Ja cilat ndeshje zhvillohen sot në Botëror

Botërori 2018 June 21, 2018 - 11:58
Detajet

Argjentina do ta ketë një punë mjaft të vështirë në kërkim të fitores së parë në “Rusia 2018” pasi do të ketë përballë Kroacinë, e cila tregoi një formë të mirë në ndeshjen e parë të saj duke fituar 2:0 ndaj Nigerisë, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Lionel Messi me shokë do të mundohen që të harrojnë barazimin zhgënjyes ndaj Islandës, por nuk pritet ta kenë fare lehtë ndaj kroatëve. Këto përfaqësuese janë takuar vetëm një herë në Botëror dhe atë në vitin 1998 e fitorja u kishte takuar argjentinasve me rezultat minimal 1:0. Ndërkohë, mes vete janë përballur edhe në tri miqësore, prej të cilave dy fitore i takojnë Argjentinës, ndërsa një herë kanë barazuar. Argjentinasit kanë tepër nevojë për tri pikë nga ky takim dhe çdo dështim eventual në këtë sfidë mund t’ia vështirësojë punën ekipit të Jorge Sampaolit për të kaluar fazën e grupeve.

Franca dhe Danimarka kërkojnë kualifikimin

Në grupin C Franca do të mundohet që të shënojë fitore ndaj Perusë për të siguruar kualifikimin tutje në fazën e 1/8-s së finales. Francezët nuk bindën me paraqitje në sfidën e parë ndaj Australisë, por sidoqoftë arritën që të arkëtonin tri pikë shumë të vlefshme nga ai takim. Tani është koha që të drejtuarit e Didier Deschampsit të tregojnë veten e tyre, t’i heshtin kritikët dhe gjithashtu të tregojnë se ende janë njëra prej skuadrave favoritë për të triumfuar në Rusi.

Në takimin tjetër të këtij grupi, Danimarka dëshiron arkëtimin e tri pikëve për të siguruar kalimin e grupeve para ndeshjes së fundit dhe shumë të vështirë ndaj Francës. Danezët korrën një fitore të rëndësishme ndaj Perusë në ndeshjen e parë dhe fitorja eventuale kundër australianëve do të bënte që ata të jenë në mesin e 16 kombëtareve të botës. Por danezët duhet të kenë kujdes dhe të mos e nënvlerësojnë Australinë, e cila u paraqit dinjitetshëm në sfidën e parë ndaj Francës, pavarësisht humbjes./Zëri

“Botërori 2018”

E enjte

Grupi C

14:00 Danimarka - Australia

17:00 Franca - Peruja

Grupi D

20:00 Argjentina – Kroacia

Të rekomanduara