i ri i ekipit të “Seleçaos”. Por, ai e sheh veten si një lloj veterani. Ky lloj mendësie është pa dyshim arsyeja se pse ai nuk ka qenë pjesë e talljeve tipike që u bëhen djemve të rinj, sepse, siç thotë edhe vetë ai, nuk është më fëmijë.

Pjekuria e tij e shpjegon edhe arsyen pse Federata Braziliane e Futbollit kërkoi nga ai që të marrë pjesë në një konferencë për shtyp tre ditë para ndeshjes hapëse, kur normalisht pritet që një futbollist më me përvojë ta bëjë këtë gjë. Paraqitja e tij mediale ishte edhe më e çuditshme pasi që një shok i tij, që kishte marrë pjesë në një seancë stërvitore me dyer të mbyllura në Sochi para disa ditësh, kishte postuar një video të saj.

“Është një punë e mirë që shënova me kokë. Nëse do ta humbisja do të kisha qenë në lajme. Së paku ai nuk postoi asgjë për aspektin taktik. Do t’ia kisha treguar qejfin nëse do ta kishte bërë”, thotë ai duke qeshur.

Sulmuesi i ri e rrezikon vendin e tij në formacion me atë video, por jo më pak edhe nga forma e mirë e Roberto Firminos me Liverpoolin gjatë edicionit që e lamë pas. “Le të jem i qartë për këtë gjë, është një gjë pozitive që të kemi dy qendërsulmues që janë të mirë për të luajtur titullarë. Është e shëndetshme për konkurrencën dhe jam shumë i lumtur që ai është në një formë të mirë. Do të bëj tifo për të nëse ai luan”, u shpreh ai. Ndeshja e ardhshme e Brazilit është të premten kundër Kosta Rikës.

Së bashku me Neymarin, Gabriel është në mesin e golashënuesve më të mirë në epokën e Tites me 10 gola. Kjo ka bërë që ai të bjerë edhe në syrin e ish-futbollistit Ronaldo, i cili e vizitoi ekipin e Brazilit. “Mendoj se ai duket shumë mirë dhe është pjekur shpejt”, ka thënë për të Ronaldo.

Gabriel ka gjithë përkrahjen e mundshme dhe është në një humor të mirë, edhe pse e di se pjesëmarrja në Kupë të Botës nuk është një detyrë e thjeshtë. “Nuk është saktësisht një përvojë relaksuese. Është kompeticioni më i madh në futboll dhe është e pritshme të ketë emocione”, përfundoi ai si një veteran i vërtetë./Zëri

Të rekomanduara