Fitoret më të thella të Botërorëve

Botërori 2018 June 20, 2018 - 10:39
Detajet

Gjatë kampionateve botërore janë regjistruar kohë pas kohe rezultate të pazakonta. Por, a e dini se cilat ishin fitoret më të thella në kompeticionin më prestigjioz të futbollit? Jua zbulojmë top 10 rezultatet më të thella të regjistruara ndonjëherë në Botëror!

Kampionati Botëror i futbollit është në ditët e para të tij dhe deri tash nuk është regjistruar ndonjë rezultat i pazakontë, respektivisht ndonjë fitore/humbje e thellë.

Deri tash fitoren më të thellë e regjistroi mikpritësi i këtij evenimenti, Rusia e që e mundi Arabinë Saudite me rezultat 5:0. Megjithatë, deri në fund të “Rusia 2018” ka mbetur edhe shumë kohë dhe diçka e tillë mund të ndodhë dita-ditës, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Por, nëse kthehemi prapa mund të shohim raste të shumta të fitoreve/humbjeve të thella.

Jua sjellim top 10 fitoret më të thella të kampionateve botërore

Top 10 fitoret/humbjet e Botërorëve

1. Hungaria – Koreja e Jugut 9:0, 1954

“Ekipi i Artë” i Hungarisë doli i pari në grupin 2 të Kupës së Botës të vitit 1954 falë fitores së tyre të thellë 9:0 ndaj Koresë së Jugut për të kaluar në fazën tjetër. Ferenc Puskas shënoi dy herë këtë, derisa Hungaria më pas arriti deri në finale, ku u mposhtën 3:2 nga Gjermania Perëndimore.

2. Jugosllavia – Zairi 9:0, 1974

Zairi ishte ekipi i vetëm afrikan në Botërorin e vitit 1974 dhe mori pjesë në këtë kompeticion pavarësisht situatës kontroverse në politikën e tyre diktatoriale në shtëpi. Sidoqoftë, shpresat e tyre për lavdi u shuan shpejt, sepse pas humbjes në ndeshjen e parë ndaj Skocisë ata u shkatërruan 9:0 nga Jugosllavia në fazën e grupeve. 

3. Hungaria – El Salvadori 10:1, 1982

Kualifikimi i El Salvadorit në Kupën e Botës të vitit 1982 ishte një befasi e vërtetë me luftën civile, që e kishte kaluar këtë vend atëkohë. Zëvendësuesi Laszlo Kiss shënoi “Hat-Trick” për shtatë minuta, për t’u bërë lojtari i vetëm jotitullar që e arrin një gjë të tillë. Sidoqoftë, edhe Hungaria e edhe El Salvadori u eliminuan në fazën e grupeve.

4. Suedia – Kuba 8:0, 1938

Kupa e Botës së vitit 1938 solli një çerekfinale mes Suedisë dhe Kubës, që doli të jetë një turpërim i vërtetë për kubanezët. Harry Andreson dhe Gustav Wetterstrom shënuan nga një “Hat-Trick” secili, ndërkohë që në listën e golashënuesve u gjetën edhe Tore Keller dhe Arne Nyberg.

5. Uruguai – Bolivia 8:0, 1950

Uruguai luajti vetëm një ndeshje në fazën e grupit në vitin 1950 pasi ekipi i Francës u tërhoq nga gara. Oscar Miguez shënoi tre gola, derisa Uruguai kaloi në fazën tjetër. Më pas uruguaianët do të shkonin deri në finale, ku do të fitonin ndaj Brazilit.

6. Gjermania – Arabia Saudite 8:0, 2002

Kupa e Botës së vitit 2002 u hap me një humbje turpëruese të Arabisë Saudite, 8:0, nga Gjermania. Kjo fitore ishte inspiruar nga një “Hat-Trick” i Miroslav Kloses, ndërkohë që arritën të realizonin nga një gol edhe Michael Ballack, Carsten Jancker, Thomas Linke, Oliver Bierhoff dhe Bernd Schneider.

Fitoret e tjera të thella ishin: Uruguai – Skocia 7:0, 1954; Turqia – Koreja e Jugut 7:0, 1954; Polonia – Haiti 7:0, 1974; Portugalia – Koreja e Veriut 7:0, 2010./Zëri

Të rekomanduara