Sonte edhe Kosova e Shqipëria në Botëror

Botërori 2018 June 22, 2018 - 10:10

Kosova dhe Shqipëria nuk kishin arritur të kualifikoheshin në “Rusia 2018”. Por, domosdoshmërisht shqiptarët sonte do të përfshihen në Kampionatin Botëror. Sebep bëhet ndeshja Serbi – Zvicër. Me tatuazhe nëpër duar e këmbë dhe me flamuj të Kosovës e të Shqipërisë nëpër këpucë Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Blerim Xhemaili pritet të luftojnë si luanë për t’ia sjellë fitoren e madhe Zvicrës, e cila i mban si pëllumba rreth 250 mijë shqiptarë. Por, edhe për t’i bërë krenarë miliona shqiptarë, historia e të cilëve flet keq për të kaluarën në mes serbëve dhe shqiptarëve, të cilët po kërkojnë normalizim marrëdhëniesh tek tani në shekullin XXI, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Kampionati botëror “Rusia 2018” të premten mbrëma do ta sjellë një ndeshje të madhe, e cila do të zhvillohet ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës. Ky takim i Grupit E ka rëndësi të madhe sepse pas xhiros së parë atij i prin ekipi përfaqësues serb me tri pikë, dy më shumë sesa Zvicra dhe Brazili, të cilat kanë luajtur baras.

Kurse Kosta Rika është e fundit dhe do të luajë me Brazilin. Kjo gjendje tabelore e tregon luftën e madhe që e kanë nisur këto katër skuadra për t’u kualifikuar në të tetën e finales. Por, përballja në mes serbëve dhe zviceranëve ka shumë domethënie.

Serbia do të hyjë në fushë shumë e motivuar me fitoren nga ndeshja e parë dhe me mundësi të mira për ta siguruar kualifikimin e mëtutjeshëm. Në anën tjetër, Zvicra do të hyjë me dy motivime. Helvetikët sfidojnë serbët me vetëbesim të madh të fituar përmes barazimit të jashtëzakonshëm, që e nxorën në ndeshjen e parë kundër kandidatit më serioz për ta fituar Kupën e Botës, Brazilit, shkruan "Zëri".

Motivi i dytë është diçka edhe më i veçantë. Barrën më të madhe të Zvicrës e bartin Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Blerim Xhemaili, futbollistë me prejardhje nga toka shqiptare, e cila ka të kaluar të hidhur me Serbinë.

Tre nga ta janë prej Kosovës, e cila në vitin 2018 e ka shpallur pavarësinë nga Serbia, që vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia.

Image

Kjo e fundit qysh më moti ka filluar të shprehë frustrim për ndeshjen me Zvicrën për shkak se futbollistët shqiptarë të saj gjithnjë me krenari e shprehin prejardhjen e tyre shqiptare, qysh moti kanë bërë tatuazhe simbole me vlera kombëtare shqiptare dhe nëpër këpucët e tyre mbajnë nga dy-tre flamuj: atë të Zvicrës, të Kosovës dhe të Shqipërisë. 

Krejt kjo ka bërë që në një ndeshje të futbollit të jenë të përfshira katër shtete: Zvicra dhe Serbia direkt, kurse indirekt Kosova e Shqipëria, të cilat nuk kishin arritur të kualifikoheshin në Botëror. Kjo ka bërë që mediet zvicerane dhe ato serbe ta konsiderojnë takimin e Serbisë me Zvicrën edhe si një përballje shqiptaro-serbe.

“Me Xhemailin, Xhakën, Shaqirin e Behramin, katër lojtarë të Zvicrës me prejardhje shqiptare, ndeshja për shumëkënd interpretohet si duel midis Serbisë dhe Shqipërisë”, shkruan “20min”, shumë i njohur në shtetin helvetik. Ky medium e ka intervistuar edhe ambasadorin e Kosovës në Zvicër, Ismail Spahiu. “Asnjë ndeshje nuk është diskutuar aq shumë, ndoshta përveç asaj kur Zvicra luajti kundër Shqipërisë në Kampionatin Evropian”, ka thënë Spahiu.

“Nëse Zvicra fiton kundër Serbisë do të jetë disi fitore e shqiptarëve ndaj serbëve. Edhe nëse mposhtet them se edhe serbët do të ndihen njëjtë”, ka shtuar ai.

Kontributi i vazhdueshëm i futbollistëve shqiptarë për fanellën e Zvicrës vlerësohet si një falënderim i shqiptarëve për shtetin helvetik, i cili përpos lojtarëve dhe familjarëve të tyre i ka sistemuar në këtë shtet rreth 250 mijë shqiptarë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, ku sigurojnë mirëqenie sociale edhe për të afërmit e tyre në Kosovë. Krejt kjo kishte filluar të bëhet në kohët më të vështira, kur Kosova dhe shqiptarët në këtë vend ishin të okupuar dhe të përndjekur nga ish-regjimi serb.

