Senegali, për befasi

Botërori 2018 June 14, 2018 - 13:22

Senegali nuk ka ndonjë përvojë të madhe në Kupën e Botës, ku do të marrë pjesë vetëm për herë të dytë në historinë e vet. Sidoqoftë, në paraqitjen e tyre të vetme në Botëror senegalezët kishin shkuar mjaft larg, ku ishin kualifikuar deri në çerekfinale. Këtë e kanë të vështirë ta përsërisin në Rusi, por ata shpresojnë, shkruan Gazeta "Zëri".

Senegali do të marrë pjesë vetëm për herë të dytë në Kupë të Botës, por do të mundohen t’i afrohen suksesit të arritur në paraqitjen e tyre të parë në vitin 2002. Senegalezët kanë në përbërjen e tij futbollistë të njohur, që luajnë në ligat më të mira evropiane dhe do të mundohen që ta shfrytëzojnë këtë gjë deri në maksimum. Futbollisti i Liverpoolit, Sadio Mane, spikat në listën e 23 futbollistëve të ftuar nga Aliou Cisse, ndërkohë që në këtë listë ka edhe emra si Kalidou Koulibaly, Keita Balde dhe Mbaye Niang.

Ylli i ekipit

Njëri prej lojtarëve më të mirë të kontinentit afrikan, Sadio Mane u bë futbollisti më i shtrenjtë në histori të këtij kontinenti kur u transferua te Liverpooli për 34 milionë funte në vitin 2016. Fuqia, shpejtësia dhe aftësitë e tij e bëjnë futbollistin më të rëndësishëm te Senegali.

Shpresat

Kara Mbodji realizoi një gol shumë të rëndësishëm për kampanjën kualifikuese të Senegalit, të cilët i mbyllën gjashtë ndeshje pa humbje. Ai shënoi në minutën e fundit për fitoren 2:1 të ekipit të tij ndaj Afrikës së Jugut.

Trajneri

Aliou Cisse ishte kapiten i ekipit të Senegalit e që bëri historinë në Kupën e Botës të vitit 2002, ku u kualifikua deri në çerekfinale me debutimin e tyre. Ai gjithashtu ka impresionuar si trajner që prej marrjes së drejtimit të përfaqësueses në vitin 2015 dhe drejtoi skuadrën drejt një kampanje kualifikuese pa humbje në grupin D të zonës së Afrikës.

Të rekomanduara