A jeni gati?

Botërori 2018 June 14, 2018 - 11:13

Kampionatit Botëror të Futbollit do t’i këputet shiriti sot. Përgjatë një muaji dashamirët e futbollit do ta kenë mundësinë ta ndjekin ngjarjen më të madhe të futbollit në botë. 32 ekipe përfaqësuese pjesëmarrëse do të marrin pjesë në evenimentin që do të mbahet në Rusi. 12 stadiume në 11 qytete do të jenë arenat e futbollit nga 14 qershori deri më 15 korrik. Rusët kanë premtuar spektakël në ceremoninë hapëse që do të mbahet sonte, derisa pas saj do të fillojë edhe zyrtarisht rrokullisja e topit me ndeshjen hapëse Rusia – Arabia Saudite, shkruan Gazeta Zëri.

Që nga momenti kur Rusia u konfirmua si organizatore e Kampionatit Botëror, në dhjetor të 2010-s, ky vend ka punuar fort për t’u përgatitur për këtë eveniment. Renovimi i stadiumeve dhe lehtësitë për të lëvizur në vend kanë qenë pikat kyçe në të cilat është punuar, në mënyrë që infrastruktura në secilin qytet të jetë në përputhje me standardet e FIFA-s. Tash mund të themi pa problem se Federata Ruse është e gatshme plotësisht për Kupën e Botës.

Në total 32 ekipe përfaqësuese do të jenë pjesë e këtij turneu, 14 prej tyre nga Evropa. Shorti i fazës së grupeve të fazës finale është hedhur në Kremlin Palace të Moskës në dhjetorin e shkuar në prezencë të legjendave të futbollit si Pele, Maradona, Ronaldo, Cafu, Banks, Cannavaro, Puyol, Forlan, Blanc e Lineker. Ceremonia është lansuar zyrtarisht nga presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i FIFA-s Gianni Infantino.

Në tetë muajt e fundit qindra mijëra tifozë të futbollit përreth botës e kishin mundësinë ta shihnin nga afër trofeun falë turneut të trofeut të Botërorit, i cili i vizitoi 51 shtete në 6 kontinente, duke e bërë këtë evenimentin më të madh sportiv në histori. Biletat e Botërorit kanë dalë në shitje më 14 shtator të vitit të kaluar. Tifozët që kanë mbetur pa bileta do ta kenë mundësinë t’i shohin ndeshjet në ekrane gjigante në një nga 11 fan-festivalet në qytetet mikpritëse.

500 vallëzues

Ceremonia hapëse do të fokusohet në një seri të akteve muzikore. Rreth 500 vallëzues, gjimnastë dhe trampolinistë do të performojnë në ceremoninë ekstravagance e cila do t’i zbulojë të gjitha gjërat ruse.

FIFA ka njoftuar se ceremonia hapëse pritet të jetë shumë “muzikale”, por nuk do të mungojnë edhe koreografitë interesante, të përgatitura nga mikpritësit, duke përfshirë këtu edhe vallëzimet tradicionale ruse. Rusët kanë paralajmëruar një spektakël të vërtetë sonte. Ceremonia hapëse pritet të fillojë në orën 17:30, ndërsa dueli në mes të Rusisë dhe Arabisë Saudite do të fillojë në orën 18:00.

Ylli i popit britanik Robbie Williams dhe ikona braziliane e futbollit Ronaldo do të jenë yjet e spektaklit hapës së bashku me sopranon e njohur botërisht,Aida Garifullina.

12 stadiume në 11 qytete

Ndeshjet do të zhvillohen në 12 stadiume të 11 qyteteve ruse. Në kryeqytetin rus do të zhvillohet ndeshja hapëse dhe finalja, respektivisht në stadiumin “Luzhniki Stadium”, që është më i madhi në këtë vend. Aty në të kaluarën ishte mbajtur ceremonia hapëse dhe mbyllëse e “Olimpiadës 1980” dhe finalja e Kupës UEFA në vitin 1999, si dhe së fundmi 10 vjet më parë ishte luajtur finalja e Ligës së Kampionëve.

Ky stadium i ka pranuar 78,750 spektatorë vitin e kaluar në ndeshjen miqësore ndërmjet Rusisë dhe Argjentinës.

Stadiume tjera të mëdha të edicionit të 21-të të Botërorit janë edhe ai “Spartak Stadium”, pastaj “St Petersburg Stadium”, “Kazan Arena” dhe “Volgograd Arena”. Gjashtë stadiumet tjerë do të jenë në Kaliningrad, Samara, Ekaterinburg, Nizhny Novgorod, Saransk dhe Rostov.

Era Istrefi këndon këngën zyrtare të Botërorit

Ditë më parë është zbuluar edhe kënga zyrtare e “Botërorit 2018”. Kjo këngë quhet “Live It Up” dhe këndohet nga treshja, Era Istregi, Will Smith e Nicky Jam. Dhe me t’u lansuar kënga është shikuar disa dhjetëra miliona herë.

5 shqiptarë në Botëror

Edhe pse Shqipëria dhe Kosova nuk do të marrin pjesë në Botëror, populli shqiptar do t’i ketë ambasadorët e tij në Rusi. Zvicrën do ta përfaqësojnë katër futbollistë shqiptarë: Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, kurse për Belgjikën do të paraqitet Adnan Januzaj.

Të pranishëm edhe krerët e shteteve

Kreu i Komitetit Lokal Organizativ, Alexey Sorokin, ka thënë se liderët e më shumë se 20 shteteve të botës do të jenë të pranishëm në ceremoninë hapëse të Botërorit, i cili do të mbahet sonte në Moskë. Ceremonia hapëse do të mbahet në stadiumin “Luzhniki Stadium” dhe FIFA ka njoftuar se ajo do të nisë vetëm 30 minuta para se mikpritësi i Botërorit të përballet me Arabinë Saudite në hapje të festivalit futbollistik që do të zgjasë një muaj në Rusi./ZËRI

Të rekomanduara