Por, Zvicra është një “strehimore” edhe për shumë familje serbe. “Lojtarët shqiptarë luajnë për flamurin zviceran. Nëse serbët humbin ose fitojnë do ta bëjnë këtë vetëm kundër Zvicrës e jo kundër Shqipërisë”, ka thënë Ljubisha Miriç, president i Asociacionit Kulturor në Altstaaten të Zvicrës.

E vërtetë: Serbia, kundërshtare e veçantë për Behramin, Shaqirin, Xhakën e Xhemailin

Në prag të ndeshjes Serbi – Zvicër futbollistët shqiptarë janë munduar t’u shmangen  intervistave dhe deklarimeve. “Absolutisht i përqendruar dhe i gatshëm për të luftuar në ndeshjen tonë të ardhshme. Kurrë mos hiqni dorë, gjithmonë luftoni”, ka shkruar Granit Xhaka në rrjetet sociale.

Mirëpo paraprakisht futbollistët shqiptarë të Zvicrës disa herë kanë theksuar se ndeshja ndaj Serbisë për ta do të jetë si çdo ndeshje tjetër e Zvicrës.

Por, qëllimin për fitore nuk e kanë fshehur asnjëherë.

Mirëpo e vërteta është se përballja me Serbinë është e veçantë për Behramin, Xhakën, Xhemailin e Shaqirin. Thjesht, ata janë shqiptarë. "Zëri" shkruan se ata flasin rrjedhshëm shqip. E duan shumë mëmëdheun, saqë bartin tatuazhe e veshje sportive me simbole kombëtare shqiptare. Shpeshherë për pushime e zgjedhin tokën shqiptare. Kanë shumë familjarë në Kosovë dhe më gjerë.

Kanë shoqëri të ngushtë me VIP-at shqiptarë. Frymojnë si çdo shqiptar tjetër në Kosovë.

Xhaxhai i Valon Behramit, Qaushi, konfirmon se nipi i tij do të ketë motiv të veçantë përballë Serbisë. Babai i Valonit e kishte humbur punën dhe ishte i persekutuar”, tregon Qaushi për “AFP”. 

Futbollisti i FC Prishtinës, Agon Xhaka, është djali i xhaxhait të mesfushorit të Zvicrës Granit Xhakës. Agoni ka treguar se babai i Granitit ishte i burgosur nga ish-regjimi serb i Slobodan Milosheviçit. Posa ishte liruar nga burgu Ragip Behrami kishte migruar në Zvicër, ku kishte gjetur strehim me familjen e tij. Xhaka është nga Prishtina, Xhemaili nga Tetova shqiptare e Maqedonisë, Behrami nga Mitrovica, kurse Shaqiri nga Zhegra e Anamoravës.

“Zvicra është skuadra e tretë që kemi, pas Kosovës dhe Shqipërisë”, tha për “AFP” një banor nga vendlindja e Xherdan Shaqirit, i cili qe një kohë është bërë më i sulmuari nga mediet e Beogradit për shkak se ai në botëror ka shkuar me këpucë futbolli, ku e ka të vizatuar flamurin shtetëror të Kosovës. 

Deklarimet e futbollistëve serbë për shqiptarët e Zvicrës

Disa nga futbollistët serbë janë pyetur për përballjen me futbollistët shqiptarë të Zvicrës. Mediet serbe i kanë dhënë konotacion këtij takimi, përmes së cilit, sipas tyre, futbollistët shqiptarë të Zvicrës do të kërkojnë hakmarrje për luftën serbo-shqiptare në Kosovë.

“Kjo është një shaka, diçka qesharake”, ka thënë reprezentuesi serb Luka Milivojeviç. Kurse Aleksandar Mitroviç i ka thumbuar Behramin, Xhakën, Shaqirin e Xhemailin.

“Nëse do të ishin kaq patriotë, përse nuk luajnë për vendin e tyre? Ata përpiqen të na provokojnë në të gjitha mënyrat, por ne nuk do të ulemi në atë nivel. Do të ishte shumë naive sikur t’i lejonim ata të na shpërqendrojnë. Ne duhet të respektojmë Zvicrën si kundërshtare, asgjë më shumë”, është shprehur Mitroviç.

Fakt për Behramin, Xhakën, Xhemailin e Shaqirin

E vërteta është se përballja me Serbinë është e veçantë për Behramin, Xhakën, Xhemailin e Shaqirin. Thjesht, ata janë shqiptarë. Ata flasin rrjedhshëm shqip. E duan shumë mëmëdheun, saqë bartin tatuazhe e veshje sportive me simbole kombëtare shqiptare. Shpeshherë për pushime e zgjedhin tokën shqiptare. Kanë shumë familjarë në Kosovë dhe më gjerë. Kanë shoqëri të ngushtë me VIP-at shqiptarë. Frymojnë si çdo shqiptar tjetër në Kosovë

Të rekomanduara