Rivaliet i ashpër në ndeshjen Zvicër – Serbi

Botërori 2018 June 22, 2018 - 09:49
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Zvicra me Serbinë takohen sonte në duelin e nxehtë të Kampionatit botëror 2018.

Të gjithë sytë janë nga Brazili. 5-herë kampionët e botës luajnë këtë të premte që përkon me ditën e 9-të të botërorit, ndeshjen e dytë në grup.

Seleçao sfidon Kosta Rikën që konsiderohet edhe si skuadra më e dobët e grupit, në një ndeshje ku objektivi i vetëm për ekipin e Tites është fitorja. Pas barazimit ndaj Zvicrës në ndeshjen debutuese sot Neymar me shokë duhet të kthejnë faqe.

Rotacioni për shiritin e kapitenit vazhdon me Thiago Silvën që do të jetë kapiten sot ndërsa në ndeshjen ndaj përfaqësueses helvete shiritin e mbajti Marcelo.

Neymar është rikuperuar plotësisht dhe do ta nisë ndeshjen që nga fillimi ndërkohë që ndryshimi i vetëm në formacionin e Brazilit pritet të jetë në krahun e djathtë të mbrojtjes aty Fagner do të marrë vendin e Danilos.

2 miqësoret e fundit mes tyre janë fituar nga Brazili ndërkohë që mund të thuhet se Kosta Rika i sjell fat Seleçaos sepse të dyja skuadrat bënin pjesë në të njëjtin grup edhe në Botërorin e vitit 2002 me Brazilin që mposhti 5-2 Kosta Rikën dhe më pas fitoi trofeun e Kupës së Botës.

Ndryshe nga 4 vite më parë kur shkoi deri në çerekfinale Kosta Rika ka humbur shumë në cilësi pasi disa prej futbollistëve janë 4 vjet më mëdhenj dhe nuk kanë më të njëjtën freski në fushë. Ylli i skuadrës është padiskutim portieri i Realit të Madridit Keylor Navas. Brazil-Kosta Rika do të luhet në stadiumin e Zenitit në Shën Petersburg dhe do të nisë në orën 14:00.

Ndeshja e dytë e ditës e vlefshme për grupin C. Në Volgograd Arena, Nigeria pret Islandën në një ndeshje ku do të jetë me sy e veshë edhe Argjentina sepse nga kjo sfidë varen edhe fatet e përfaqësueses albiçeleste në këtë Kupë Bote. Me një sukses ndaj përfaqësueses afrikane, Islanda do të ishte pothuajse e kualifikuar, ndërkohë që Argjentina bën tifo për Nigerinë ndërsa afrikanët luajnë për veten e tyre sepse me 2 fitore në dy ndeshjet e mbetura do të kalonin në fazën tjetër.

Takimi i mbrëmjes do të luhet në orën 20:00 në Kaliningrad Stadium. Serbia pret Zvicrën në një duel shumë intersant dhe që mund të përcaktojë shumë për fatet e skuadrave që do të kualifikohen në grupin.

Shqiptarët e Zvicrës, Xhaka, Shaqiri, Dzemaili dhe Behrami pas barazimit heroik ndaj Brazilit sot do të sfidojnë serbët me shpresën për të marrë fitoren e parë, në një ndeshje që gjithsesi parashikohet shumë e ashpër, por që në fund gjithsesi do të triumfojë futbolli i luajtur, transmeton “SS”.

Behrami pasi frenoi Neymarin ka patur disa probleme dhe është në dyshim të madh për këtë sfidë. E plotë Serbia që pas fitores ndaj Kosta Rikës do të mbështet sërish te veteranët, Kolarov e Ivanovic dhe tek të rinjtë premtues Milinkovic-Savic e Mitrovic për t’i vendosur shkopinjtë nën rrota përfaqësueses helvete dhe për të siguruar që sot kualifikimin.

Të rekomanduara