Humbja me Suedinë, ky lojtar rrezikon të përfundojë ushtar

Botërori 2018 June 19, 2018 - 12:55

Heung-min Son është padyshim ylli i Koresë së Jugut dhe shihet si shpresa më e madhe që ka kjo përfaqësuese për të ecur përpara në Botëror, ndonëse pas disfatës në ndeshjen ndaj Suedisë, duket paksa e pamundur.

Por edhe Son është i interesuar që Kombëtarja e vendit të tij të arrijë një rezultat sa më të mirë në këtë turne, pasi i duhet për të shmangur shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vendlindje.

Ylli i Totenhemit, nuk ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të cilit i nënshtrohet çdo shtetas në Korenë e Jugut deri në moshën 28 vjeçare.

Të gjithë i nënshtrohen këtij rregulli por në raste të rralla, ka shtyrje, apo edhe pezullim vendimesh.

Son ka siguruar një shtyrje të ekzekutimit të vendimit deri në verën e vitit 2019 dhe shpreson që nëpërmjet justifikimit të “arritjeve të mëdha sportive”, t’i anulohet plotësisht detyrimi për paraqitje, shkruan Vipsport.

Një gjë e ngjashme ndodhi në vitin 2002, kur yllit Park Ji-Sung iu garantua shmangia nga ky detyrim.

Shansi i madh i Son që të plotësojë kushtin është që të kalojë grupin, por nëse kjo nuk mjafton, do të duhet që të bëjë ndonjë mrekulli në Kupën e Azisë në janar.

Përndryshe, edhe ai do ta shohë veten në rresht për një!

Të rekomanduara